Vasili si Meta, sulmon Sorecën: Po mbyllni sytë

AKTUALITET


Nënkryetari i LSI Petri Vasili sulmoi të dielën Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar deklaratave të ambasadorit se “Gjermania nuk ka vendosur kushte shtesë për negociatat”, Vasili shkruan: “Gjermania thotë kushte, Soreka i përkthen elemente, kush e ngatërroi? Kryesuesi i Delegacionit Europian në Tiranë Soreka dje duke folur në media për Rezolutën e Bundestagut gjerman “çuditërisht u ngatërrua” dhe tha se kushtet e qarta gjermane sipas tij qenkan elemente. Kushtet gjermane janë dhe mbeten të tilla dhe këtë nuk e luan topi”.

“Kushtet gjermane jane dhe mbeten te tilla dhe këtë nuk e luan topi…që disa ndërkombëtarë kanë mbyllur sytë përpara zhbërjes së shtetit të së drejtës, të zgjedhjeve të lira të lulëzimit të krimit, të trafiqeve dhe të parave të pista, janë fakte që nuk i luan as topi”, shkruan ndër të tjera Vasili.


Po çfarë tha Ambasadori Luigi Soreca të shtunën? Ai u shpreh se Gjermania nuk vendosi kushte shtesë: “Çelja zyrtare e negociatave do të ndodhë në këtë konferencë ndërqeveritare. Ndërkohë kemi dhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut, natyrisht janë elementë që janë quajtur kushte të përgjithshme, që janë elementë që duhen përmbushur pikërisht përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave”, është shprehur ambasadori Soreca. Në fakt, Ambasadori Soreca citoi pjesë nga Rezoluta e Bundestagut, që përcakton tre kërkesa kryesore për marrjen e datës për negociatat: Krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore.




Skip to toolbar