Sulm molotov, ndalohet kryedemokrati dibran

AKTUALITET


Sulmet me molotov në KZAZ-në e Dibrës kanë çuar në ndalimin e nënkryetarit të degës së PD në këtë bashki. Policia e Dibrës deklaroi se ndalimi i Korab Muçës, 30 vjeç është kryer pasi ishte shpallur në kërkim për protestën e zhvilluar më 28 qershor pranë KZAZ-së numër 19, në Dibër.

Sipas policisë, ai është kapur në doganën e Bllatës. Gjatë protestës së militantëve të PD pati përplasje të ashpra mes policisë dhe mbështetësve të opozitës, të cilët goditën uniformat blu me molotov, sulm nga i cili mbetën të plagosur disa punonjës policie.

Militantët e PD tentuan të çanin kordonin e policisë për t’u futur brenda KZAZ-së dhe për të djegur materialet zgjedhore, por u shpërndanë nga policia me gaz lotsjellës.

Pas kësaj proteste, policia ndërmori një aksion të gjerë, duke arrestuar disa persona në Dibër, i cili vijoi deri të shtunën, por Muça kishte arritur t’i shpëtonte policisë, deri të hënën kur u ndalua nga policia.



Skip to toolbar