AKU bllokon biznesin në Shkodër, gjobë 6 të tjerëve. Shisnin mallra të skaduar

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar aktivitetin e një biznesi në Shkodër për mungesë të kushteve higjienike ndërsa ka gjobitur me 1.6 milion lekë 6 biznese të tjera të cilat u kapën duke tregtuar mallra të skaduara.

AKU bën të ditur se ka ushtruar kontrolle në biznesin “ORI-B” me aktivitet “Ruajtje dhe shpërndarje në temperaturë ambienti” në Shkodër, ku konstatoi se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshatshme higjeno-sanitare; produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara; kishte produkte të vendosura dhe në ambientet sanitare dhe në mure kishte prani myku. Gjatë kontrollit u evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi si pije freskuese, vaj ulliri, ëmbëlsira etj.

Përveç gjobës për këtë biznes u mor menjëherë vendimi për “bllokim të aktivitetit”.

AKU gjithashtu ka ushtruar kontroll në një “Fast-Food” në qytetin e Durrësit ku u konstatua mungesë e kushteve higjeno-sanitare; tavani i hapur në ambientin e kuzhinës, prani e papastërtive, e mykut dhe e lagështirës në magazinën ku ruhej lënda e parë, si dhe tualeti ishte jashtë funksionit. U evidentua gjithashtu se subjekti nuk dispononte regjistrin për monitorimin e temperaturave frigoriferike, si dhe mungonte analiza e ujit të pijshëm.

Subjekti në fjalë u gjobit në vlerën totale prej 400.000 lekësh.

Nga kontrollet e ushtruara nga ana e Drejtorisë Rajonale AKU në Vlorë në aksin Dukat-Llogara tek disa tregtarë ambulant të mjaltit, të cilët tregtonin në buzë të rrugës në kushte të papërshtatshme, u konstatua se këta tregtarë nuk dispononin sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonin, si dhe produktet nuk ishin të etiketuara konform ligjit. Për shkeljet e konstatuara, AKU gjobiti 4 tregtarët ambulantë dhe bllokoi 85 kg mjaltë të pasigurt për konsum.

AKU njofton se ka do të vijojë inspektimet në mbarë vendin dhe kërkon nga bizneset që të plotësojnë të gjitha kushtet higjienike për tregtimin e produkteve.

Skip to toolbar