Biznesmeni Shefqet Kastrati është solidarizuar me tragjedinë nga tërmeti që goditi Shqipërinë duke dhuruar 1.5 milionë euro për familjet e prekura në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Kastrati shprehet se është i tronditur nga ngjarja e rëndë , ndërsa ka dhënë urdhër që të mos merret asnjë qindarkë nga askush që kalon në Rrugën e Kombit për ndihmë, rrugë të cilën kompania e tij ka koncesionin. Biznesmeni gjithashtu bën thirrje që kushto që ka mundësinë të ndihmojë në këtë çast nevoje e tragjedie për Shqipërinë.
“Tragjedia Shqiptare më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, bashkë me vëllezërit e mi. Jemi munduar të ndihmojmë e të lehtësojmë sa mundemi këto ditë. Si gjithnjë – pa zhurmë. E kam dhënë në çast urdhrin e mos marrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë.
Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: “Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!”. Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak.
Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka! Ngushëllime familjarëve që humbën njerëz në këtë katastrofë dhe Zoti i Madh qoftë me Shqipërinë e plagosur” deklaron Kastrati.
