“Sorosi nuk ndërhyn në çështje të brendshme të shteteve”

AKTUALITET


George Soros dhe fondacionet e tij nuk ndërhyjnë në çështje të brendshme të shteteve ku veprojnë, ndërsa akuzat e tilla bëhen prej atyre që dështojnë në projektet e tyre politike. Kështu thotë Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, duke komentuar akuzat e fundit në adresë të Sorosit, një miliarder dhe filantrop amerikan me prejardhje hungareze.

Në një intervistë për Koha.net, Shllaku hedh poshtë akuzat që së fundi po u bëhen Sorosit dhe fondacioneve të tij në Shqipëri, ndërsa tregon edhe për rolin që Sorosi ka edhe në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke përmendur disa analiza të publikuara e të mbështetura nga Fondacioni në Prishtinë, që qartë e identifikojnë idenë e ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve si shumë të rrezikshme.

“Sa herë që ndodhin lëvizje të mëdha politike dhe sa herë që kemi fitues dhe humbës potencialë, siç ishte situata me zgjedhjet lokale në Shqipëri, apo edhe në Maqedoni pak më herët, palët që humbin duhet ta arsyetojnë dështimin. Dhe, sipas një rregulli të pashkruar, fajtori kërkohet jashtë tyre. Për të arsyetuar dështimet e tyre kohëve të fundit askush nuk harron ta fajësojë Sorosin, i cili na vjen si forcë pothuajse e mbinatyrshme, që mund t’i drejtojë proceset politike në çdo kënd të botës. E dini se kush janë sot oponentët më të zhurmshëm të Sorosit në botë? Janë Putini, Orbani, Erdogani, Gruevski, Trumpi dhe Berisha. Nuk më kujtohen të tjerët! Shpresoj se nga ky fakt mund të mësojnë shumë ata që duan të gjykojnë drejt për Sorosin”, u shpreh Shllaku.

Sipas tij, në 25 vjet sa ekziston fondacioni “Soros” (KFOS-i) në Kosovë, nuk ka ndodhur që zyra qendrore e New Yorkut apo vetë George Sorosi, që është kryetar i Bordit global të fondacioneve, të përzihet në punët që fondacionet bëjnë në terren. “Se çka do të punojmë, si do të punojmë dhe me kë do të punojmë e përcaktojmë ekskluzivisht ne vetë – Bordi lokal dhe stafi i Fondacionit në secilin vend respektues. Zyra e New Yorkut ka rol ekskluzivisht mbështetës të strategjive që ne vetë i mendojmë. Pra, përveç mjeteve financiare që na sigurohen, nga kjo zyrë mund të kërkojmë edhe ndihmë profesionale për të siguruar realizimin më të suksesshëm të projekteve që i kemi në terren”, u shpreh ai.

Ai foli edhe për rastin e Kosovës, ku është akuzuar se Sorosi mbështet edhe marrëveshjen e përfolur në dialogun e Brukselit për ndarje të Kosovës dhe këmbim territoresh. Madje, një media ka raportuar për një analizë të fondacionit “Soros” në Serbi, në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, në të cilën thuhet se Kosova duhet ndarë, se “Trepça” duhet t’i jepet Serbisë. “E kam parë fatkeqësisht këtë shkrim. Është një trajtim shumë banal i fakteve që ofrohen në të dhe një interpretim edhe më banal i tyre. Autori, duket me qëllim, s’e besoj që mund të jetë aq injorant, ngatërron disa fakte. Pra, Fondacioni nuk e ka shkruar këtë analizë, por e ka financuar si qindra të tjera që i bën çdo vit”, deklaroi ai.

Koha.net pyet se Alex Soros ka qëndruar në Kosovë po edhe në Serbi? Ka pasur takime me përfaqësues të shtetit dhe politikanë në Prishtinë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai ka ndonjë rol në këtë proces?

“Sa i përket ardhjes së zotit Alex Soros në Prishtinë, mund t’ju them se ai na ka vizituar dy herë vitin e kaluar. Ka takuar të gjithë liderët politikë, presidentin, kryeministrin. Ishte shumë i entuziazmuar gjatë takimeve me politikanët e rinj në Kosovë, ata që sot janë në pozita udhëheqëse në partitë politike ku përkasin. Të gjithë njëzëri ia thanë se janë kundër ndarjes apo këmbimit të territorit. Komenti i tij për këtë takim, që mund të gjendet në faqen e tij në Instagram, ishte se Kosova e ka një brez të ri të politikanëve brilant, që s’e kam parë në vendet e tjera përreth. E tash më thoni, si mund të ndodhë që zoti Soros po i pëlqen ata që njëzëri janë kundër ndarjes? Si mundet zoti Soros të financojë analizat që i mbështet fondacioni i tij në Kosovë, që të gjitha, pa përjashtim, konstatojnë se ndarja është opsion i rrezikshëm”, deklaroi Shllaku, duke shtuar synim i vetëm i fondacioneve “Soros” në rajon dhe i zotit Soros personalisht është që ta ndihmojnë rajonin duke e forcuar shoqërinë civile në të, si dhe të gjitha iniciativat që dalin nga organizata dhe individë kreativë, për ta avancuar nivelin e demokracisë në këto vende.
Pra, një qëllim të vetëm e kemi ne si fondacion dhe zoti Soros, babai dhe i biri, që është: të ndihmojmë të gjitha iniciativat e kosovarëve për të ndërtuar një shtet më të drejtë dhe më të begatshëm”, përfundoi ai.



Skip to toolbar