Një ngjarje e pazakontë ngjau të mërkurën. Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri reagoi ashpër ndaj deklaratave në Real Story të deputetit Ervin Bushati. I ftuar të flasë për një rezolutë për Rusinë dhe ndërhyrjet e saj të mundshme në jetën publike të vendit, ai ndër të tjera deklaroi se veç viruseve elektronike, Rusia fut në sistem “… virusin e përçarjes”. Duke thënë këtë, Bushati merr përsipër të thotë diçka personale politike, por gjithashtu edhe diçka që tashmë është provuar në Amerikë, Britani dhe Spanjë. Ndërkohë reagimi i ambasadës ruse pikërisht me këtë frazë, merrej dhe tallej, duke e paraqitur Bushatin si një teknik të lodhur kompjuterësh, kur ndërkohë edhe reagimi i tij ishte më i fortë, edhe reagimi i ambasadës ishte deri diku i pavend, por provë se shqetësimi për rritjen e forcës ruse në vend, është tashmë një realitet.
Po të mërkurën, dhe me një sens sarkazme dhe ironie, por edhe me seriozitet, ambasadori rus në Bashkimin Europian, bëri thirrje nga Brukseli që Shqipëria dhe Maqedonia t’i bashkohen Bashkimit Ekonomik me Rusinë, tashmë “që gjërat janë bërë të qarta, dhe oferta ruse”, ishte aty dhe serioze. Rusia dukshëm e ka seriozisht me Shqipërinë. Tani që Mali i Zi nuk është më dalja në det, Moska i është rikthyer Pashalimanit të dikurshëm dhe Shqipërisë, ku vende partnere me të, si Turqia, kanë tashmë akses normal të një vendi më shumë se mik, apo si Greqia, një vend që ka mundësi reale për të ushtruar presion në nivel të lartë dhe për çështje delikate. Sigurisht presioni bëhet më i dukshëm sot, kur duket se Europa, destinacioni jonë i natyrshëm, na ka lënë në fatin tonë.
Dhe si gjithmonë shpresa jonë e vetme është vetëm Amerika. Të martën në mbrëmje Yuri Kim, një grua e re dhe e fortë, kërkoi besimin e Senatit Amerikan, për të shërbyer si ambasadorja e re e Uashingtonit në Tiranë. Ajo përmendi tre prioritete kryesore dhe tek i pari dhe i treti përmblidhen e djeshmja dhe e ardhmja e Shqipërisë në raport me Shtetet e Bashkuara. Përparësia e parë amerikane është pikërisht siguria. Përmes NATO-s dhe bazave amerikane në tokat tona, por edhe përballja me Rusinë si një rrezik eminent dhe kujdesi “ndaj interesave në rritje të Kinës”. Sesa real është ky prioritet, mjaft t’i referohesh një sondazhi të bërë mbi perceptimet e rreziqeve kombëtare nga shqiptarët, ku mbi 51 për qind e tyre konsiderojnë rrezik Rusinë dhe shumë më pak Kinën. Shtetet e Bashkuara duket janë të vëmendshme ndaj shqetësimeve të shqiptarëve, por janë autoritetet shqiptare aq sa duhet?
Një provë mund të jetë reagimi i shtetit shqiptar ndaj deklaratës të mërkurën të ambasadës ndaj Ervin Bushatit. Përveç faktit që citimi i tij ishte “fake” (po ky veprim tashmë nuk përbën më lajm), a mundet një ambasador i huaj të reagojë kështu si një qytetar i zakonshëm digjital ndaj çdo deklarate të një deputeti të një parlamenti sovran, me të cilin ambasadori përmes letrave kredenciale, ka ofruar besim, përpara se të akreditohet? Ka premtuar të respektojë një protokoll të caktuar, sipas të të cilit, ai duhet të ankohet në Ministrinë e Jashtme nëse ai beson se politikanë vendas po cenojnë interesat e vendit të tij. Ambasada apo ambasadori mund të replikojnë me gazeta apo gazetarë, sepse Shqipëria është një vend demokratik, ku dhe ata, edhe ne dhe kushdo tjetër, edhe ambasada, ka të drejtë të flasë e replikojë. Por jo njerëzit e saj të zgjedhur. Ministria e Jashtme duhet të thërrasë ambasadorin dhe të sqarojë atë për protokollin diplomatik dhe se qëndrimet politike kundër politikanëve shqiptarë, mund t’i thotë vetëm Moska dhe se ambasada ka vetëm rolin e korrierit mediatik.
Provë tjetër e një shteti ku taksapaguesit e tij nuk kanë ndonjë dashuri apo interes për Moskën, duhet të jetë ai që ishte dhe prioriteti i tretë i zonjës Kim mbrëmë në Senat: shtimi i investimeve dhe eksporteve amerikane në vend. 30 milionë dollarë për bazën e Kuçovës janë pak. Ministrja e Mbrojtjes ka kërkuar edhe një bazë amerikane në Vlorë dhe ky është një lajm i mirë. Por mos të harrojmë se edhe TAP është një investim jo thjesht strategjik, por edhe një makinë ekonomike që mban lart prej një dekade, rritjen ekonomike të vendit. Këtu jemi ne, që kemi gabuar në të shkuarën dhe amerikanët këtë sërish e kanë kuptuar para nesh. Tani është koha që të reflektojmë. Investimet amerikane janë ato që do të kthejnë këtë vend më në fund, “profitable” për ta , edhe ekonomikisht, një model që e ndoqën me sukses vendet baltike, duke hyrë në BE, pikërisht përmes derës së Uashingtonit dhe as nga deriçka gjermane apo dera e banjos së Emmanuel Macron.
Dikush (si Ambasada ruse të mërkurën) mund të thotë se në fakt ambasadorit amerikan i kemi dhënë një status të “veçantë”. E vërtetë. Siç thotë Spartak Ngjela “atyre u kemi dhënë edhe Kushtetutën”. Eshtë një operacion që nuk kthehet dot më prapa. Edhe nëse Edi Rama, apo kushdo kryeministër tjetër, viziton nesër Moskën. Orët e Kremlinit janë në Lindje. Ne ecim në drejtim të Diellit, dhe në atë drejtim nuk flitet sllavisht. Në fund të fundit është diçka natyrale.
Së paku në jetë, e kemi bërë edhe ne, një zgjedhje të mirë. (Realstory.al)