Mediat italiane raportojnë se në një parking në Genova të Italisë është gjendur i plagosur me një plagë të thellë në kokë një 20 vjeçar shqiptar. Ai dyshohet se është student pasi është gjetur pranë një çantë me libra fizike dhe matematike. I plagosuri u zbulua në një pellg gjaku, nga një grua e cila po kalonte në parking. Ajo ka dhënë alarmin duke njoftuar policinë dhe ambulancën.
Kur kanë mbërritur forcat policore dhe ndihma e shpejtë u konstatua se i riu kishte ndërruar jetë si pasojë e plagës së thellë që kishte në kokë.
Fillimisht policia dyshoi se behej fjalë për një vetëvrasje, pasi u mendua se i riu mund të ishte hedhur nga një lartësi prej së paku 4-5 metrash.
Ndonëse kjo vijon të mbetet një hipotezë, policia thotë se dyshon më fort për një vdekje aksidentale.
Nga këqyrja në vendin e ngjarjes, dyshohet se i riu të ketë rënë nga lartësia edhe pse ka tentuar te mbahej.
Megjithatë policia nuk ka dalë ende me një version zyrtar për ngjarjen e rende ndërsa nuk është përjashtuar dhe pista e vrasjes. Ndërkaq emri i tij nuk është bërë i ditur nga policia italiane.


