“Dhuroni para për tërmetin në llogari bankare”, arrestohet mashtruesi nga Lezha

AKTUALITET


Tragjedia shkatërrimtare që la pas tërmeti, veç solidarizimit të pashembullt, po shfrytëzohet edhe nga dashakeqës. Shumë shoqata dhe organizata kanë hapur numra llogarie për të mbledhur fonde, që do të përdoren për të ndihmuar personat e prekur nga tërmeti. Megjithatë, këtë situatë e ka shfrytëzuar për qëllime përfitimi edhe një 30-vjeçar nga Lezha. Bëhet fjalë për shtetasin Arjan Meli, që kishte hapur një profil me emrin “Rilindje” në Facebook, ku kishte postuar një njoftim të Kryeministrit Edi Rama ku kërkonte ndihma financiare.

Por, numrat e llogarive bankare të vendosura në postim ishin numra personal të këtij shtetasi, duke bërë që paratë që qytetarët të binin preh e mashtrimit të këtij shtetasi, i cili do të përfitonte shumë financiare duke shfrytëzuar tërmetin. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.


“Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore.Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.

Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112”, tha në një deklaratë për shtyp zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.




Skip to toolbar