“S’ua pa njeri hajrin, por sherrin”/ Rama për bashkitë demokrate: Shkodra ‘dergjet’ nga plehrat

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral në Peqin, ironizoi opozitën dhe kandidatët e saj. Kreu i socialistëve tha se zgjedhjet e 14 majit janë më të rëndësishme se sa zgjedhjet lokale, pasi janë për të ardhmen. Po ashtu ai nuk nguroi që të krahasonte kandidatin e tij socialist me një kalë që do të duhej të tërhiqte një karrocë.

Po ashtu Rama u ndal dhe te bashkitë që drejtohen nga demokratët, si ajo e Shkodrës, që sipas tij dergjet në plehra. Ndërkohë, për bashkinë e Tropojës ai tha se ishte marrë nga socialistët për shkak të bojkotit të demokratëve në zgjedhjet e 2019-ë.

“Qytetarët e këtij vendi, nga veriu në jug, të votojnë kandidatët tanë më 14 maj. S’besoj se është nevoja të them shumë fjalë për kandidatin tonë, Roshin. Ju e njihni, ai është prodhim bio i Peqinit. ka lindur dhe është rritur këtu dhe ka punuar këtu. Roshi e ka pasur dhe drejtimin e një institucioni të rëndësishëm në një moment delikat kur kemi bërë atë reformë të rëndësishme në sektorin e energjisë. Ia ka dalë që të bëjë atë që duhet dhe të fitojë respektin e duhur. Zgjedhjet e 14 majit, për hir të së vërtetës shkon përtej kandidatëve. Është zgjedhje për të ardhmen, për marrëdhëniet mes pushtetit vendor dhe qeverisë. Asnjë komunitet nuk do të mund të shkojë përpara siç dëshiron. E kemi parë në të gjithë rrugëtimin tonë të këtyre viteve, se sa e vështirë bëhet për bashkitë, komunitetet, kur drejtimi i tyre është në duart e atyre që për hir të së vërtetës, që nga 92-shi, asnjëherë, askund, kur iu është dhënë besimi i njerëzve, s’kanë mundur që të bëjnë një ndryshim që sot të tregojnë se sa mirë e kanë bërë.

Atje ku kanë drejtuar, komuniteti s’ua ka parë hajrin, por sherrin, probleme dhe degradim. Shembulli i saj është Shkodra, e cila që nga 92, drejtohet prej tyre. Një qytet i bekuar si asnjë tjetër, që i ka pasuritë e dhuruara nga zoti pa asnjë hesap, që nga Alpet, deri te deti nën këmbë. Por është bashkia me papastërti të madhe. Ndërsa një shembull tjetër për dallimin e madh kur vota e komunitetit shkon andej ose vjen këtej, është Tropoja. Edhe në këtë qytet, deri në 2019-ën s’patëm shansin që të drejtonim aty.Në 2019-ën për shkak të bojkotit e morëm Tropojën për ta drejtuar ne. Për Tropojën, është bërë falë dhe me mbështetjen e qeverisë, më shumë se 44 vitet e mbledhura bashkë. Ne dimë se si mund t’i ndryshojmë qytetet. Sot jemi në momentin e rritjes së pagave. Mësuesit, mjekët, infermierët, kanë filluar të marrin pagat e rritura, që do të rriten deri në vijim, ku paga mesatare do të shkojë deri në 900 euro.”, tha Rama.



Skip to toolbar