Pasojat e pariparueshme të zjarreve në Amazona

Deri në fund të periudhës së thatësirës së verës mund të zgjasin djegiet masive të pyjeve në Amazona e të çojnë në shuarjen përfundimtare të disa lloj drurëve. Përmasat e fatkeqësisë ende nuk llogariten.

“Ne nuk e dimë sa vatra zjarri nga arat do të kalojnë në pyje”, thotë Paulo Brando, ekspert i Institutit të pavarur brazilian për Studimin e Mjedisit në rajonin e Amazonës, IPAM. “Momentalisht pamjet e satelitëve të tregojnë vetëm ekzistencën e zjarreve.” Ka disa javë që zjarret në Amazona kanë tërhequr vëmendjen e botës. Krahasuar me një vit më parë numri i vatrave të zjarrit është rritur me 82%. Vetëm në gusht janë llogaritur 26.000 vatra zjarri.

“Dita e zjarrit”

Shumica e këtyre vatrave janë të regjistruara në shtetin federal të Paras. Prokuroria po heton kundër fermerëve në kuadër të “Ditës së Zjarrit”. Një grup syresh duket se ka vënë në masë të gjerë zjarret për përftim të tokës së punueshme më 10 gusht. Ky aksion duhej të mbështeste presidentin brazilian, Jair Bolsonaro.

Gazeta lokale “Folha de Progresso” raportoi fillimisht për zjarret në jug të shtetit federal Para. “Ne duhet t’i tregojmë presidentit, se duam të punojmë, dhe kjo bëhet vetëm me heqjen e drurëve.” Për të pastruar këto toka, kemi nevojë për zjarrin”, citon gazeta një nga organizatorët.

Sipas informacioneve të prokurorit Paulo de Tarso shumica e zjarreve janë vënë në zonat federale që janë zona të mbrojtura natyrore. Këto zona janë gjithmonë të ekspozuara ndaj sulmeve të pronarëve të mëdhenj të tokave, spekuluesve apo pronarëve të minierave. Prokuroria heton edhe rënien e kontrolleve shtetërore dhe mungesën e mbështetjes për autoritetin brazilian të mjedisit, Ibama.

Prokurori thotë, se “është hequr dorë nga shuma të mëdha, që Brazili merr nga fondet e Amazonës kundër çpyllëzimit”, duke iu referuar ndihmave financiare të pezulluara nga Norvegjia dhe Gjermania për fondin e mbrojtjes së Amazonës. Gjatë samitit të  G7-s në Biarritz, presidenti Bolsonaro e refuzoi sërish një ndihmë të menjëhershme për shuarjen e zjarreve në Amazona.

Më të rrezikuara nga djegiet janë veçanërisht sipërfaqet e dëmtuara nga prerja e drurëve. “Nëse në pyjet e mëdhenj rriten hapësirat, ku drurët janë prerë apo në kërkim të pasurive nëntokësore, me pasojë fragmentarizimin e sipërfaqes pyjore, atëherë shtohen edhe sipërfaqet me drurë të tharë që ndizen shpejt”, shpjegon Paulo Borreto nga organizata joqeveritare, Instituti Imazon.

Nga ana tjetër kur ka periudha thatësire, pyjet vuajnë më shumë. Si strategji mbijetese drurët i lenë të bien gjethet. Po pa mbrojtjen e kurorës së pemës depërton më shumë diell në tokën e pyllit dhe tek drurët e tharë. Edhe gjethet e thara, temperatuarat e larta dhe një pyll i madh me hapësira pa dru brenda e rrisin rrezikun e zjarreve.

Pasoja të mëdha

“Në vitet me thatësirë shuarja e pyjeve mund të prekë deri në 90% të drurëve, sidomos në anët e pyllit”, raporton një studim i Institutit të pavarur brazilian, Ipam. Eksperti Paulo Brando, thotë, se “peizazhi ndryshon radikalisht”. “Ne shohim se si depërtojnë barërat dhe reduktimin e diversitetit biologjik.”

Këtij studimi i paraprin një periudhë vëzhguese prej 9 vjetësh. “Kemi konstatuar një degradim të vazhdueshëm. Kemi vëzhguar shuarjen e drurëve të mëdhenj, dhe periudha e gjallimit të drurëve ka rënë ndjeshëm”, thotë Brando.

Në rajonet, kur flora pas djegieve është përmirësuar disi, studimi tregon, se duhen të paktën 7 vite që pyjet e Amazonës të lëshojnë avuj në atmosferë dhe të përthithin dioksidin karbonik. Studimet në rajon tregojnë po ashtu, se biodiversiteti pëson dëmtime të pariparueshme pas një zjarri. Edhe nëse një pjesë e pyllit rigjenerohet, nuk rikthehet më shumëllojshmëria e drurëve.

Po ashtu kushtet klimatike nuk janë më të njëjta si në dekadat e shkuara. Rajoni i Amazonës është ndërkohë 1 grad më i ngrohtë, se para 60 vjetësh dhe periudha e thatësirës është 3 javë më e gjatë, se para 40 vjetësh, thotë eksperti i Ipam, Brando. “Ky nuk është një proces linear”, por “sa më shumë që ndryshon klima, aq më shumë rriten rreziqet që ndryshimet të jenë tronditëse.”/DW/

Zjarret në Amazonë, Presidenti brazilian bindet të nxjerr ushtrinë të luftojë me flakët

Zjarret e mëdha që kanë pushtuar pyjet tropikale të Amazonës duket se kanë tërhequr më në fund vëmendjen e presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro.

Pas protestave popullore dhe presioni ndërkombëtar për mënyrën se si qeveria braziliane po e përballonte këtë katastrofë botërore, Bosonaro më në fund ka pranuar të nxjerr ushtrinë në terren që të ndihmojnë në shuarjen e vatrave të zjarrit.

Kam autorizuar një operacion ushtarak, me personel dhe pajisje të forcave të armatosura dhe agjencive të tjera, që të luftojnë me zjarrin këto ditë dhe me çdo aktivitet tjetër të paligjshëm, që mund të ushtrohet në këto pyje”, tha Bolsonaro, i cili fajësoi për këtë situatë thatësirën e jashtëzakonshme të kësaj vere. “Jemi në një periudhë tradicionalisht të thatë, edhe dimri këtë vit ka qenë i thatë dhe fatkeqësisht zjarre në pyjet e Amazonës ka pasur çdo vit. Vitet e shkuara më pak por thatësira e vitit 2019 e ka bërë situatën edhe më të rëndë”.

Megjithatë mediat botërore raportojnë se vendosja e zjarrit ka qenë i qëllimshëm, për të hapur toka për blegtorinë për të favorizuar tregtinë e mishit. Presidenti Bolsonaro është akuzuar vazhdimisht për këtë fakt pasi ai është një përkrahës i tyre, ndërsa populli brazilian e cilëson si arsyen kryesore për vonesën e tij për të reaguar siç duhet në situata të tilla emergjente.

Amazona cilësohet si mushkëria e botës pasi prodhon mbi 20 % të oksigjenit në botë dhe gjatë 2019 ka pasur një shifër rekord të rënies së zjarreve.

Skip to toolbar