Sukseset e njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës, po japin frytet e veta për të bindur elementë cilësore që t’i bashkohen grupit të drejtuar nga Bernard Shaland. Edhe ata futbollistë të cilët disa vite më parë refuzuan mundësinë që t’i bashkoheshin Kosovës, tashmë duket se duan të përfitojnë nga suksesi dhe marketingu i saj.
Kështu është rastri i Neçip Ujsal, zëvendës kapitenit të Beshiktashit, me origjinë nga Kosova. Disa vite më parë, ai nisi negociatat me Federatën e Kosovës, duke kërkuar që të vishte fanellën e saj, ndërsa më parë kishte “flirtuar” edhe me përfaqësuesen kuqezi. Por në fund, ai i tha jo skuadrës që drejtohej nga Albert Bunjaku, pasi kjo e fundit filloi të koleksiononte disa rezultate negative radhazi.
Gjithçka ka ndryshuar me serinë e fitoreve dhe vlerësimet për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Tani 28-vjeçari Ujsal, i cili aktivizohet si qendërmbrojtës, por edhe si mesfushor me tipare mbrojtëse, është gati t’i bashkohet ekipit të Shaland dhe sipas mediave kosovare, ka filluar plotësimin e dokumentacionit për të qenë pjesë e saj që në ndeshjet e tetorit.