Akuzat për shpifje, Veliaj fiton gjyqin ndaj Albana Vokshit

Gjykata e Tiranës ka dënuar për shpifje ish deputeten demokrate Albana Vokshi. Ish deputetja e PD ishte hedhur në gjyq nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për shpifje ndaj tij, në disa deklarata që kishte bërë nga selia blu.

Vokshi do të paguaj një dëmshpërblim moral ndaj Erion Veliaj prej 1 milionë lekësh. Më herët kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se parët e dëmshpërblimit do të shkojnë për “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave.

Pak kohë më parë kryebashkiaku Veliaj fitoi gjyqin edhe ndaj ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja, i cili u dënua për shpifje. Lekët e dëmshpërblimit prej 1 milion lekësh Veliaj i dhuroi për pajisjen me kompjutera të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamzë.

Mungesë tetanosi, AKB i përgjigjet Vokshit: Fake, spitalet të pajisur me serume

Agjencia Kombëtare e Barnave ka reaguar pas akuzave të ish-deputetes së PD-së Albana Vokshi, që shprehej se në qendrat spitalore në vend ka mungesë të serumit antitetanik. Albana Vokshi e quajti ‘skandal’ këtë fakt, mirëpo sipas AKBPM, këto deklarata janë të pavërteta. “Nisur nga disa informacione të rreme, Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore  sqarojnë opinionon publik se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë të pajisura me serumet antitetanik dhe antivipera që në fillim të sezonit turistik”.

“Furnizimi i tyre u bë nëpërmjet gjendjes së importuar që kishin subjektet farmaceutike si dhe importit të fundit të bërë në muajin qershor. Ndërkohë, një sasi tjetër e këtyre medikamenteve është hedhur në farmacitë e rrjetit të hapur me pullën e kontrollit të barnave. Ndërkohë që spitalet e zonave bregdetare janë furnizuar të parët me serumet antitetanik dhe antivipera”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Gjithashtu, në deklaratë sqarohet se gjatë vitit 2018 tre subjekte farmaceutike kanë kryer importin e 8500 njësive të tetanosit, ndërsa gjatë gjatë 2019 është bërë importimi i 6000 njësive të tjera, të cilat janë hedhur në treg dhe gjenden në farmacitë e vendit.

“Gjatë vitit 2018 tre subjekte farmaceutike, kanë kryer importin një sasie prej 8500 njësi tetanosi, dhe në shkurt 2019 një sasi prej 6000 njësi tetanosi. Ndërkohë që në Dhjetor 2018 janë importuar 920 flakonë me anti-vipera dhe Qershor 2019 janë importuar 900 flakonë me antivipera. Informojmë që prej vitesh tregu farmaceutik nuk ka pasur mungesa të anti-viperave dhe antitetanosit, pasi janë marrë të gjitha masat për çdo incident të mundshëm”, përfundon  deklarata.

Gratë e PPE: “Arrestohen fëmijë e gra”. Por është një fake news!

Java që po mbyllet ishte nga më të “nxehtat” në Shqipëri, jo për temperaturat e motit, por ato të politikës. Retorikës së tensionuar politike iu shtua dhe zjarri ndaj KZAZ-ve në bashkitë e drejtuar nga të zgjedhur të PD-LSI, të cilët, prej të hënës së kaluar e deri të mërkurën, sulmuan ambientet publike për largimin e materialeve zgjedhore, pasi dolën në mbrojtje të dekretit të Ilir Metës për anulimin e datës 30 qershor.

Gjatë këtyre sulmeve, të cilat në ditët e para të tyre ishin të dhunshme, deri në tentativën për të djegur shkollën “Shenaze Juka” në Shkodër, u ndaluan dhe arrestuan disa persona, kryesisht punonjës të policive bashkiake. Opozita i ka lexuar këto ndalime si “arrestime politike”, pa marë parasysh faktin se personat e ndaluar kanë urdhëruar apo kanë sulmuar direkt duke shkatërruar pronën publike.

Ky interpretim i opozitës është shtirë edhe jashtë kufijve, pasi ish-deputetja Albana Vokshi, që drejton Forumin e Gruas në PD, ka informuar Forumin e Grave të Partive Popullore Europiane, se në Shqipëri janë arrestuar gra dhe fëmijë gjatë protestave të opozitës. EPP Women ka dalë me pas me një deklaratë, ku shkruan se: “Forumi i Grave të PPE mbledhur në Tallin, Estoni, është tejet i shqetësuar rreth lajmeve shokuese për arrestimin e grave dhe përdorimin e gazit lotsjellës edhe ndaj fëmijëve që së bashku me familjet e tyre protestojnë në mënyrë paqësore për demokraci. Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Bashkimit Europian të veprojnë”.

Por si qëndron e vërteta? A janë arrestuar gra nga policia për dhunën ndaj KZAZ-ve? A u arrestua Dhurata Çupi? Po fëmijë a janë arrestuar dhe sa janë arrestuar?

Realstory.al shkoi më tej për të zbardhur të vërtetën e kësaj çështje, duke konfirmuar informacionet me policinë e shtetit. Ish-deputetja Dhurata Çupi, e cila në fakt u shoqërua, por nuk u arrestua dhe as u procedua, qoftë dhe në gjendje të lirë, por u lirua menjëherë nga policia në MAT. Madje, situata me ish-deputeten u sqarua po ditën që u bë shoqërimi i saj, për më tepër lexoni lajmin në Realstory.al, të asaj dite.

Tani të ndalemi shqetësimi i PPE Women: “te arrestimi i grave të tjera dhe fëmijëve”. Realstory.al i kërkoi informacion Ministrisë së Brendshme, për të mësuar nëse gjatë kësaj jave, ku janë sulmuar KZAZ-të, ka pasur ose jo arrestime apo procedime penale të grave dhe fëmijëve. Sidomos ndalimi i fëmijëve, do të përbënte realisht një lajm shqetësues. Por sipas informacionit zyrtar që Realstory.al disponon:

”Nga sulmi i KAZA-ve në Shkodër, Tropojë, Tiranë, Kavajë, Mat, Berat, Kukës dhe Devoll: janë arrestuar 35 persona. Vetëm në Shkodër është ndaluar në flagrancë një 17 vjeçar, kur u dogj shkolla. (Gjykata e ka vlerësuar arrestim të ligjshëm por gjithsesi ka vendosur masë të lehtë ndaj të riut me vetëm “Detyrim paraqitje”. Ndërkohë, gjatë këtyre ndalimeve rezulton që të mos jetë arrestuar asnjë grua”.

Pra, bëhet fjalë për një “Fake News”, cili më pas zuri vend edhe në një deklaratë të grave evropiane, të cilat, më pas kanë bërë dhe reagimin publik të sipërpërmendur. /Realstory.al/

Skip to toolbar