Gjykata e Durrësit ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për zëvendës drejtorin e Kadastrës në këtë qytet, Arben Isaku. Një ditë më parë, Isaku u vetëdorëzua në polici, pasi ishte shpallur në kërkim për falsifikimin e lejeve të legalizimit, shpërdorim detyre dhe mitmarrje. Këto akuza ishin ngritur nga Prokuroria e Durrësit, së bashku dhe ndaj specialistit të kadastrës Flavio Rexha.
Skema e abuzimit të tyre me ligjin doli në pah falë operacionit anti-informalitet. Më 10 gusht Policia ndaloi R.K., 27 vjeç, ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës ndërsa në kërkim u shpallën zëvendës drejtori i kadastrës dhe specialisti i agjencisë të cilët u dorëzuan vetë në polici.
Sipas hetimeve të policisë personat në fjalë kishin pajisur me leje legalizimi të falsifikuar Xh.N., 29 vjeç, banues në Durrës dhe E.S., 39 vjeç, banues në Berat për një sipërfaqe 123 metra katror dhe truall 500 metra katror në zonën e plazhit.