Të premten në orën 11:00, është thirrur mbledhja e parë e këshillit të ri bashkiak në Bashkinë e Devollit, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në fakt, kjo mbledhje nuk do të jetë thjesht një konstituim i natyrshëm i ‘parlamentit’ të ri lokal në Bashkinë e Devollit dhe kryetarit të ri të sapo zgjedhur Eduard Duro, por ajo do të jetë prova e parë e forcës e opozitës, që ka deklaruar se “kryetarët e bashkive të PD-së nuk do t`i lirojnë zyrat”. Deri më sot, bashkia e Devollit është qeverisur nga Bledjon Nallbati, i zgjedhur katër vite më parë si kryetar nën siglën e Partisë Demokratike. Tashmë, Nallbatit i duhet të lërë zyrën për pasardhësin e tij, Eduard Duro, që fitoi bashkinë në 30 qershor.
Mirëpo Partia Demokratike ka deklaruar se “nuk i njeh zgjedhjet”, e për rrjedhojë, “zyrat e kryetarëve të bashkive që ka qeverisur për katër vjet, do të lirohen vetëm kur të zgjidhen kryetar të dalë nga zgjedhje të lira”, pretendon opozita. Ky është qëndrimi zyrtar që kanë mbajtur jo vetëm kryetarët e këtyre bashkive, që deri më tani janë qeverisur nga PD, por edhe i vetë Lulzim Bashës. Ndërkohë, Realstory.al pyeti kryetarin e ri të Bashkisë Devoll, Eduard Duro, rreth konstituimit të këshillit bashkiak dhe betimit të tij si kryetar i Devollit të premten në orën 11:00.
Duro u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë incident apo indicie për incident nga PD dhe kryetari aktual i Bashkisë Devoll, për të penguar marrjen e detyrës nga i zgjedhuri i PS. “Nesër në orën 11:00 do të mblidhet këshilli bashkiak. Pasi të bëhet konstituimi do bëj dhe unë betimin si kryetar i Bashkisë Devoll. Nuk ka pasur deri tani ndonjë indicie apo problem për marrjen e detyrës, megjithatë të shohim se çfarë do të ndodhë të premten. Të pranishëm në betimin tim do të jenë deputetë e PS për qarkun e Korçës dhe prefekti”, tha shkurtimisht Eduard Duro për Realstory.al.
Ndërkohë, Partia Demokratike edhe pse është zotuar publikisht se do pengojë marrjen e detyrës nga të zgjedhurit e rinj, të paktën në bashkitë që katër vitet e fundit janë drejtuar nga demokratët, nuk ka folur për asnjë plan se si do e realizojë këtë në terren. Në krahun tjetër, PD është duke vijuar “luftën” e saj për të “mos njohur zgjedhjet”, duke kërkuar nga gjykatat në vend që të mos miratojnë mandatet e të zgjedhurve të 30 qershorit.
Megjithatë, deri tani, KQZ dhe Kolgji Zgjedhor, pasuar dhe gjykatat e shkallëve të para, kanë miratuar pothuajse çdo kërkesë për mandatet e kryetarëve dhe të këshillave në bashkitë e vendit, duke i hapur rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve, pra marrjes zyrtare të detyrës nga bashkiakët e rinj. Dhe fillimi i fundit të këtij procesi do të fillojë të premten në orën 11:00 në Bashkinë Devoll, dhe pritet të përfundojë të paktën deri në datën 12 korrik. Ajo që mbetet ende për t`u parë, është reagimi i Partisë Demokratike. Prova e parë e rezictencës ose jo, do të fillojë të premten në Devoll.