SPAK, gati në tetor. Ibrahimi i jep lajmin e mirë

AKTUALITET


Gjermania por jo vetëm, i gjithë faktori ndërkombëtar, është në pritje të ngritjes së SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë, dhe veçanërisht në pritje të rezultateve konkrete që do të japin këto institucione në luftën kundër korrupsionit në  nivelet e larta të shtetit. Gjatë ditës së martë, Christian Lange, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Drejtësisë ka zhvilluar një takim me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili ka deklaruar se SPAK do të jetë gati në muajin tetor.

I pranishëm në takim, ishte edhe ambasadori gjerman Peter Zingraf. Takimi u fokusua tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve te reja, SPAK dhe BKH

“Për 9 muaj, KLP ka menaxhuar mjaft procese sfiduese si ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.  Në javët në vijim, KLP duhet të marr një vendim për sa i përket numrin e prokurorëve me të cilët mund të ngrihet SPAK. Besoj se Tetori do të gjej vendin me SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë Christian Lange, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Drejtësisë tha se “Lufta kundër korrupsionit është kushti dhe prioriteti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Gjatë takime që zhvilloi gjatë të hënës me kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, si dhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Lange vlerësoi ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi në Shqipëri duke cilësuar atë një proces unik që do të forcojë më tej shtetin e së drejtës.

“Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj”, është shprehur Lange.

Deklarata e tij në mbështetje të ecurisë së deritanishme të reformës në drejtësi është edhe një përgjigje ndaj akuzave dhe sulmeve që i janë bërë kësaj reforme nga përfaqësues të opozitës dhe veçanërisht nga presidenti Meta. Ndërsa Meta e cilëson reformën të kapur, zyrtari i lartë gjerman e shikon atë si një proces unik që do të forcojë më tej shtetin ligjor në Shqipëri./realstory.al



Skip to toolbar