Soreca-Metës: Reforma në Drejtësi, e pakthyeshme. Së shpejti ngrejmë SPAK

AKTUALITET


Ndërsa presidenti Meta sulmon Ramën dhe ndërkombëtarët për Reformën në Drejtësi, përgjigjen e merr menjëherë nga ambasadori i BE-së, në Tiranë, Luigi Soreca.

Ai shkruan të mërkurën se Reforma në Drejtësi vazhdon dhe është e pakthyeshme, ndërsa i kujton se fokusi tani është tek ngritja e SPAK dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ambasadori i BE-së bën thirrje që partitë politike, opozita dhe qeveria të nisin sa më parë dialogun për të kapërcyer krizën politike.

“Është koha që qeveria, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në një dialog politik për të kapërcyer situatën aktuale.

Është gjithashtu koha për të ecur përpara me reformat e sundimit të ligjit. Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe është e pakthyeshme. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe sjellja e Gjykatës Kushtetuese në funksionalitetin e saj. Pasi të përfundojë rigorozisht verifikimi i kandidatëve, SPAK do të përmirësojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të jetë në gjendje të sqarojë të gjitha çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë çështjet e zgjedhjeve”, shkruan Soreca në twitter.

Ai nxit prokurorinë në hetimin e  krimeve elektorale por edhe në mbylljen e dosjeve të rëndësishme që lidhen me krimin e organizuar.

“Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë në baza ditore. Prokuroritë duhet të hetojnë çdo formë të pohuar korrupsioni, duke përfshirë krimet elektorale dhe blerjen e votave, në zbatim të legjislacionit ekzistues.

Për të konfirmuar se cikli i drejtësisë penale punon në mënyrë efektive, është gjithashtu e rëndësishme që dënimet përfundimtare të dorëzohen nga gjykatat për aktakuzat e pazgjidhura për rastet serioze të krimit të organizuar”, shkruan ambasadori i BE.

Në përfundim ai kërkon që partitë të nisin sa më parë punën për realizimin e Reformës Zgjedhore si kusht për hapjen e negociatave në tetor, ndërsa garanton mbështetjen e plotë të BE.

“Për më tepër, puna ndërpartiake duhet të rifillojë me shpejtësi për Reformën Zgjedhore.

Të gjitha Institucionet dhe liderët politikë duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në këto objektiva në pikëpamje të vendimit përfundimtar të KE-së në tetori.

BE do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët besojnë fuqishëm në të ardhmen evropiane të vendit të tyre”, shkruan Soreca.

Ambasadori i BE ia bën të qartë presidentit se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas ndërsa i kujton SPAK dhe BKH, dy struktura të rëndësishme që do të merren veçanërisht me politikanët e korruptuar. Një përgjigje kjo për të gjitha akuzat e së martës të presidentit,  i cili akuzonte Ramën se së bashku me një grup diplomatësh kanë bërë përpjekje për një “deep state”, ose krijimin e një shteti paralel, përmes zbatimit ndër të tjera edhe të reformës në drejtësi. Siç duket ndërkombëtarët e kanë seriozisht zbatimin e kësaj reforme ndaj dhe s’ka kthim pas. Deri në tetor Shqipëria duhet të japë prova konkrete që drejtësia funksionon e barabartë për të gjithë.

Soreca gjithashtu i kujton Metës edhe Gjykatën Kushtetuese e cila merr një rëndësi të veçantë, pasi çështjen e parë që do të shqyrtojë do të ketë kërkesa e PS për shkarkimin e Presidentit. Pritet që GJK të ngrihet brenda muajit korrik dhe brenda verës Meta do të jetë një ish-president.



Skip to toolbar