“Kushtetuesja” në Real Story: Të gjithë e kanë fajin

POLITIKË


Ngërçi i ndodhur në Gjykatën Kushtetuese solli debate në studion e emisionit “Real Story”. Analisti Skënder Minxhozi tha se për këtë situatë të gjithë e kanë fajin dhe i gjithë ky ngërç politike vjen si pasojë e mos komunikimit total të institucioneve.

“Republika është tërësisht në drejtim të paditur. Dhe të flasësh sot për procedurë është absurde. Situata e sotme tregon se çfarë lëmshi shqiptarët arrijnë të prodhojnë në një shtet mbi 100 vjeç. Për mendimin tim në rastin e Gjykatës Kushtetuese Presidenti është vendosur në një lojë bllokuese indirekte. Për mua është i paragjykuar se do ta bllokojë për të shmangur shkarkimin e tij. Topi hidhet sa tek Presidenti, Kuvendi, KED, kjo tregon se ka një mos komunikim total mes palëve dhe institucioneve” tha Minxhozi.


Ndërsa për analistin Arion Sulo, Presidenti ka qenë i paragjykuar nga KED në lidhje me listat për zgjedhjet e anëtarëve të Kushtetueses. Sulo tha se Meta është paragjykuar nga maxhoranca dhe KED, duke u nisur nga fakti se ka gjasa që kreu i shtetit të mos jetë dashamirës ndaj reformës në drejtësi.

“Procesi është paragjykuar nga të gjithë. Ne na lejohet që të paragjykojmë këdo, por nuk i lejohet palëve që të paragjykojnë njëra tjetrën. Paragjykimi i parë është bërë nga vetë KED që i ka çuar dy lista njëherësh pasi Meta është i paragjykuar të bllokojë Kushtetuesen dhe Reformën në Drejtësi. Ky është paragjykimi i parë politik. Paragjykimi i dytë ishte se po t’i çonin listat njëra pas tjetrës ai do të zgjidhte Xhaferllarin. Kanë tentuar t’i imponojnë presidentit zgjedhjen” tha Sulo.




Skip to toolbar