Alarm fals për bombë tek ambasada çeke, hetim telefonuesit

Një telefonatë alarmoi Policinë e Tiranës mbrëmjen e të mërkurës, ku njoftohej për një bombë te Ambasada e Çekisë në Tiranë. Policia mori një telefonatë nga një numër privat, dhe menjëherë u angazhuar duke kryer kontrolle në terren.

Strukturat antieksploziv të Policisë së Shtetit, shkuan pranë Bllokut të Ambasadave, duke rrethuar zonën dhe më pasu duke nisur kontrollet e imtësishme jashtë rrethimit të ambasadës por dhe në ambientet e brendshme të saj.

Nga kërkimet e policisë nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë, duke bërë që alarmi të konsiderohet fals. Megjithatë, Blutë e Tiranës po punojnë për identifikimin e telefonatës që njoftoi për bombën e rreme tek ambasada çeke.

Alarmi për bombë pranë ambasadës çeke erdhi në të njëjtën ditë, kur  mediat raportuan se nga disa ambasada do të hiqen punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa ruajtja e tyre do të bëhej me polici private.

Skip to toolbar