Sondazhi, skocezët kërkojnë pavarësinë, Britania e Madhe drejt ndarjes?!

AKTUALITET


Skocezët janë shprehur pro pavarësisë nga Britania e Madhe në një sondazh të zhvilluar së fundmi. Madje ata kërkojnë zhvillimin e një referendumi brenda dy viteve të ardhshme dhe kjo pritet të çojë drejt shpërbërjes Britaninë e Madhe fill pas largimit nga BE, shkruan Reuters.

Të pyetur se si do të votonin në një referendum pavarësie, 46% e 1,019 votuesve të anketuar skocezë thanë se do të votonin për pavarësinë dhe 43% thanë që do të votonin kundër, sipas një sondazhi të Michael Ashcroft, përfaqësues i konservatorëve që kundërshtoi zgjedhjen e Boris Johnson në postin e kryeministrit.

Z. Johnson, i cili mori përsipër postin e kryeministrit të lënë nga Theresa May muajin e kaluar është jopopullor në Skoci dhe kjo ka sjellë pakënaqësi tek skocezët.

Nëse do të kishte një referendum tjetër dhe nëse skocezët do të votonin, kjo do të shënonte tronditjen më të madhe për Mbretërinë e Bashkuar që nga pavarësia irlandeze një shekull më parë.

Skocezët kundërshtuan pavarësinë me 55% në 45% në një referendum në 2014, por një krizë politike tre vjeçare në Londër dhe ndryshimet rreth Brexit kanë tensionuar lidhjet mes shteteve në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar si e tërë votoi 52-48% për të lënë BE në një referendum në vitin 2016: Anglia dhe Uellsi votuan të largohen, por Skocia dhe Irlanda Veriore votuan të qëndrojnë në BE.

Kombet e Britanisë kanë ndarë të njëjtin monark që kur James VI i Skocisë u bë James I i Anglisë në 1603 dhe një bashkim zyrtar krijoi Mbretërinë e Britanisë së Madhe në 1707.

Sot, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlanda Veriore përfshin Anglinë, Irlandën Veriore, Skocinë dhe Uellsin.



Skip to toolbar