Sokol Balla: Për herë të tretë Ramën, apo për herë të tretë Berishën?

AKTUALITET


I ftuar në forumet UET këtë të martë ishte gazetari i mirënjohur dhe drejtuesi i emisionit Real Story, Z. Sokol Balla, në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të UET. Profesioni i gazetarisë sot, marrëdhëniet e medias me politikën, aktualiteti politik ishin çështjet që ai preku.

Fatet politike të kryeministrit, kreut të opozitës dhe presidentit. Rama për një katërvjeçar të ri, rreziku i mbylljes së ciklit të Bashës dhe Meta si presidenti më i keq, që duhet t’i kthehet politikës. Analiza e gazetarit Sokol Balla  në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë, në Forumet UET

Prej shume vitesh kemi parë akuza dhe kundërakuza të politikanëve me njëri-tjetrin, por ajo çfarë vihet re kohët e fundit këto akuza nga politikanë kanë përfshirë edhe media dhe gazetarë, ku më parë e nisi Kryeministri Rama me terma ‘kazan’ apo ‘kadri’, dhe së fundmi edhe politikanë të rangut të lartë si Z. Meta. Çfarë tregojnë sipas jush këto etiketime apo akuza që vijnë në drejtim të medias dhe gazetarëve nga politika?

Kjo nuk ka nisur me kryeministrin Rama, por që Rama e ka sofistikuar dhe e ka futur në një nivel tjetër jam dakord. Unë jam një person i cili në 12 vite është sulmuar në nivele personale në të gjitha mënyrat dhe mjetet. Kjo vjen në paketë me punën që bëjmë. Më kanë sulmuar kryeministra, së fundmi edhe presidentë, parti të caktuara na shpallin herë pas here “armiq”, na vendosin në listën e tyre të zezë, na nxjerrin e na vendosin prapë. Kjo është normale pasi polarizimi shumë i madh i jetës politike në vend që nuk ndalon. Ka nisur besoj nga viti 2008, dikush mund të thotë prej ndryshimeve kushtetuese ndërsa unë do të thosha prej “Gërdecit”. Pavarësisht se kur bëjmë komentet dhe analizat dikush mund të thotë se aksioni politik i opozitës e acaroi situatën, ose siç disa thonë e acaroi Presidenti, ose Qeveria, ky është një lloj acarimi që vjen prej vitit 2008 e këtij e që për fat, nuk përfundoi ashtu siç po shkonte drejt 30 Qershorit falë ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve. Po të ishte në dorë dorën tonë, ne e kemi të thjeshtë të përsërisim sindroma dhune të ngjashme me ato të 1997-s, 1998-s,  ose të 2011-s. Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë një fenomen shqiptar, kemi presidentin Trump që jo vetën i thotë,  por edhe i shijon më duket sulmet ndaj mediave të caktuara. Por edhe ai nuk është i vetmi.  Kemi  pasur Berluskonin më herët, Berishën gjithashtu, të parin, të dytin dhe atë të tretin që është tani. Sulmet vijnë në paketë me punën, është normale që kur kritikon dikë të të kthehet edhe në nivel personal,  kur nuk ka me se të merret tjetër. Mua nuk më kanë bërë asnjëherë përshtypje dhe kam qenë totalisht indiferent ndaj sulmeve personale, edhe atyre më të këqija edhe atyre më normale si këto sulmet verbale të këtyre ditëve, javëve apo muajve të fundit. Ndonëse edhe një pjese të mirë të kolegëve të mi, kjo nuk i bën më përshtypje, sulmet duhen evidentuar, publikuar, dënuar, pasi nuk është problemi se një politikan shan një gazetar, problemi është si reagojnë mbështetësit e atij politikani ndaj gazetarit. Këtu nuk është problemi se të sulmon Sali Berisha, Edi Rama apo Ilir Meta – sepse sulmet e Lulzim Bashës i marr gjithmonë me buzëqeshje-, por si reagojnë përkrahësit kur shohin që idhulli i tyre sulmon një individ. Në fund të ditës ne të tillë jemi, shkruajmë, por kur dalim në rrugë për të blerë bukën e përditshme, jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe jemi vulnerabël ndaj një sulmi që mund të jetë verbal, por mund të jetë dhe fizik. Politikanët që kanë truproja edhe kur nuk kanë pushtet duhet të marrin parasysh që në fund të ditës ne jemi njerëz të zakonshëm, kemi jetët tona, fëmijët tanë, të cilët nuk u kanë asnjë borxh as atyre e as neve për egon tonë personale apo profesionale. Unë në karrierën time, nuk jam marrë asnjëherë me familjarë të politikanëve, edhe kur kemi pasur familje politike siç është për shembull rasti i presidentit Meta, edhe kur familjarë të politikanëve kanë dalë të përfshirë në çështje që shfaqin interes publik siç janë familjarët e ish-kryeministrit Berisha, kurrë nuk jam marrë dhe jam munduar të rri larg sulmeve me natyrë personale,  pikërisht për këtë arsye që thashë. Çdo punë ka rrezikun e vet. Shqetësimi im i vetëm është ky, që këta njerëz duhet ta kuptojnë se një vend me temperaturë të lartë politike e natyra të nxehta siç janë shqiptarët përtej sulmit verbal që mund të kenë ata, përkrahësit e tyre mund ta kthejnë atë në kërcënime fizike. Atëherë çfarë i mbetet një politikani i cili nxit dhunën fizike ndaj një individi tjetër, qoftë ky gazetar apo jo, besoj ky është fundi i misionit të tij.

Zoti Balla, tregu mediatik duket sikur po bëhet shumë i fortë, ku përgjatë javës kemi 9-10 emisione të llojit të aktualitetit politik dhe hard-talk. Së fundmi,  një nga lëvizjet e bujshme është edhe e juaja, në News 24 , që solli shumë reagime. Përfshirë edhe letrën e PD-së për të mos marrë pjesë në disa emisione,  ku më shumë vihej theksi tek ju dhe emisioni që ju drejtoni. A ishte nevojshme kjo lëvizje e juaja dhe a  kryet ndonjë studim të këtij tregu që të mund të kishit ndjekshmëri më të lartë? Cili është qëndrimi juaj për këto reagime?

Jam deri diku indiferent, pasi mendoj që vijnë me natyrën e punës. Unë jam një person që jetoj me lirinë e shprehjes dhe nuk mund ta anatemoj lirinë e shprehjes, më pëlqejnë ose jo ato që njerëzit thonë, qoftë edhe për mua. Tregu mediatik i fortë? Unë kam dyshimet e mia tashmë, për fortësinë e tij. Mendoj se edhe tregu mediatik televiziv është polarizuar. Besoj që lëvizja ime tek “News24”, është një lëvizje që kishte minimalisht 3-4 vjet që kishte nisur. Komunikim shumë i mirë njerëzor me Z. Hysenbelliu që kishte vite që zgjaste, duke më ‘paralajmëruar’ mua për këtë lëvizje që do të vinte. Për mua është lëvizje normale,  pasi unë jam gazetar i lajmit dhe politikës dhe shkoj në një televizion lajmesh, më i ndjekuri përsa i përket dhënies së lajmit, shpejtësisë e saktësisë. Mendoj që me këtë emision, “News24” i jep më shumë thellësi lajmeve që jep gjatë 24 orëve dhe fiton një dimension tjetër, të cilin me pa të drejtë e kishin bërë monopol televizionet gjeneraliste. Unë e them këtë duke qenë pjesë e “fajit”,  pasi kam punuar 13 vite rresht në një televizion gjeneralist. Mendoj që mjafton të hapësh kanalet e huaja për të kuptuar se emisione të tilla të thellimit të lajmit janë zakonisht natyrë e televizioneve me karakter informativ. Mua më pëlqen kur gjërat plotësojnë njëra-tjetrën, kjo është java e pestë e punës në “News24” dhe besoj se është një plotësim i mirë dhe i natyrshëm i televizionit dhe i imi.

Ndërkohë sa i përket letrës që doli nga PD, unë kam komunikuar edhe zyrtarisht me këtë parti dhe duket që ka një korrigjim të perceptimit të asaj që është shkruar në atë letër. Unë vetë kam qenë në PD në vitet e largëta ’94-’95, për një periudhë të shkurtër dhe atëherë ishte kjo lloj filozofie, e cila duhet thënë se është pjesë e filozofive të partive konservatore të qendrës së djathtë që e shohin gjithnjë armikun tek tjetri. Është shumë kollaj që “tjetri” të jetë ose kundërshtari politik,  ose mediat kritike ndaj teje. Megjithatë nuk mendoj se bëhet fjalë për një strategji bllokimi. Nëse do ta bëjnë është punë për ta, por në këtë rast unë nuk humb. Humbin ata që s’vijnë dhe humbet teleshikuesi pasi debatet politike nuk janë pronë, as e Sokolit, as e Blendit, apo të dikujt tjetër. Debatet politike janë pronë publike, pavarësisht se ku zhvillohen, në agorën e një universiteti apo studion e një televizioni. Kështu që humbet ai që nuk vjen pasi ia zë vendin me pa të drejtë kundërshtari dhe humbet shikuesi i cili sheh një vizion të deformuar të një situate të caktuar e të japë më pas një gjykim të tijin. Kjo më pas krijon një anomali elektorale, e nuk besoj që PD që është një “përbindësh” elektoral, ose të paktën kështu ka lindur në dhjetor të viti ’90 do të zgjedh të publikojë emisione politike, në përgjithësi. Unë kam kontaktuar dhe në PD ka diçka mes vetë-korrigjimit dhe korrigjimit të perceptimit tonë mbi atë që ne kemi parë në atë letër, e zakonisht edhe ato çfarë shkruhen, shkruhen jo mirë ndonjëherë e interpretohen e më keq pastaj nga njerëzit që i marrin, botojnë e komentojnë mbi to.

Para pak kohësh, keni deklaruar në një shkrim tuajin ose më saktë keni lakuar sipas disa burimeve emrin e ri që mund të vijë në krye të PD-së atë të Jorida Tabakut. Mendoni se Lulzim Basha nuk është kandidati i duhur i opozitës për kryeministër?

Unë kam qenë shok i ngushtë me rivalin e tij më të madh, që nuk e ka emrin Jozefina Topalli,  por e kishte Sokol Olldashi. Edhe në biseda private me të ndjerin shokun tim, deri diku ia thosha atë që më pas edhe e kam demonstruar.  Unë  kam menduar që z. Basha është portreti më i mirë që i duhet PD-së dhe mendoj që, pavarësisht kritikave që mund të kishim për opozitën, arriti një rezultat jo të keq në zgjedhjet e vitit 2015. Kjo duke pasur parasysh që u bë një hartë e re elektorale administrative, në të cilën PD për faj të saj nuk kishte dhënë asnjë lloj kontributi, kishte përballë dy “përbindësha” të tjerë elektoralë si PS dhe LSI që ishin bashkë, plus edhe partitë e tjera kundërshtare. z. Basha nuk arriti një rezultat të keq pasi nuk ka opozitë që fiton zgjedhje lokale, thjesht jep sinjale,  nëse po i afrohet pushtetit vendor ose jo. Nuk dha një sinjal të tillë, por dha një sinjal që diçka kishte filluar të lëvizte për mirë. Pastaj se ç’ka ngjarë pas vitit 2015 deri në këtë moment që flasim, z. Basha mirë do të bënte të na e shpjegonte. Megjithatë kemi një fat të madh që kur nuk flet z. Basha, flet z. Berisha dhe ne i kuptojmë gjërat. Siç foli para një jave dhe na tha që ndryshe nga çfarë tha z. Basha, djegia e mandateve nuk ishte fare punë e tij, por ishte një punë e nisur prej ish-kryeministrit. Në shkrimin të cilit ju i referoheni, nuk ka koment,  por ka lajm. Lajm është që mesa duket edhe tek vetë promotorët e z. Basha kanë filluar të lindin jo thjesht zhgënjimet e para, sepse këto z. Berisha duhet t’i ketë të vjetra me të – nga 2017 ndoshta-, por prej këtij viti po punohet edhe në kokën e doktorit të partisë, ideja që duhet të ketë edhe një pasues të z. Basha. Është normale në logjikën e një partie të madhe, historike, tradicionale, konservatore, ideologjike siç është PD, që ka një “ADN” e cila është ajo e Sali Berishës, që të mendohet të ketë edhe një pasues të z. Basha për të cilin nuk do të mendojë vetëm ky i fundit,  por edhe “babai” i partisë, z. Berisha. Ai është një lajm me informacione të sakta, por i shtrirë në kohë, pra që do të vërtetohet nëse z. Basha do të përfundojë me dështim misionin e tij në krye të Partisë Demokratike. Pavarësisht shumë pamundësive që Lulzim Basha ka në partinë e tij për të shprehur profilin e  vërtetë politik, mendoj që beteja është ende e hapur. Nuk mund të thuhet me siguri, edhe nga dashakeqësi më i madh, se ai ka dështuar përfundimisht, Por jua them me siguri, nga një person që është relativisht në nivel edhe personal dashamirës ndaj zotit Basha, që jam unë, që po, Partia Demokratike dhe pronari i “ADN”-së së saj, patjetër po mendon për një pasues tjetër, nëse Z. Basha nuk do të arrijë dot të realizojë misionin. Loja është interesante, sepse po luhet në disa pole, por realisht i uroj suksese z. Basha, pasi mendoj që ka, pavarësisht se ne nuk e shohim akoma, aftësi për të qenë një lider modern. Jo ai lider që pamë mbi barrikadat sepse ai ishte shumë arkaik për profilin e tij, ky është perceptimi im personal. Unë e shikoj z. Basha si një lider modern, atë që të tjerët thonë që ai fle gjumë, unë e shikoj ndryshe, e përkthej si delegim kompetencash. Pra, është një politikan që në pozicionin e tij drejtues, nuk ndihet si lider historik, po ndihet si një person normal që ndan detyrat, çdo mëngjes.

Gjatë ditëve të fundit në media por edhe në emisonin tuaj Real Story, është diskutuar shumë raporti i “Venecias”, pavarësisht opinioneve të shumta që janë dhënë, ju mendoni se Presidenti i Republikës ka kryer shkelje të rendë të Kushtetutës?

Është çështje subjektive, unë mendoj që Ilir Meta nuk është presidenti më i mirë, mendoj që ndoshta është presidenti më i keq që ne kemi pasur. Unë kam qenë i mendimit që maxhoranca në 2017-n, duhet t’i jepte Bujar Nishanit një mandat të dytë për President, pasi pavarësisht se nuk ishte një president i zgjedhur nga shumica e partive politike. Vinte si një president i zgjedhur nga maxhoranca, një eksponent i lartë i Partisë Demokratike. Besoj që z. Nishani u tregua shumë korrekt me Kushtetutën dhe nuk na duhet një president,  për të cilin të dalim dhe të duartrokasim dhe të ulërijmë. Ne na duhet një president,  ndaj të cilit duhet të ngrihemi në këmbë dhe ta respektojmë dhe t’i japim dorën, edhe në rast se ai vjen nga një anë politike që nuk na përfaqëson. Ilir Meta është një politikan profesionist që e luan lojën në të gjitha nivelet, por nuk duhet ta kishte luajtur në nivelin kushtetues. Ai luajti gabim nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërhyri në punë që nuk i takojnë dhe po e prezumoj vullnetin e tij të mirë për të rregulluar gjërat, pra për të tejkaluar kompetencat kushtetuese, siç e tha komisioni i Venecias, po për shumicën, ose për një pjesë shumë të madhe të qytetarëve, ai nuk është më presidenti i tyre. Dhe kjo është shumë e rëndë, besoj që ai vetë e kishte kuptuar dhe e ka kuptuar këtë, që rolin e Presidentit të Republikës nuk e bën, pavarësisht se ka që nga viti 2009. Nuk është një punë që ai e bën mirë, ai bën mirë rolin e politikanit, bëri mirë rolin e Kryetarit të Kuvendit, pasi ishte direkt i lidhur me skenën politike në vend. Po për mua është president, edhe më i keq se Berisha i parë, i ‘92-‘97, që dhe ai ishte një president i fortë, kishte shumë kompetenca, sepse ia lejonin  dispozitat kushtetuese të asaj kohe, kishte vendimmarrje të forta të mblidhte edhe qeverinë. Ilir Meta nuk e respektoi Kushtetutën dhe një politikan që ka vullnet për të bërë mirë për vendin, le të rrijë në politikë. Një politikan që do të bëhet President i Republikës, duhet të rrijë në zyrën e tij dhe të respektojë Kushtetutën.

U bë 6 vjet që Rama është në krye të Qeverisë. Me këtë lloj bilanci a mendoni se mund ta mbyllë këtë mandat të dytë?

Mendoj që është një proces i komplikuar dhe që nuk është i plotë me një përgjigje “po, ose jo”. Unë nuk kam parë ndonjëherë, as Sali Berishën në 97-n, që dikush të futet në zgjedhje për t’i humbur ato. Kështu që nuk shoh ndonjë gjë anormale që z.Rama kërkon të marrë një mandat të tretë. Ju mund të mendoni që ai do e mbyllë, por ndërkohë nuk po e mbyll. Ndërkohë më shumë flitet se  po e mbyll ciklin kundërshtari i tij. Nuk shoh ndonjë gjë të keqe që Rama tenton të marrë një mandat të tretë, por nuk i kuptoj arsyet për  të marrë një mandat të tretë.

Më kujtohet një personazh i jetës publike britanike, i cili u afrua dhe me Edi Ramën nga viti 2011, Alastair Campbell.  Kur  erdhi për herë të parë në Shqipëri, i ftuar nga ambasadorja angleze për një darkë me të,  Campbell u kishte drejtuar një pyetje si Berishës ashtu edhe Ramës, se përse donin të fitonin zgjedhjet e 2013. I  pari, Berisha u përgjigj për të ruajtur pushtetin,  ndërsa Rama për ta fituar atë dhe asnjeri prej tyre nuk më dha një përgjigje që normalisht duhet ta japë çdo politikan, që “unë dua ta marr pushtetin,  pasi kam një plan A për Shqipërinë apo një plan B për Shqipërinë”. Kështu që tani i bie që Rama të kërkojë planin C për zgjedhjet e ardhshme, por mendoj që procesi është më i komplikuar se aq, pasi erozioni në besim ndaj një qeverie në vitin e shtatë, deri diku është normal, ne jemi mësuar. Ajo që nuk jemi mësuar dhe na krijon një gjendje vakumi dhe ankthi në analizën e një pjese të mirë, është fakti që njerëzit ende nuk po arrijnë dot të krijojnë një besim tek alternativa që kanë përballë. Është një alternativë që të shfaqet kryesisht si antipod, pra ai është i zi, unë jam i bardhë. Njerëzit sot janë shumë më të sofistikuar në perceptimin publik dhe politik, dhe nuk mund t’i anashkalosh thjesht duke thënë që ‘Edi Rama është djalli dhe unë jam engjëlli’. Njerëzit nuk e hanë më këtë. Unë mendoj që shqiptarët nuk kanë votuar asnjëherë gabim në të gjithë historikun e tyre. E di që këtë e ka thënë edhe Edi Rama, por e kam bindur unë Edi Ramën që nuk është kështu. Shqiptarët kanë votuar nga viti ‘91 e këtej gjithmonë zgjedhjen më të mirë të momentit, nuk kanë pasur asnjëherë mundësi të zgjedhin perspektivën e tyre, pasi i tillë ka qenë dhe është sistemi politik në Shqipëri. Varet nëse z. Rama duhet të ikë apo jo, është e lidhur me atë se kur do të jetë i gatshëm që të vijë si pasues i tij z.Basha, që për mua, ka bërë përpjekje interesante në të shkuarën, por shpejt pastaj ra në kopje. Ra në kopjen e librit që kishte shkruar Edi Rama, pra në zgjedhjen si kryetar Bashkie, pastaj në zgjedhjet për kryeministër. Pra, zgjodhi të priste, pastaj zgjodhi të nxitonte. Z. Basha ka gabuar shumë në shpejtësinë e tij, tani i duhet në fakt të nxitojë, pasi viti 2021 nuk është larg dhe jo vetëm që i duhet të përgatisë partinë dhe veten,  por duhet të bindë një pjesë shumë të madhe të shqiptarëve që janë të pakënaqur me qeverinë, se ai mund të jetë kryeministri i ri i vendit. Një nga gjërat që duhet të bindë z Basha, është që, te shumica e shqiptarëve dhe tek ata që janë shumë kritikë me qeverisjen e Edi Ramës është që në vitin 2021, ata nuk duhet të jenë midis mundësisë së zgjedhjeve të treta;  ose të zgjedhin për herë të tretë Edi Ramën, ose të zgjedhin për herë të tretë Sali Berishën. Ata duhet të zgjedhin për herë të parë Lulzim Bashën. Nëse Z. Basha e kupton këtë, dhe besoj që e kupton, duhet të ketë pak më guxim në aksionin e tij politik nga ky moment deri në qershorin 2021.

Tashmë në PS kemi një politikan ambicioz që është kryetari bashkisë së Tiranës. A e shihni të mundshme projektimin e Erion Veliaj si kryeministër apo si kryetar i Partisë Socialiste?

Nuk jam i sigurt që është në PS, më tepër është në perceptimin e Tiranës. Në PS ai ka mbetur “ylli” i vetëm,  pasi kampionët e tjerë nuk janë më në garë. Është një perceptim që Erioni po mundohet ta krijojë më shumë jashtë, sesa brenda partisë. Ka shumë miq në PS, siç ka dhe armiq, por nuk ka rivalë. Ndoshta rivali i vetëm nga pikëpamja e profilit publik është Ditmir Bushati, të cilin nuk e shoh të jetë sot në preferencat e kryetarit të Partisë dhe nëse nuk je i tillë sot në këtë sistem politik të ndërtuar pas vitit 2008,  e ke shumë vështirë të çash përpara. Nuk e di nëse Erioni do arrijë të akumulojë shpejt pushtetin dhe kompleksitetin që gjeneron pushteti i rolit të tij.

Për komplikimin ku kanë arritur marrëdhëniet politikë – media, a mendoni se qëndron shprehja e një komentuesi on-line:  Sokol Balla është më lart në hierarkinë e PS-së se Taulant Balla dhe Blendi Fevziu është më shumë i rëndësishëm sesa Gazmend Bardhi?

Si krahasim është i padrejtë, pasi z.Bardhi i duhet të rritet edhe pak që të shkojë te niveli i Fevziut. Po e mbyll me batutë këtë, por siç e thashë edhe më herët, jetojmë në kohën e të vërtetës subjektive. Ka shumë që për shkak të punës, profesionit, jetëgjatësisë… Se ndonjëherë të mendosh që dikush ka 21 vjet apo dikush tjetër ka 15 vjet që bën një emision televiziv janë kohë shumë të gjata për t’i mbijetuar konkurrencës, nëse ajo do ekzistonte. Kështu që në kokat e njerëzve, ndonjëherë krijohet një mit i caktuar. Gjithsesi, një gjë është e sigurt nga ky krahasimi, që Blendi Fevziu është më i rëndësishëm se Gazment Bardhi.



Skip to toolbar