Sokol Balla: Si e njoha në Budapest Much Nanon e vërtetë

GULIVER


Si shumë të tjerë, në këto thuajse 30 vjet, edhe unë e kam një copëz rruge  timen  brenda Partisë Demokratike. S’po e krahasoj me të shkuarën para vitit 1990, por ndoshta tranzicioni nuk na la të njihnim shumë njerëz e përjetonim shumë ngjarje, nëse jo nën ngjyrën, hijen apo shenjën e Selisë Blu, e cila kishte zëvendësuar jo pa sukses, hijerëndin Komitet Qendror. Pikërisht në një ditë nëntori të vitit 1994, në selinë përballë asaj që sot njihet si Qendra Toptani, shefja e kabinetit të kryetarit të Partisë, Mira Haxhiu, më thirri në zyrë. Kryetari Selami ndodhej jashtë dhe unë mendova se do të futeshim në një nga ato bisedat e gjata me cigare e kafe në kabinetin e ngushtë, për të shkuarën, të tashmen dhe ankthin që kishte filluar të na kapte si brez i ri që ishim, se cilën nga rrugët mund të zgjidhnim. Vinim si një brez me ndërgjegje dhe kujtesë nga e shkuara jo dhe aq e largët, kur qetësia e pamundësisë për të zgjedhur fillimisht ishte zëvendësuar me zbrazëtinë e risisë së panjohur. Dhe për ende pak fatlumë, me ankthin e mundësisë së zgjedhjes dhe probabilitetin e lartë të zgjedhjes gabim. Por në zyrën paradhomë të Mirës dhe Norës, s’vonoi as një minutë dhe u rrit niveli i ankthit, nga prania e një personi të panjohur, me një fytyrë të shqetësuar e me flokë të zeza. Burri ishte 30 e ca vjeç dhe kishte një shqetësim permanent në sytë, vetullat dhe shikimin e tij të pavendosur diku afër. “Koli, ky është Mustafa Nano, kryetari i Partisë Demokratike në Skrapar.” Befas këtu thuajse buzëqesha. A kishte vërtet PD në Skrapar?

Pra, ishte viti 1994. PD-ja kishte më shumë se dy vjet në pushtet dhe kishte fituar kudo, por jo në malësinë e Ilir Metës. Zona kishte përjetuar edhe një thuajse mini-rebelim në Poliçan, për të cilin po hetohej pas heqjes së imunitetit të deputetit, pikërisht Ilir Metës. E majta ekstreme pak vend dhe hapësirë kishte lënë për të djathtën e re, saqë të gjithë ata që votonin për këtë të fundit, shiheshin thuajse me kompasion në PD, a thua se heroizmi i tyre donkishotesk konsiderohej humbje kohe dhe sakrificë shkretane. Ky presion i dyanshëm, mes të majtës bulliste në Skrapar dhe qesëndisë mëshiruese të Selisë Blu, ndihej në trazimin e vazhdueshëm të Mustafa Nanos. Me siguri vinte me një lloj pasigurie në selinë, ku një skraparlli vështirë të shihej si i djathtë, bile rrezikonte të shtonte dyshimet se ishte armik dhe i infiltruar prej socialistëve. Aq më tepër me mbiemrin e tij “dekonspirues”: Nano.

 “Me Muçin do të udhëtoni në Hungari,” më thotë Mira. Ishte një lajm që unë e prita me një gëzim të qetë, pasi e kisha zgjedhur mes dy tre rrugëve të tjera që ishin në listë. I qetë, pasi Budapestin e kisha vizituar një vit më parë dhe e dija që nuk kisha zgjedhur gabim. Me Muçin – kështu më tha ta thërras – më pas u ula të pija kafe te kafeneja përballë dhe pasi përshëndetëm Azemin – i shqetësuar dhe ky njeri si gjithmonë – Muçi nisi të më tregonte jetën e tij. Nisi të më tregonte sesi pas ndryshimeve kishte nisur përpjekjet, bashkë me një grup të vogël njerëzish, të themelonte degën e PD-së në Skrapar. Se çfarë kishte hequr mes kërcënimeve, goditjeve e presioneve për të futur PD-në, aty ku gjithçka ishte e kuqe: nga toka, deri tek mendja e njerëzve. Në Skraparin e antimitingjeve dhe të enveristëve, që më vonë u shndërruan në metistë, në kërkim të idhullit të ri pas shembjes së të vjetrit.

Muçi ishte pasionant, mësonte shpejt dhe kërkonte ndryshimin me nxitim. Kishte një kontrast mes intelektit të tij prore italian dhe origjinës së tij. Më tregoi se ishte “arratisur” në Itali, ku kishte dështuar me sukses – a ndoshta edhe me dashje – të ngrinte një jetë të re e kështu, më pas, ishte kthyer prapa. Me vonesë, pasi pushteti i kishte ndarë thelat. Por ai ishte vënë ethshëm në kërkim të vendit të tij të merituar, që sigurisht nuk mund të ishte në mes të maleve të Beratit e Skraparit. Me pardesynë e tij bezhë dhe një shall me vija të kuqe, me flokët e shpupuritur e mjekrën gjysmë të parruar e të rrallë, më pas filloi të më pyeste për udhëtimin tonë të pas pak ditëve.

Katër ditët tona në Budapest ishin të ndara mes paradites e pasdrekës së mërzitshme në Akademinë Kristian Demokrate Europiane dhe pasditeve fantastike në rrugët e Budapestit. Natën e fundit, atëherë kur e kuptuam se kthimi ishte afër, të dy u çliruam nga gardhet e mosnjohjes, dhe ramë dakord t’i lëshoheshim qejfit. Hoteli ynë, nuk di pse për ç’trill të rastit, ishte në rrugët e ndezura nga dritat, alkooli dhe mëkati në Buda, në një nga pjesët e kryeqytetit, ku kishim katër ditë që kalonim dhe mezi mbanim qafën të mos kthehej instinktivisht drejt të bukurës së munguar prej dekadash në trurin tonë. Por atë natë të fundit, Muçi u dorëzua. Afër një klubi nate nga ku jo thellë derës shquheshin dy femra, u kthye dhe më tha: “Futemi!” Kishte në zërin e Muçit një ton urdhërues, që imponohej nga mosha, por ndjeva edhe tingullin përgjërues të adoleshentit të përjetshëm brenda tij, që thuajse lutej në formë pyetëse, që mos ta lija vetëm në tundimin e tij mëkator dhe natyral. Unë isha 21 vjeç. Ai ishte 35.

Orët, alkooli, kërcimi  dhe gjithçka ndodhi atje brenda, nuk mund të tregohet. Pashë aty Muçin tjetër, ndoshta të vërtetin, që përdorte dhunshëm dozat pafund të lirisë së ndrydhur prej dekadash në trurin e tij, liri që e kishte shtyrë në çmendurinë e idesë së krijimit të degës së PD-së në zemrën e komunizmit arkaik shqiptar. Unë as që e kisha idenë se ç’jetë kishte bërë Muçi në vitet e komunizmit, por mendja më thoshte se ne çunat e Tironës e kishim pasur jetën më të lehtë. Të dashura që në gjimnaz, xhinse që në kohën e Enverit, cigare te oborri i shkollës, dark parties me  batanije te dritaret e shtëpisë e bodrumeve. Në Skrapar, ku kishte veç një shtëpi kulture, nuk mendoj se gjërat kishin qenë kaq të kollajta.

Në Tiranë më pas e pashë të shqetësuar sërish. Nga ankthi i nisjes së rihumbjes së lirisë. Asaj për të qenë ndryshe nga shumica, i mbështetjes së idesë së ndryshimit, i asaj që po ndodhte në PD, i mbështetjes së kryetarit të saj të ri, Eduard Selami. Besoj e mbështeste, sepse Selami po thyente një tabú: po ngrihej kundër Sali Berishës. Muçit me siguri kjo i dukej e ngjashme me sfidën e tij në Skrapar dhe instinktivisht u ngrit dhe ai në mbrojtje të lirisë. Ndanim bashkë të shqetësuar fatin që po i shkruhej Selamit drejt shkarkimit. Kujtoj dorën e tij të ngritur pro tezave të Edit në Konferencën e Jashtëzakonshme famëkeqe të marsit 1995 dhe dorën e tij kundër shkarkimit të Selamit. Të parat ishin vetëm 21, të dytat me shumë se 100, por mbi 800 të tjera sollën atë moment kthese në historinë e PD-së dhe të Shqipërisë, kur një parti u ngrit kundër kryetarit të saj të ri, për llogari të ish kryetarit të saj të vjetër.

Me Muçin u takuam disa herë më pas. Hera e fundit mbaj mend ishte fillim prilli. PD-ja mblidhte Këshillin e saj të parë Kombëtar pa Selamin kryetar. Në hyrjen e pasme të Pallatit të Kongreseve, ndërsa prisja me Muçin e pija një cigare, afrohet kokulur Eduard Selami. Me status, të gjithë ish kryetarët ishin anëtarë të Këshillit Kombëtar, por befas mbi gjoksin e Selamit rënduan duart e policit te dera: “Ku shkon taj?” Selami i tha se po shkonte brenda, por polici refuzoi, dhe kur Selami me qetësi i tha atij të shihte listën, polici e ktheu mbrapsht, e shtyu dhe i “sugjeroi” largimin nëse s’donte të “hante një shkelm bythëve”. Të gjithë ngrimë. Unë e Muçi po e po, por dhe kundërshtarët e Selamit. “Ç’bëhet kështu?” ngriti zërin, por e tërhoqa dhe i thashë të futemi brenda. Polici na pa gjithë pezm, por ne nuk na kishin shkarkuar akoma. Një anëtare e kryesisë Merita Zaloshnja, kërkoi fjalën dhe kërkoi që Selami të lejohej të futej në mbledhje, por befas kërcitën ulërimat ndaj saj. I pari një deputet i Dibrës. Më pas Safet Zhulali, por pas një sekonde të gjithë heshtën. Sali Berisha, President i Republikës dhe rikthyer de facto edhe kryetar i partisë, u ngrit në këmbë. Safeti dhe deputeti tjetër dibran, u ulën gjithë admirim. Dhe pas pak udhëheqësi foli: “Dëgjo ti putanë, spiune e gazetës Koha Jonë…” Ndërsa Merita e tmerruar ulërinte si një viktimë që i ngulin një thikë befasisht mú në zemër, mohuese e fatit të saj të zi. Por aty mbaroi dhe qëndrimi i saj. Kthente sytë nga njerëzit, por ata shikonin moketin ngjyrë dheu. Të tjerë filluan korin e sharjeve. Dhe kështu, nënën e dy fëmijëve dhe mbesën e përndjekur e Protopapëve e shtynë dhe e nxorën jashtë të përlotur, nën petkun e përndjekjes së saj të re. “Ç’bëhet kështu?” ndjeva zërin e lartë të Muçit, që ishte ngjitur me mua dhe befas e kuptova që më kishte dalë nga kontrolli. S’mjaftonte fjalimi dhe votimi i tij në konferencë, s’mjaftonte që ishte nga Skrapari dhe me mbiemrin Nano, por tani do t’i kundërvihej dhe udhëheqësit? Të qarat nga korridori të Meritës, dëgjoheshin akoma. Tensioni prihej me thikë në ajrin e trashur si një panine e ngrohtë. Udhëheqësi u ngrit në këmbë dhe…

 “Aaaa, zoti Naanoo,” thirri ai me një ton të lartë, por me buzëqeshje me zë. Salla filloi të qeshte e çliruar nga ”shakaja tërë kripë e Duçes”, tensioni pas shkelmave mbi Selamin dhe baltës mbi Merita Zaloshnjën. Berisha me humorin e tij me theks mbi mbiemrin “armik” të Muçit, e çliroi pak gjendjen e amokut që po mbyste lidershipin e ri të PD-së. “Fol zoti Naanoo,” tha ai sërish, ndërsa të qeshurat shtoheshin. Muçi tentoi të fliste, por ishte e pamundur. Nën peshën e emocioneve e nën britmat e demokratëve, thjesht belbëzoi disa fjali. Me siguri i janë kujtuar në ato momente të sharat në rrugët e Skraparit kur Muçi dilte të shpërndante shpresën, që i ishte dukur se lindi bashkë me PD-në.

Ajo ishte dita e fundit mesa më kujtohet që e pashë Muçin. Më pas m’u shfaq në shtator të vitit 1997, pranë Lanës. Me pantallona të kuqe dhe sërish  fytyrën e tij të paqetë. “Kol, dua të bëjmë një radio bashkë,” ishte propozimi i tij i beftë. I thashë që kisha themeluar bashkë me disa kolegë revistën KLAN.  Ai sapo ishte kthyer  nga Kroacia, ku kishte shërbyer si diplomat. Aq i kishte dhënë partia. Jo për t’i mbyllur gojën, por për ta larguar nga Shqipëria.

Por ajo paradigmë e radios, u provua vite më vonë, kur me Muçin ndërtuam një raport të shkëlqyer pune në televizion. Sot që unë shkruaj këto radhë duket sikur rrugët tona janë ndarë, por nuk është tamam ashtu. Ato presin të bashkohen sërish, diku dhe dikur. E kemi bërë zgjedhjen tonë 30 vjet më parë, unë në Tiranë dhe ai në Skrapar. Festën tonë të parë të Lirisë e bëmë në Budapest, por që atëherë kemi luftuar shumë për të, me ca kosto që janë në sytë e të gjithëve, dhe ca të tjera që i mbajmë në shtëpi vetëm për veten tonë.

Thonë që njerëzit njihen më mirë në udhëtime, por ndonjëherë nuk ka shumë rëndësi sesi ti njeh një njeri. Ky rast i rrallë, mendoj shpesh, përfshin edhe si, dhe sa, dhe pse unë e njoh Mustafa Nanon. Që kur futi kokën dhe shikimin e shqetësuar në zyrën e Mirës në PD, e njoha dhe kuptova menjëherë se ai portret kishte një rrugë të gjatë, plot dredha e befasi për të bërë, dhe qesha me vete, se këtë gjë nuk e dinte askush. Përveç meje.

(shkrimi është parathënie e librit të ri të Nanos “Si e kam njohur…”)



Skip to toolbar