“Më qëllonin të bëhesha ushtar dhe të luftoja!” Zbardhet dëshmia e Alvin Berishës

Alvin Berisha ka folur për herë të parë në lidhje me torturat dhe tmerret që kaloi në Siri me xhihadistët e ISIS. Edhe pse tha vetëm pak fjalë mjaftojnë për të kuptuar jetën e vështirë që vogëlushi kaloi për 5 vite në duart e xhihadistëve. Dëshmia e tij u publikua nga “La Stampa”, ku shkruhet se Alvini dhunohej që të bëhej ushtar dhe se e detyruan të fliste vetëm arabisht.

Ata më mësonin të bëja luftë. Gjithmonë më qëllonin dhe më bërtisnin se duhet të bëhesha ushtar. Më detyruan të flas vetëm në arabisht”, ka thënë Alvini. “La Stampa” shkruan se Alvini nuk e kujton më italishten dhe flet shumë pak shqip.

Alvini nuk e kujton fare italishten. Ai e kishte të ndaluar ta fliste atë gjuhë dhe gjithë kohës është stërvitur dhe dhunuar fizikisht që të bëhej një ushtar i ISIS. Edhe emri i tij u ndryshua nga xhihadistët e ISIS, në Jusuf. Alvini ka kujtuar vetëm pak shqip, teksa iu ka thënë shpëtimtarëve të tij ‘Më ka marrë malli shumë për babanë.”

Alvini u bashkua me të atin dhe familjarët e tjerë mëngjesin e premtes, pas 5 vitesh në Siri, ku ishte rrëmbyer dhe çuar nga e ëma. Nëna e tij, luftëtare e ISIS, u vra në një sulm të armatosur duke e lënë Alvinin vetëm në mëshirë të fatit. Që pas vdekjes së saj, Alvin Berisha përfundoi në kampin e tmerrshëm “Al Hol” në Siri, prej të cilit shpëtoi më 7 nëntor 2019.

“Alvin, është më lehtë të luftosh xhihadistët e ISIS se sa të Tiranës”

Shpëtimi i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha nga kampi Al Haul në Siri, që deri para pak kohësh kontrollohej nga ISIS ishte një nga lajmet e mira të javës. Ky lajm, që në fakt duhet të bashkonte politikën, nuk arriti ta bënte sërish. Analisti Alfred Lela tha në emisionin “Real Story” se në fakt ky lajm i mirë u arrit falë autoriteteve italiane dhe se nuk duhet t’i jepen kredite të pamerituara autoriteteve shqiptare.

“ Edhe një lajm i mirë në fakt bëri që klasa jonë politike të turret për të marrë kredite apo rrëzuar kredite. Ai djalë rimori jetën dhe u shpëtua falë autoriteteve italiane. Të mos i japim kredite të pamerituara shqiptarëve pasi ka përpjekje për ta propaganduar edhe këtë. Sigurisht që kryeministri duhet vlerësuar për përpjekjet që bëri me Conten për ta kryer këtë operacion.” tha Lela

Për Skënder Minxhozin ky ishte një lajm i mirë dhe nuk ka rëndësi kush i merr meritat. ‘ Është e rëndësishme që rasti i Alvinit të shërbejë si shtysë për të identifikuar rastet e shqiptarëve të tjerë në ato kampe të rrezikshme.”

Ndërsa analisti Arjan Vasjari e mbylli fjalën me një batutë therëse dhe ironike se “Alvini e ka më të lehtë të luftojë xhihadistët e ISIS se sa xhihadistët e Tiranës.” / Real Story

Lajm i mirë, Alvini nxirret nga kampi ku qëndronte

Alvin Berisha është nxjerrë nga kampi Al-Hol në Siri gjatë operacionit të shpëtimit të realizuar nga “Gjysëm Hëna Siriane”, Kryqi i Kuq ndërkombëtar, autoritetet italiane dhe ato shqiptare. Sipas Report TV, e cila i referohet disa mediave në gjuhën arabe, operacioni nuk ka mbaruar ende, por mendohet se shumë shpejt Alvini 11-vjeçar do të bashkohet me të atin në Itali.

Babai i tij, Afrim Berisha, e kërkonte prej vitit 2014, kur nëna e tij shqiptare, Valbona Berisha braktisi familjen në Itali dhe mori Alvinin, në atë kohë 6 vjeç, në kampin Al Hol në Siri. Valbona Berisha u martua me një luftëtar të ISIS, ku pati dhe një fëmijë me të, por ato humbën jetën gjatë një shpërthimi.

Alvini ishte i vetmi që mbijetoi nga sulmi dhe që pas tij përfundoi në kampin Al-Hol. Përpjekjet e të atit për ta gjetur nuk reshtën deri sa takimi i tyre i parë u bë pas 5 vitesh në 2019 fal emisionit investigativ “Le Iene”. Për shpëtimin e tij dhe fëmijëve e grave të tjera shqiptare që ndodhen në kampet e refugjatëve nga lufta e ISIS, edhe Kryeministri Rama tha se po punohet, por procedurat nuk janë aq të thjeshta dhe kërkojnë kohë dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.   

Lajm i mirë nga Siria: Alvini është nën kujdesin e “Save The Children”

Alvin Berisha, i mituri shqiptar që ndodhet në kampion Al Hol në Siri, është nën kujdesin e organizatës ndërkombëtare “Save The Children”. Lajmin e dha gazetari Tulant Kopliku, i cili poston një foto nga të gazetës “The Sun”, e cila pretendonte se kampi ku ndodhen mijëra gra e fëmijë, ra në dorën e organizatës terroriste ISIS. Sipas tij, dhuna dhe djegia e çadrave kanë qenë gjithmonë prezentë në kamp, por s`do të thotë se ISIS ka marrë kontrollin e tij. Ai shprehet se së shpejti, Alvin mund të bashkohet me babanë.

“Ka që dje që qarkullon në mediat shqiptare ky lajm. Normal është shqetësues dhe merr vëmendjen e duhur nga opinioni i një vendi që ka shtetasit e tij (fëmijë) atje. Por fatmirësisht, brenda lajmit të keq ka edhe lajme të mira. Në të vërtetë, ka patur përplasje të vazhdueshme në kamp dhe kjo ka ndodhur edhe para ndërhyrjes turke. Djegia e çadrave, vrasjet me armë të ftohta apo dhuna mes grupeve dhe etnive kanë qenë prezentë rregullisht në kamp. Kjo nuk do të thotë se ISIS mori kontrollin e Al Hol”, thotë gazetari.

Më tej, ai shton se është informuar nga një vullnetare e Save The Children, që i ka thënë se ka kontaktuar me Alvinin, ndërsa në sektorin ku ndodhet i mituri shqiptar, nuk ka pasur asnjë problem. “Për të hyrë në temë, u informova nga Ada, vullnetarja e Save The Children në kamp. Edhe sot ajo ka kontaktuar Alvinin i cili ishte nën kujdesin e kësaj organizate. Në sektorin ku ndodhet i vogli nuk ka as më të voglin problem nga ato që po shkruhen në media. Kam bindjen se shumë shpejt do kemi lajme të mira. Alvin në shtëpi”, shkruan Kopliku.  

Skip to toolbar