Nga Eduard Zaloshnja
Para dy javësh zhvillova një sondazh elektronik privat në lidhje me 30 qershorin. Me lejen e klientit, mund t’i publikoj tani rezultatet e atij sondazhi.
Pyetjes nëse duan të votojnë në 30% qershor, 38% e të anketuarve iu përgjigjën po. Me ekstrapolim, i bie që rreth 800 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri duan të votojnë në 30 qershor. Për krahasim, në zgjedhjet e 2017-ës, rreth 785 mijë shqiptarë votuan për PS, PSD e PDS (BD nuk ekzistonte atëherë).
Rreth 36% e të anketuarve u përgjigjen se nuk duan të votojnë, meqë PD, LSI, etj. nuk marrin pjesë në zgjedhje. Me ekstrapolim, i bie që rreth 750 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri futen në këtë kategori. Për krahasim, rreth 770 mijë votuan për PD, LSI, PDIU e PR.
Rreth 5% e të anketuarve u përgjigjën “s’e di”. Me ekstrapolim, i bie që rreth 100 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri futen në këtë kategori.
Rreth 21% e të anketuarve janë të vendosur të mos votojnë, pavarësisht se cila nga partitë ekzistuese merr apo s’merr pjesë në zgjedhje. Me ekstrapolim i bie që rreth 450 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri futen në këtë kategori (shihni Grafikun 1).
Vetëm ata të anketuar që deklaruan se duan të votojnë në 30 qershor, u pyetën nëse do të shkojnë në kutitë e votimit, në qoftë se atë ditë ka përplasje fizike masive me përkrahësit e opozitës. Mbi 2/3 e tyre (me ekstrapolim, rreth 550 mijë) janë të vendosur të shkojnë, edhe nëse ka përplasje fizike me opozitën. Pjesa tjetër ose nuk do të shkojnë në një rast të tillë ose janë të pavendosur (shihni Grafikun 2).
Duke presupozuar se 1.44 milionë zgjedhësit me banim jashtë Shqipërisë nuk duan të vijnë të votojnë në 30 qershor, shifrat e mësipërme mund të kombinohen për të na dhënë një pasqyrë të përafërt të pjesëmarrjes së mundshme në 30 qershor (shihni Grafikun 3).
Kjo pasqyrë bazohet në një skenar pa përplasje fizike masive të përkrahësve të opozitës me ata të mazhorancës. Gjithashtu ajo bazohet në humorin elektoral të para dy javëve…