Mungesë tetanosi, AKB i përgjigjet Vokshit: Fake, spitalet të pajisur me serume

AKTUALITET


Agjencia Kombëtare e Barnave ka reaguar pas akuzave të ish-deputetes së PD-së Albana Vokshi, që shprehej se në qendrat spitalore në vend ka mungesë të serumit antitetanik. Albana Vokshi e quajti ‘skandal’ këtë fakt, mirëpo sipas AKBPM, këto deklarata janë të pavërteta. “Nisur nga disa informacione të rreme, Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore  sqarojnë opinionon publik se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë të pajisura me serumet antitetanik dhe antivipera që në fillim të sezonit turistik”.

“Furnizimi i tyre u bë nëpërmjet gjendjes së importuar që kishin subjektet farmaceutike si dhe importit të fundit të bërë në muajin qershor. Ndërkohë, një sasi tjetër e këtyre medikamenteve është hedhur në farmacitë e rrjetit të hapur me pullën e kontrollit të barnave. Ndërkohë që spitalet e zonave bregdetare janë furnizuar të parët me serumet antitetanik dhe antivipera”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.


Gjithashtu, në deklaratë sqarohet se gjatë vitit 2018 tre subjekte farmaceutike kanë kryer importin e 8500 njësive të tetanosit, ndërsa gjatë gjatë 2019 është bërë importimi i 6000 njësive të tjera, të cilat janë hedhur në treg dhe gjenden në farmacitë e vendit.

“Gjatë vitit 2018 tre subjekte farmaceutike, kanë kryer importin një sasie prej 8500 njësi tetanosi, dhe në shkurt 2019 një sasi prej 6000 njësi tetanosi. Ndërkohë që në Dhjetor 2018 janë importuar 920 flakonë me anti-vipera dhe Qershor 2019 janë importuar 900 flakonë me antivipera. Informojmë që prej vitesh tregu farmaceutik nuk ka pasur mungesa të anti-viperave dhe antitetanosit, pasi janë marrë të gjitha masat për çdo incident të mundshëm”, përfundon  deklarata.




Skip to toolbar