Deputeti Ervin Bushati tha në News24, se ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, po sulmohet, pasi është një ndër personat kyç të Reformës në Drejtësi. “Ministrja Gjonaj është përgjigjur në mënyrë dinjitoze, nuk kam përgjigje. Mund të kishte ngritur shumë padi të tjerë, por i ka dhënë këtë përgjigje. Presidenti nuk është koherent. Nuk ka pse i hyn detajeve të merret me ministren, kur merret me Gjykatën Kushtetuese, kështu ai zhvlerëson qëllimin e tij. Më vonë ai mund të kalojë edhe te një drejtor, te një deputet, dhe kjo nuk është serioze”, tha Bushati.
Ndërsa, për gjuhën e ashpër të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, e cila e quajti ministren një “halabake rrugësh”, deputeti theksoi se një gjuhë e tillë nuk duhet të ekzistojë për politikanët.
“E kam thënë dhe unë njëherë termin “Beslëidhja e re”, ndaj dhe i bie ta quajmë falsifikator edhe Presidentin. Do doja të dija qëndrimin zyrtarë të opozitës për këtë çështje. E tha dhe vetë që nuk është dinjitoze të flasësh me atë gjuhë, ndaj dhe nuk kam pse ta komentoj. Gjonaj bën detyrën e saj, është një nga personat kyç të Reformës në Drejtësi, ndaj dhe goditet më shumë. Reforma në Drejtësi është e paprecedentë, fëmijët tanë do ndihen krenarë, sepse është një nga reformat më të thella që ka parë bota.
Jemi i vetmi vend në botë që e kemi në Kushtetutë Komisionin Ndërkombëtar të Monitorimit, kemi një trup të huaj ndërkombëtare që veton gjyqtarët e prokurorët, dhe këtë e kemi bërë me vetëdije të plotë. Pra, Reforma në drejtësi është arma jonë më e fortë, patjetër që do të kishte sulme. Më vjen keq që në këtë rast i takon një zonje të nderuar dhe të suksesshme, sa i përket punës. Më vjen keq që përdoren këto terma, që s’duhet të jenë fare terma të politikanit”, u shpreh deputeti i PS.