Tabaku shtyn Integrimin për “Salianjin”/ Mbledhja ishte parashikuar këtë të premte

Më të fundit


Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku ka shtyrë mbledhjen e parashikuar këtë të premte për shkak të çështjes së Ervin Salianjit, i dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Gazetarja e ABC News, Fiona Xhafaj raportoi live se: “Një tjetër zhvillim është edhe shtyrja e komisionit për çështjet evropiane që ishte caktuar për ditën e sotme. Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku për shkak të çështjes së Salianjit ka vendosur që të mos diskutojë sot për çështjen e integrimit”.

Sakaq, më herët gazetarja Xhafaj raportoi se Këshilli i Mandateve refuzoi kërkesën e PD-së për mbledhjen urgjente, dhe në këtë mënyrë, vendimi për deputetin do të zbatohet automatikisht.

Prokuroria e Tiranës caktoi mëngjesin e së premtes me short prokuroren që do t’i kërkojë policisë ekzekutimin e vendimit të gjykatës së Apelit, e cila një ditë më parë la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 1 vit burg deputetin demokrat në lidhje me dosjen “Babale”.

Një ditë më parë, Salianji tha se do të shkojë vetë në polici, ndërkohë që selia blu, në një vendim të marrë mbrëmë vonë, ka deklaruar se do të përshkallëzojë aksionin dhe protestat./



Skip to toolbar