Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar nisi të premten zyrtarisht punën. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi prezantoi përpara prokurorëve të SPAK kryetarin e këtij institucioni, Arben Kraja. Ibrahimi e quajti moment historik krijimin e SPAK, ndërsa tha se pritshmëritë hetimore nga ky institucion janë të mëdha.
“SPAK është një akronim që tashmë edhe fëmijët e kanë mësuar. Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un”, tha Ibrahimi.
Arben Kraja nuk foli gjatë, megjithatë mesazhi i tij ishte i rëndësishëm. Ai tha se “Kemi shumë punë për të bërë, nuk dua ta zgjas. Falenderoj KLP-në për procesin transparent. I falenderoj edhe ata që votuan për mua edhe ata që votuan për të tjerët. Bashkë me Dumanin dhe Kondilin do të bëjmë një skuadër të fortë. Koha është për punë, jo për llafe. Kemi shumë punë për të bërë”, tha Kraja.
SPAK përbëhet aktualisht nga tetë prokurorë, Arben Kraja që do të jetë drejtuesi i këtij institucioni në tre vitet e ardhshme, Altin Dumani, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi janë tetë prokurorët e parë të SPAK. Megjithatë, sipas një njoftimi të mërhershëm të kreut të KLP, Gent Ibrahimi tha se ky institucion do të ketë më shumë se 10 prokurorë.