Kriza politike në “Real Story”, të ftuarit: Politika drejt marrëveshjes!

Kriza politike në vend ishte tema e debatit në studion e “Real Story” drejtuar nga Sokol Balla. Paneli i të ftuarëve i përbërë nga deputetja e opozitës Rudina Hajdari dhe deputeti i PS Ilir Beqaj, së bashku me analistët Alfred Lela, Arian Vasiari dhe Eduart Zaloshnja, kanë trajtuar gjerësisht zhvillimet e orëve të fundit të aktualitetit në vend, duke nisur me mitingun elektoral të kryeministrit në Shkodër dhe anti-mitingun e Voltana Ademit, dhe kulmuar me sinjalin që kanë dhënë liderët politikë në vend për shkuarjen drejt dialogut.

“Si përfaqësuese e parlamentit do të doja që gjërat të mos acaroheshin. Shikojmë diçka më të zbutur nga të gjitha palët. Nëse do kemi marrëveshje jemi në një situatë pazari dhe nuk do justifikohet fare kjo sakrificë e PD-së. Ajo që shoh unë si të rrezikshme është nëse këto palë nuk ulen në tavolin, çfarë do ndodhi pas dy vitesh. Duhet të ketë patjetër ndëshkueshmëri për politikanët e papërgjegjshëm”, tha Rudina Hajdari, e pyetur nëse palët politike mund të shkojnë në një marrëveshje.

“Për mua marrëveshja vjen ps 30 qershorit. Kjo datë do jetë, pas saj do të ketë një marrëveshje të madhe. Do të jetë i vështirë, do jetë një 30 qershor për ti shpëtuar nderin dhe turpin të gjithëve”, tha analisti Alfred Lela.

“Ngjarjet e Shkodrës sot janë shumë të rëndësishme për të matur temperaturës për arritjen e një mrrëveshje ose jo. Sot pamë një miting paqësor, kryetarja e bashkisë dhe Flamur Noka bënte thirrje që të mos ishin të dhunshëm. Nëse do të kishte qenë ajo trajektore që kulmoi me djegien e shkollës, kjo për mua është një shenjë se diçka po bisedohet. Do arrihet një marrëveshje para datës 30, palët mund të respektojnë datën, por mund të bien dakord për një datë pas një viti pasi të bëhen ato reforma”, tha analisti Eduart Zaloshnja.

ILIR BEQAJ: S`KA LËNDË PËR KONFLIKT CIVIL, ZGJEDHJET MË 30 QERSHOR

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, i është përgjigjur pyetjes së bërë nga drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, nëse kemi të bëjmë me situatën e një konflikti civil apo jo. Beqaj u shpreh se nuk ka indicie që vendi të shkojë në një përplasje të tillë. Sipas tij, ngjarjet e deritanishme, ku opozita ka pasur reagime, kanë treguar se qytetarët nuk e mbështesin.

“Qyteti vetë nuk ka ndjesi konflikti civil, dhe nëse nuk e ka Shkodra, që ka pasur këto dy ditë një nxitje të madhe, kjo mendoj unë, që më çon tek ajo që thatë ju, që vendi do të ketë zgjedhje. Edhe në vatra të tjera ku ka pasur reagime të opozitës, njerëzit nuk e kanë mbështetur. Qeveria ka detyrën që të garantojë zgjedhësit dhe ata që duan të votojnë, të shkojnë të votojnë më 30 qershor. Nuk ka lënë për të pasur konflikt civil”, u shpreh Ilir Beqaj.

RUDINA HAJDARI DEBATE ME ANALISTIN VASJARI: JU NUK JENI PËRFAQËSUES TË OPOZITËS REALE

Në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës pati një debat mes kryetares se grupit parlamentar të demokratëve në parlament, Rudina Hajdari dhe analistit Arian Vasjari. Në çështjen e ngritur nga Vasjari ishte nëse opozita në parlament është ajo reale apo jo, me të cilën mund të diskutohet për zgjidhjen e krizës në vend. Ndërkohë që Rudina replikoi duke thënë se opozitës nuk ja ka mohuar askush të drejtën të përfaqësohet në parlament, por ka zgjedhur vetë këtë gjë.

Debati:

Rudina Hajdari: Opozita zgjodhi vetë të mos përfaqësohet në parlament. Ne kemi një sistem që nuk e përcaktojmë dot se kush nga deputet votohet më shumë ose më pak.

Arian Vasjari: A jeni ju opozita reale apo jo?

Rudina Hajdari: Çfarë do të thotë opozitë reale apo jo? Po ju them se nuk jemi në gjendje të verifikojmë se kush nga deputetët në atë listë është votuar më shumë apo më pak. Ajo që po thoni është një hamendësim i juaji.

Arian Vasjari: Ne nuk po bëjmë debat mbi sistemin këtu. Këtë sistem që kemi hajde e diskutojmë. Ti nuk ma thua dot mua që unë jam përfaqësuesja reale e opozitës, se pse dhe vetë nuk e ndjen këtë gjë.

Rudina Hajdari: Ju nuk mund të flisni në emër të gjithë shqiptarëve dhe pa fakte, ju jeni vetëm një zgjedhës

Arian Vasjari: Për mua jeni legjitim aty ku jeni, po a jeni përfaqësues real të opozitës që mund të diskutohet për zgjidhjes së krizës në vend? Sigurisht që nuk jeni.

A DO KRIJOJË RUDINA HAJDARI PARTI TË RE? JA SI PËRGJIGJET NË “REAL STORY”

Në emisionin “Real Story”, drejtuesi i emisionit Sokol Balla pyeti kryetaren e grupit parlamentar të deputetëve të djathtë në parlament, nëse ajo dhe deputetë të tjerë janë duke ndërmarrë nismën e një krimijimit të një partie të re. Hajdari, ndonëse nuk dha një përgjigje të prerë, u shpreh se kjo nismës, sipas saj, kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor, me qëllim që nëse kjo nismë do të konkretizohet, futja në farë të jetë në kushte të barabarta.

“Formimi i një lëvizje të re kërkon dryshimin e sistemit, sepse kështu nuk bëhesh dot pjesë e garës. Grupi jonë parlamentar, pjesa më e madhe e opozitës që është në parlament, kushdo që do ti bashkangjitet kësaj lëvizje për të ndryshuar sistemin, është puna jonë. Fundja kemi pasur komisionin e reformës zgjedhore që nuk ka pasur asnjë rezultat. Nuk duhet të harrojmë, pa pasur dakordësinë dhe pa përfshirë opozitën në parlament…”.

“Sido që të shkojë marrëveshja, zgjidhja do kalojë në rrugë institucionale. Reforma zgjedhore është kusht jo për të zgjidhur krizën, por se ne do kryesojmë OSBE/ODIR.  Unë nuk kërkova të dilja jashtë nga PD, madje nuk kam asnjë letër që të më thotë që kam dalë nga PD. Unë jam anëtare e PD-së, nuk isha unë ajo që zgjodha të isha jashtë Partisë Demokratike. Unë vazhdoj të përfaësoj demokratët.

“Do shikojmë situatën, po patjetër që po, por që Shqipërisë i duhet një alternativë reale. Nuk kam parë diçka konkrete apo një platformë të Bindjes Demokratike. Unë do doja një platformë që të bazohej në disa pika që ka nevojë rinia shqiptare apo ekonomia. Kështu që mendoj se ka disa hapësira ku mund të punohet fortë”, ka thënë Rudina Hajdari. /Realstory.al/

Alfred Lela: Basha, ky lider vetmitar

Nga Alfred Lela

Lulzim Basha është thirrur në Prokurori, me kërcënimin ‘të marrim forcërisht’, mu në kulm të betejës së tij më të madhe politike. Ky protagonizëm dhe kërcënim që Basha po i bën sistemit, merr edhe përgjigjet reciproke nga kundërshtarët e tij politikë brenda sistemit. Asnjë alarm, kjo është natyra e politikës, por kjo nuk ka pse të na ndalë të flasim për psetë.

Është e ndershme të themi një gjë: Lulzim Basha është lideri më ‘i vetmuar’ i tranzicionit shqiptar. Kjo, e thënë në një kuptim të tipologjisë. Ai është i vetmuar në premisa fizike-institucionale: ka dalë nga parlamenti bashkë me deputetët e tij; si dhe është mu në buzë të humbjes edhe të vjegës së fundit që e mban të lidhur me çfarëdo lloj pushteti: bashkitë, këshillat bashkiakë dhe njësitë administrative. Po në tipologji, në një krahasim të shpejtë, Basha është i ndryshëm nga liderët e deritashëm të Shqipërisë. Me siguri ai është më pak (ose aspak) komunisti nga të gjithë.

Aleatët e mëdhenj të Shqipërisë që kanë qenë mbështetësit e tij kryesorë, amerikanët, i ka ‘kundra’, për arsye që ndoshta nuk kanë të bëjnë me të. Për arsye që janë, sa të jashtme, kanë të bëjnë me projeksionin amerikan në Ballkan dhe në botë, sa edhe të brendshme, kanë të bëjnë me pozicionin e Bashës në skakierën danteske të spektrit politik shqiptar.

Pavarësisht këtyre premisave, apo këtij konteksti, apo bash prej tyre, Lulzim Basha është në krye të kësaj beteje që mund të jetë edhe lufta e tij finale. Më datë 17 ai është thirrur në Prokurori ‘në emër të Republikës’ dhe të akuzës së saj. Vetëm në dukje kështu.

Në tekstin dhe kontekstin e asaj thirrjeje është pikërisht shpjegimi ‘i vetmisë’ së Bashës. Prokuroria dyshon se ka qenë pikërisht Basha, dhe lidhjet e tij në Prokurori dhe media, që ua ka ‘nxjerrë bojën’ duke publikuar në gazetën gjermane BILD një pjesë të regjistrimeve të dosjes ‘339/1. BILD-Leaks ka qenë goditja më e madhe që ka marrë Prokuroria shqiptare, që kur në krye të saj erdhi Arta Marku. Një goditje edhe më të fortë, dhe po aq të drejtpërdrejtë, ka marrë edhe qeveria dhe pushteti i kryeministrit Edi Rama.

Këto dy instrumente të pushtetit janë bërë bashkë për të krijuar një kohezion regresiv, dëmtues, anti-demokratik dhe hakmarrës, dhe për të goditur kryetarin e Opozitës. Në proces ata edhe janë vetëgoditur, sepse kanë zbuluar publikisht atë që po publikisht thuhet, se z. Rama e ka në dorë Prokurorinë, e përdor atë për qëllimet e tij, e me radhë.

Jo vetëm BILD-Leaks e ka kreshpëruar qëllimin e Prokurorisë kundër Bashës dhe eksponentëve të tjerë opozitarë, por edhe ‘pritja’ që Opozita i ka bërë betimit në Parlament të kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku. Sistemi, që kryeministri preferon ta quajë ‘të ri’ duket sikur është ngritur për t’i dalë kundër politikanit më të ri të tranzicionit, atij më pak komunistit, me më pak lidhje me të shkuarën i cili, ndryshe nga shumë, është futur në politikë me dy lekë në xhep, me lekët e tij.

Meqë jemi te financat, dhe meqë amerikanët përsërisin shpesh ‘nëse do të zbulosh diçka, ndiq gjurmën e parasë’ (follow the money), duhet bërë pikërisht kjo edhe këtë herë. Duhen ndjekur paratë. Para që kanë shkuar në drejtim të Amerikës, si formë lobimi për kongresmenë, senatorë apo njerëz të Shtëpisë së Bardhë. Lulzim Basha ka dashur një ‘pamje’ favorizuese të administratës amerikane për Partinë Demokratike dhe kauzat e saj, por ta pret mendja, edhe Shqipërinë. E bëjnë këtë të gjitha qeveritë, opozitat dhe kompanitë në botë. Aksesi te administrata amerikane është monedha me vlerën më të lartë në botë.

Edhe pse Basha nuk ka arritur, me sa duket, ta sigurojë këtë ‘favorizim amerikan’, nuk ka dyshim: këto janë paratë që Basha dhe Partia Demokratike kanë shpenzuar më mirë në jetën e tyre. Qëllimi ka qenë bindja e vendit më demokratik të botës, partnerit më të mirë dhe më të fortë të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, për të dëgjuar një zë. Të gjithë të vegjlit e botës, të gjitha minorancat e kanë bërë këtë. Dhe, Amerika, shpesh, është vonuar, por kurrë nuk ka harruar.

Lela: Ndërkombëtarët nuk mund ta krijojnë precedentin, Presidenti po

Nga Alfred Lela

Hazërxhevapi ndaj vendimit të Presidentit të Republikës për të ç’dekretuar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve, niset nga interesa apo shije politike të rastit dhe të çastit. Ai ndahet në bardh e zi, si çdo gjë në Shqipëri. Një pjesë bërtasin ‘urra!’ dhe ‘çfarë akti i madh!’, dhe të tjerë e identifikojnë presidentin si të LSI, të Monikës, Lulit apo Doktorit.

Çka bën në fakt vendimi i z. Meta, mund të kualifikohet si ‘ndihmë’ për kryeministrin Rama, më shumë se për opozitën. Meta, së pari, i dha mundësi Edi Ramës të shpëtojë nga the royal fuck up që do të ishin një palë zgjedhje me të njëjtin Maliq dhe të njëjtin ligj. Më pas, kreu i shtetit i krijoi mundësinë shefit të qeverisë ‘të pozojë’ për pak në rolin e viktimës dhe, në fund, jo më pak e rëndësishme kjo, të krijojë një bllok të qartë politik, edhe brenda familjes së majtë, e cila nuk dukej se ishte e gjitha dakord me jermin e shefit të vet. Që nga implikimi me kufijtë e Kosovës, çngjyrosjen e PS si alternativë e qendrës së majtë dhe shndërrimin në alternativë force sipas parimit ‘qëllimi i pushteti përligj çdo mjet (edhe Nënnjeriun e zgjedhjeve, Niçen).

Alarmi që duket se ka rënë në kampin e majtë, politik dhe mediatik, për ‘puçin kushtetues’ të Metës, mendoj se duhet t’ia kursejnë Ramës. Sigurisht, vetëm nëse edhe vetë kreu i qeverisë nuk bie në rrjetën e së njëjtës logjikë. Ai do ta trajtojë, sigurisht, si të tillë, publikisht, duke i shpallur ‘luftë finale’ Metës, por vetmevete do të mendojë ndryshe.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Këto mendime jopublike do t’ia shohim te aktet. Pra, si do të sillet në raport me ‘propozimin’ e Presidentit. Sepse, në fakt, Meta nuk ka marrë një vendim, sesa ka hedhur një propozim në arenën politike. Të cilin e mbështet me kapacitetet juridike dhe unitariste të zyrës që përfaqëson.

Një diplomat i huaj i tha Politiko, pas vendimit të Metës për të ç’dekretuar 30 qershorin se, pas lëvizjes duhet të jetë një ‘lojë më e madhe’. Cila mund të jetë loja?

Ndërkombëtarët nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e zgjidhjes, prej frikës se lëshimi ndaj aktit të djegies së mandateve nga opozita shqiptare do të krijonte një precedent që mund të imitohej në Ballkan në të ardhmen. Amerikanët sidomos, pasqyruar kjo edhe në qëndrimin e së shtunës të Mathew Palmer në një intervistë për Top Channel.

Disa parlamentarë gjermanë kanë qenë i vetmi përjashtim. Nënkryetari i grupit të CDU/CSU ka theksuar madje se, as data e zgjedhjeve as tërheqja e kryeministrit nuk duhet të jenë tabu. Megjithatë, as gjermanët e CDU, partisë simotër të PD, nuk kanë mënuar që ta kritikojnë vendimin e opozitës për djegien e mandateve. E njëjta drojë, ajo e krijimit të precedentit rajonal që mund të riluhet në skena të tjera politike ballkanike.

Presidenti Meta e ka zgjidhur këtë ngërç me vendimin e ç’dekretimit. Ai e ka kthyer krizën në shtëpi duke propozuar që palët të ulen në tryezë, duke u bërë ai, jo të huajt, krijues i precedentit. Në këtë rast precedenti mbetet shqiptar, ashtu si dhe vetë kriza dhe mosmarrëveshja.

Ilir Meta i ka shpëtuar të gjitha palët, në një farë mënyre. Ka bërë në ndërkohë edhe një vetëpromovim: duke siguruar shumë mbështetës apo skeptikë se ai është një ‘kafshë politike’ e pëlqen ose jo, dhe se është gati të marrë vendime të forta. Ilir Meta tregoi me vendimin e sotëm se mund të kthejë një zyrë honorifike, siç është ajo e Presidentit të Republikës në një bosht ku pengohet dhe zhvillohet loja e pushtetit politik në Shqipëri

Skip to toolbar