IKMT rrafshon 33 objektet në “Astir”, 26 të shoqëruar për dhunë ndaj policëve

AKTUALITET


Fadromat e IKMT-së kanë shembur të 33 objektet në zonën e “Astirit”, mes përplasjeve të banorëve dhe efektivëve të policisë. Aksioni i IKMT-së filloi herët mëngjesin e të martës dhe përfundoi rreth orës 18:00. Nga operacioni u shembën 15 objekte një katëshe, 11 objekte 2 katëshe, 6 objekte 3 katëshe dhe 1 objekt katër katesh.

Gjatë paradites IKMT dhe forcat e policisë që ndodheshin në “Astir” hasën në kundërshtimet dhe rezistencën e banorëve, të cilët prej një viti protestonin për mosprishjen e tyre, të mbështetur edhe nga ish deputetë të Partisë Demokratike. Banorët e “Astirit” sulmuan punonjësit e policisë me gurë, bomba molotov dhe sende të tjera të forta nga ku mbetën të plagosur 7 protestues dhe 5 efektivë policie, të cilët morën ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rreziku për jetën. Në lidhje me dhunën e shkaktuar ndaj policisë janë shoqëruar edhe 26 banorë të “Astirit”.


Një pjesë e banorëve, të cilët zotëronin dokumentacionin e duhur të objekteve, kanë marrë dëmshpërblim nga qeveria, por sërish ndodheshin në protestë me arsyetimin se nuk ishin dëmshpërblyer në vlerën e tregut.

Në lidhje me situatën e tensionuar pati reagime të shumta edhe nga krerët e politikës. Presidenti Meta e cilësoi të papranueshme dhunën e përdorur nga autoritet shtetërore ndaj banorëve, ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, edhe pse nuk ishte i pranishëm te zona e ‘Astirit’, zgjodhi të shkonte në spital për të vizituar banorët e lënduar. Nga spitali i Traumës, Basha premtoi se kur PD të vijë në pushtet do të dëmshpërblejë të gjithë banorët me vlerën e tregut.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se objektet që u shembën janë ato të personave që kanë përfituar kompensim, ndërsa u bëri thirrje banorëve të mos sabotojnë Tiranën.

Prishja e objekteve i hap rrugë zbatimit të projektit të zgjerimit të Unazës së Re.




Skip to toolbar