Senati konfirmon Yuri Kim, brenda janarit në Tiranë

AKTUALITET


Senati amerikan ka konfirmuar të enjten diplomaten Yuri Kim si ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë. Pas votës së senatit pritet që Kim të vijë në Tiranë brenda muajit janar. Vetëm pak kohë më herët  e përzgjedhura e Presidentit të SHBA Donald Trump për ambasadore në Shqipëri, foli me superlativa për shqiptarët, si një nga popujt më pro amerikanë në botë. Yuri Kim tha se sondazhet tregojnë se shqiptarët janë ndër mbështetësit më të mëdhenj në botë, ndaj dhe SHBA duhet t’i mbajë afër.

“Pak miq kanë përqafuar ngrohtë SHBA. Sondazh pas sondazhi tregohet se mbështetja shqiptare për Shtetet e Bashkuara mbetet ndër më të lartat në botë. Pak aleatë kanë qenë kaq besnikë. Trupat shqiptare kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnje.  Dhe pak partnerë janë po aq të gatshëm të bëjnë më shumë me Shtetet e Bashkuara.


Ne kemi një mik të fortë dhe besnik si Shqipëria, dhe është e domosdoshme që të mbajmë miq si Shqipëria pranë nesh, veçanërisht përballë sfidave strategjike për interesat, vlerat dhe institucionet tona të përbashkëta”, u shpreh Yuri Kim, në seancën dëgjimore para Komisionit të Jashtëm të senatit ku ndër të tjera theksoi se do të nxisë udhëheqësit në Shqipëri që të zgjidhin dhe tejkalojnë krizën politike dhe të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

 Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024. Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor./realstory.al




Skip to toolbar