Lamtumira për Xhevdet Ferrin, dedikimi i së bijës

AKTUALITET


Aktori Xhevdet Ferri u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një beteje gati prej dy vitesh me një sëmundje të rëndë. Arti dhe kultura u tronditen nga një tjetër humbje, ndërkohë që dhimbja përfshiu gjithë adhuruesit e artit të aktorit të dhjetëra roleve të spikatura.

Ndërkohë që aktori përcillet sot në banesën e fundit, e bija e tij, Bora Feri, ka ndarë në rrjetin social, një foto bardhë e zi me të atin, me një dedikim shumë domethënës.

“O Captain! My Captain!”, shkruan Bora poshtë fotos ku pozojnë të dy. Thirrja është pjesë e poemës së njohur të Walt Whitman, shkruar në 1865-ën, për kapitenin që vdes kur anija e tij ka arritur në fund të një udhëtimi mes stuhisë dhe rrezikut dhe ishte dedikim për presidentin amerikan Abraham Lincoln. Bora prej pak kohësh është bërë nënë, ndërkohë që aktori gëzoi për pak kohë kënaqësinë e të qenit gjysh.

I njohur për rolet e tij protagoniste, Ferri e nisi karrierën e tij kur ishte ende student në Akademinë e Arteve, në degën e Dramës. Pas diplomimit në vitin 1982, ai mbeti si pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në këtë Akademi. E vazhdoi më tej karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie.

Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër dhe në kinema për herë të fundit publiku mundi ta shikonte në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Ka qenë i pranishëm edhe me rolet në teatër, edhe pse suksesin më të madh e arriti me filmin artistik. Ferri, përveç kontributit të çmuar si aktor, ka pasur edhe pozicione si ish-kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (1997-1998 dhe 2005-2009) apo ish-anëtar i Këshillit Miratues të Projekteve, ku mundi të tregojë edhe një herë përkushtimin e tij, për ta çuar filmin shqiptar në një tjetër nivel.

Në vitet 1999- 2001, Ferri ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vitin 2004 ishte një nga bashkëthemeluesit e Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, duke qenë edhe kryetari i parë i kësaj shoqate. Krahas kontributit të tij të madh në fushën e artit e kulturës, Ferri ka qenë edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor në vitet e trazuara 1996-1997. Homazhet për ndarjen nga jeta të aktorit do të mbahen nesër në orën 13:00, ceremonia e përcjelljes do të jetë familjare.



Skip to toolbar