SPAK ka dorëzuar sot pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjykim të çështjes penale me të pandehur Eduart Kapri, ish-Kryetar i Bashkisë Pogradec, Besjan Meço, jurist i Bashkisë, dhe Besmira Niko, specialistë në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Të tre ata akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim, sipas Kodit Penal. Kjo procedurë penale është regjistruar mbi bazën e provave të mbledhura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë.
Sipas hetimeve, Eduart Kapri, në rolin e tij si Kryetar i Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, kanë lejuar ndërtimin e një objekti 14 katësh nga shoqëria “Gedi sh.p.k.”, e cila ka si administrator vëllain e tij, Gëzim Kapri. Ky ndërtim u lejua në shkelje të ligjeve të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, duke krijuar përfitime të padrejta për shoqërinë ndërtuese.
Në vitin 2009, “Gedi sh.p.k.” kishte marrë një leje ndërtimi për një kompleks banimi, por kërkesa për zgjatjen e afatit të saj u refuzua. Pavarësisht kësaj, Eduart Kapri miratoi një vendim për të vazhduar ndërtimin, duke shkelur vendimin e Gjykatës Administrative. Ky rast nënvizon shqetësimet për korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës në nivel lokal.
“Në përfundim të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe pas analizës ligjore të kryer, rezulton se është dokumentuar fakti penal, se me veprimet dhe mosveprimet e tij, shtetasi Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., (me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri), në qytetin e Pogradecit.
Rezulton se në vitin 2009, subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e Objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec. Në atë kohë administrator i shoqërisë Gedi sh.p.k., ishte shtetasi Eduart Kapri.
Në kushtet kur Bashkia Pogradec, i’a kishte refuzuar zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi, për shkak se afati për përfundimin e punimeve ishte data 09.12.2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar me shkrim në datë 05.11.2014 (jashtë afateve ligjore ta parashikuara nga ligji 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe kur çështja ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kryetari i Bashkisë Pogradec, tashmë shtetasi Eduart Kapri, me vendimin nr. 99, datë 31.03.2016, me objekt “Leje për rishikim të kushteve të lejes”, lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e një objekti 14 katësh, në rrugën “Reshit Çollaku”, Pogradec, nga shoqëria ndërtuese “Gedi” sh.p.k, me administrator vëllain e tij, shtetasin Gëzim Kapri”, thuhet në dosje.