Ceferin në Tiranë, nga takimi me Ramën tek inaugurimi i stadiumit

Presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin ndodhet të dielën në Tiranë për inaugurimin e “Air Albania Stadium”, ku dhe do të zhvillohet ndeshja Shqipëri-Francë. Në axhendën e zbardhur nga Federata Shqiptare e Futbollit, Ceferin ka një ditë të ngjeshur me takime, ku do të pritet nga Kryeministri Edi Rama, presidenti i FSHF, Armand Duka, do të ketë një drekë zyrtare në pallatin mbretëror, më pas do të dekorohet nga presidenti Ilir Meta.

Ceferin dhe delegacioni i tij do të takohet me kryeministrin Edi Rama në orën 12:30. Gjysmë ore më vonë, Ceferin, i shoqëruar nga Armand Duka, kreu i FSHF-së, do të zhvillojnë një vizitë në stadium.

Në orën 14:00 do të shtrohet një drekë zyrtare për të ftuarit e UEFA-s dhe FIFA-s në Pallatin Mbretëror.

Aleksander Ceferin do të dekorohet nga presidenti Ilir Meta. Ceremonia do të zhvillohet në 18:00-18:30.

Në 18:40 do të zhvillohet një vizitë në muzeun e stadiumit.

Duka dhe Ceferin do të dalin në një konferencë për shtyp në orën 19:00-19:30.

Ndërkohë, në ceremoninë inauguruese të stadiumit, në orën 19:40-20:20, Duka, Ceferin dhe Rama do të mbajnë fjalime.

‘Shqiponjat’ presin sot ‘Gjelat’ në “Air Albania Stadium”

Ndeshja e sotme Shqipëri-Francë, kualifikuese për Euro 2020 do të jetë edhe ndeshja inauguruese e stadiumit të ri në vend ‘Air Albania Stadium”. Ndeshja do luhet në orën 20:45 dhe më shumë se sa për rezultatin e kuqezinjve për kualifikim, ku shpresat u shuan që në Turqi, pritet që ato të zhvillojnë një lojë të bukur për ta nisur me këmbë të mbarë stadiumin e ri dhe shtëpinë e re të “shqiponjave”. Ndeshja nuk pritet të jetë aspak e lehtë ku përballë janë “Gjelat”, kampionët e botës.

Për zhvillimin e ndeshjes janë marrë masa të rrepta sigurie nga policia, ndërsa vetë kryeministri Rama, një ditë më parë u kërkoi kuqezinjve “të jepnin jetën në stadium” edhe pse rezultati nuk kishte shumë rëndësi.

Në ceremoninë e inaugurimit të stadiumit do marrin pjesë edhe disa nga emrat më të mirë të skenës shqiptare ku Juliana Pasha do këndojë himnin e Shqipërisë, Besa Kokëdhima do këndojë himnin e Francës, ndërsa Era Istrefi dhe Flori Mumajesi do këndojnë në ceremoninë e hapjes. Ndërkohë që 460 fëmijë do të shpalosin një koreografi të veçantë në stadium.

Duka “toleron” Braçen: Qemal Stafa “mbetet” në stadium

Qemal Stafa “mbetet” brenda në stadium. Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar emrin e ri të stadiumit kombëtar “Air Albania Stadium”, ndërsa nuk ka harruar të vendosë brenda saj emrat e personaliteteve të historisë dhe futbollit shqiptar. Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Qendrës Sportive Kuqezi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin pikërisht emrat e këtyre personaliteteve.

Përmes një njoftimi, FSHF tha se Tribuna qendrore do të emërtohet “Tribuna Qemal Stafa”, Tribuna Lindore(Ballore) do të emërtohet “Tribuna Panajot Pano”, Tribuna Veriore do të emërtohet “Tribuna Fatmir Frashëri” dhe Tribuna Jugore do të emërtohet “Tribuna Vasillaq Zëri”.

“Në këtë mënyrë jo vetëm respektohen këto personalitete të shquar, por edhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër” njofton FSHF.

Emri i ri të stadiumit “Air Albania” dhe largimi i emrit të vjetër “Qemal Stafa” solli një përplasje mes zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Duket se kjo ka sjellë edhe “tolerimin” nga ana e Dukës, i cili vendosi që personalitetet e shquara t’i mbante brenda stadiumit përmes Tribunave.

Pak ditë më parë, Braçe me një reagim të ashpër tha se Duka nuk ka si të njoh heroin Qemal Stafa, pasi ai ka “paranë” heroinën e kombit, dhe njeh vetëm kultin e parave. Vetë Duka nuk ka hezituar t’i japë përgjigje me ironi duke thënë se nëse do të paguante ai, stadiumi mund të mbante edhe emrin e tij.

“Nëse do flisja me mendimin e karriges, do flisja ndryshe. Komercializimi është gjëja më optimale e mundshme. Nuk dua të bëj replikë me asnjë. Në kushtet që jemi, ky stadium është ndërtuar me donacion nga UEFA. Është një model që e ndjek e gjithë Europa. Edhe unë mund ta doja që të ishte një emër sportisti, por jemi të detyruar se kemi nevojë për burime financiare. Nëse zëvendëskryeministri flet nga karrigia, mund të hedhë ato lekë dhe ne i vëmë emrin e tij”, është shprehur Duka.

FSHF bëri të ditur se u pranua oferta e kompanisë ajrore Air Albania Shpk për të mirëmbajtur dhe sponsorizuar stadiumin më modern në vend.

“Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve Qendra Sportive Kuq e Zi dhe Air Albania, sipas të cilës kompania ajrore Air Albania do të ketë të drejtën e vënies së emrit ‘Air Albania Stadium’. Pra që nga sot e deri në përfundim të kontratës 5-vjecare stadiumi do të quhet Air Albania Stadium” thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Inaugurimi i “Air Albania Stadium” do të bëhet të dielën më 17 nëntor në ndeshjen Shqipëri-Francë, pjesë e kualifikuese për Euro 2020. 

Skip to toolbar