Dy shoferët e përfshirë në aksidentin tragjik në kryeqytet në zonën e Porcelanit, ku humbën jetën 2 këmbësorë që qëndronin në trotuar, do të njihen të dielën me verdiktin e gjykatës së Tiranës në lidhje me masën e sigurisë që do të merret për ta.
Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim ekspertizën paraprake të shkaqeve të ngjarjes, ndërsa pritet që për Edmond Muratin t’i kërkohet gjykatës masa 30 ditë heqje lirie, kohë në të cilën parashikohet të përfundojnë hetimet. Për Etjon Lazrin pritet të kërkohet burg pa afat, raporton Tema.
Dy të pandehurit janë marrë në pyetje nga policia lidhur me rrethanat e aksidentit. Drejtuesi i automjetit ngjyrë gri Etjon Lazri ka pretenduar se ka tentuar të ndalojë por në atë moment nuk i kanë mbajtur frenat. Për këtë arsye është kërkuar dhe një kontroll i imtësishëm i kushteve teknike të dy automjeteve që u përfshinë në aksident.
Ndërsa drejtuesi i automjetit ngjyrë blu, Edmond Murati para uniformave blu ka deklaruar se përplasja ndodhi shumë shpejt ndërsa ka pretenduar se ka qenë në korsinë e duhur. Masa për dy të arrestuarit pritet të jetë e ndarë, ku shoferit Lazri mund t’i komunikohet në ambientet e spitalit për shkak të dëmtimeve të marra nga aksidenti.