Pas sulmeve me molotov në Dibër, ka reaguar Presidenti Meta, duke kërkuar të ruhet qetësia dhe të respektohet e drejta për të votuar për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithsecilit gjatë ditës së nesërme. Ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithsecilit!”, deklaroi Meta. Presidenti deklaron se 30 qershori është me rëndësi që të kalojë i qetë, ndërsa ka bërë thirrje që të shmangen provokimet, ashtu siç pretendon opozita, e cila disa herë ka pretenduar se protestuesit po provokohen nga policia.
“E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka nesër ruajtja e paqes sociale. Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë. Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, deklaron Meta në reagimin e tij. Edhe më herët, Meta ka bërë një tjetër thirrje ndaj qytetarëve që mos të ketë konfrontime gjatë ditës së zgjedhjeve, duke pranuar kështu 30 qershorin, pavarësisht se nxori dy dekrete kundër kësaj date, tashmë të njohur dhe nga ndërkombëtarët.