Sot ‘Open Balkan’ në Tiranë, Berisha i pret me protestë

Më të fundit


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të jenë sot dhe nesër në Tiranë, në kuadër të samitit për nismën ‘Open Balkan’.

Pavarësisht thirrjeve të-ish kryeministrit Sali Berisha për protesta, duket se samiti do të vazhdojë sipas planit, me seancën plenare ditën e hënë, ku do të marrin pjesë edhe krerët e tre vendeve pjesëmarrëse.

Mësohet se punimet do të zhvillohen në ambientet e Hotel MacAlbania (ish-Sheraton) në qendër të Tiranës dhe do të fillojnë në orën 10.00. Ditën e martë, pasdite do të ketë edhe një konference për shtyp të kryeministrit Edi Rama, presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Zaev do të shoqërohet nga zv.ministri i Financave maqedonas, i cili në ditët e para të Janarit pritet të zëvendësojë Zaev në detyrën e Kryeministrit. Kësisoj duket se vazhdimësia e mbështetjes maqedonase për Ballkanin e Hapur do të  ekzistojë edhe pse kreu i qeverisë pritet të zëvendësohet shpejt.

Nga ana tjetër, Sali Berisha ka paralajmëruar protestë kundër  ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe grumbullimi do të nisë selinë Blu në orën 16:00, e më pas do të drejtohen në Kryeministri.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës ‘Open Balkan’ u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet. Për 3 drejtuesit e 3 vendeve “Open Balkan” është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët.

Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.



Skip to toolbar