Pas betimit në Senat, Yuri Kim vjen në Tiranë në 30 janar. Merr zyrtarisht detyrën

Në 30 janar, Yuri Kim do të mbërrijë në Shqipëri. Sipas Balkanweb, Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, vjen në Tiranë në fund të muajit janar. Yuri Kim u propozua gjatë verës së kaluar si Ambasadore e SHBA në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump. Ajo kaloi të gjitha fazat e emërimit në Senat, duke kryes së fundi dhe betimin.

Yuri Kim do të zëvendësojë në detyrën e ambasadorit paraardhësin e saj Donald Lu. Ajo është një diplomate karriere, që ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit. Yuri Kim ka lindur në Kore, dhe është rritur në ishullin e Huamit.

Ajo ka pasur detyra të ndryshme si: Drejtore e Zyrës për Çështjet të Evropës Jugore; Drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë; Shefe e Stafit Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko Ushtarake.

Pak ditë më parë, Yuri Kim takoi të dërguarin e Posaçën të DASH Matthew Palmer, me të cilin diskutoi për dy zhvillimet e fundit në Shqipëri, dëbimin e dy diplomatëve iranianë dhe uljen e palëve politike në një tyrezë për hartimin e Reformës Zgjedhore.

Cakaj kërkon 12 ambasadorë. Mundësi për ekselentët

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shpallur 12 vende të lira në Shërbimin Diplomatik shqiptar. Ka qenë ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ai që ka dhënë lajmin për 12 pozicionet e lira.

Cakaj shton se kjo shpallje është pjesë e përpjekjes së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të përfshirë ekselentët në trupën diplomatike shqiptare.

“Ndryshimet e ndërmarra deri më tani, kanë krijuar një hapësirë shumë më të madhe për ekselentët, profesionistët dhe personat me aftësi cilësisht të dalluara në përgjithësi. Kjo gjeneratë e re diplomatësh do të ushtrohet në trajnime të veçanta e do të trajtohet me një kujdes të posaçëm për t’u bërë një gjeneratë elitë e diplomacisë shqiptare në perspektivë afatgjatë!” – shkruan Cakaj.

Kreu i diplomacisë saktëson dhe siguron se procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të ardhshëm dhe shërbyeseve civilë të rinj do të jetë i mbështetur tërësisht mbi merita profesionale dhe vlerësime objektive. Por nuk do të jenë vetëm këto 12 pozicione. Gent Cakaj paralajmëron se shumë shpejt Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të shpallë edhe më tepër vende të lira për diplomatët e ardhshëm për të ndërtuar një shërbim të shkëlqyer diplomatik.

Të gjithë ata që mendojnë se mund t’i shërbejnë Shqipërisë si diplomatë të ardhshëm, mund të klikojnë në linqet që ministri ka lidhur në faqen e tij në facebook dhe kryesisht kërkohen studentë të ekselencës që kanë përfunduar studimet për shkenca politike.

Edhe një lajm tjetër i mirë për diplomacinë shqiptare 😊🙏…Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet…

Gepostet von Gent Cakaj am Freitag, 20. September 2019

Schütz: Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz i bëri thirrje opozitës që të ndalë protestat e dhunshme dhe të nisë rrugën e dialogut. Në një deklaratë për mediat Schütz  tha se shfaqja e dhunës në protestat e deritanishme të opozitës është e papranueshme. Ashtu si selitë e tjera diplomatike edhe ambasada gjermane ka dënuar sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt.

Protestuesit opozitarë shkruan në banesën e tij “Shame on you”, turp të kesh. Ky gjest është dënuar ashpër nga të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë.

“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.

Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ambasada britanike apel opozitës: Stop dhunës ndaj ambasadorëve

Edhe ambasada britanike ka reaguar sot duke i bërë thirrje opozitës që të ndalojë dhunën në protestë. Në një reagim për mediat, ambasada britanike ka dënuar sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt ndërsa ka bërë thirrje që të nise dialogu mes palëve për gjetjen e një zgjidhje.

 “E drejta për të protestuar është përbërës themelor i një demokracie të shëndetshme. Por protestat duhet të jenë paqësore. Ne dënojmë dhunën që u zhvillua gjatë protestës së 11 majit nga e cila u plagosën si policë dhe protestues dhe shkaktoi dëme në pronë.

Ne u kërkojmë liderëve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që ata mbajnë të jenë paqësore dhe të mbahen në përputhje me ligjin.

Ne gjithashtu kërkojmë që policia të tregojë përmbajtje dhe të respektojë sundimin e ligjit që ata mbështesin. Ne dënojmë me gjithë zemër intimidimin e ambasadorit të OSBE-së dhe dëmet e shkaktuara në rezidencën e tij zyrtare. Nuk ka vend për veprime të tillë në një demokraci moderne.

Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të hyjnë në dialog, e cila është mënyra e vetme në të cilën ngërçi tanishëm mund të zgjidhet. Dhuna dhe retorika nuk janë përgjigje”, deklaron ambasada britanike.

Ambasadorët, të gjithë kundër Cakajt

Këshilli i Ambasadorëve ka reaguar publikisht lidhur me deklaratën e ministrit të Jashtëm , Gent Cakaj lidhur me reformën në Shërbimin Diplomatik.

Ambasadorët në një letër publike shprehen se shërbimi diplomatik konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik për përfaqësimin e duhur të Shqipërisë.

Ja reagimi i plotë:

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë mbi reformën në Shërbimin e Jashtëm Diplomatik shqiptar

Marrë shkas nga deklaratat e fundit publike të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në detyrë mbi reformën në Shërbimin Diplomatik Shqiptar, si dhe thirrjen publike të MEPJ “për punësim pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit” të ekspertëve ekselentë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se:

Shërbimi Diplomatik ka nevojë të konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe jo për prurje nga jashtë pa respektuar ligjin. Përjashtim nuk mund dhe nuk duhet të përbëjnë as edhe studentët “Ekselent”.

Një student i shkëlqyer, apo siç e konsideron MEPJ, “ekselent”, është thjesht një student që ka mbaruar studimet dhe që duhet të motivohet të aplikojë për të filluar karrierën e tij sektoriale apo akademike.

Vetëm eksperienca, vlerësimet në punë dhe karriera në Shërbimin e Jashtëm janë kriteret themelore që duhen marrë në konsideratë.
Ligji për Shërbimin e Jashtëm të RSH-së, Nr.23/2015, si dhe Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm, miratuar me VKM Nr.816, dt.7.10.2015, pavarësisht se e kanë dëmtuar konceptin bazë të karrierës diplomatike, janë të detyruara të zbatojnë Ligjin për Administratën Publike dhe parimet e punësimit apo të rekrutimit përkatës.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm dhe Rregullorja përkatëse e Shërbimit të Jashtëm janë shumë të qarta lidhur me mënyrën e rekrutimit të diplomatëve të rinj.

Në asnjë mënyrë, rastet përjashtimore dhe të veçanta që ligji parashikon, në pikën 3 të nenit 31 (Ministri i Punëve të Jashtme mund të emërojë në misionet diplomatike dhe postet konsullore, në raste të veçanta, ekspertë jashtë Shërbimit të Jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit), nuk mund e nuk duhet të kthehen në përgjithësim.

Aplikimi i këtij parimi do të dëmtonte më tej Shërbimin e Jashtëm shqiptar dhe do të demotivonte të gjithë trupën diplomatike të karrierës, që kanë hyrë në shërbimin e jashtëm duke respektuar kuadrin ligjor.

Ligji dhe vetëm ligji duhet të jetë kriter bazë për rekrutim dhe karrierë diplomatike. Kriteret subjektive mbi aftësinë individuale apo vlerësimeve estetike janë minimalisht abuzim me detyrën nga i gjithë zinxhiri rekrutues dhe maksimalisht mungesë respekti për trupën aktuale diplomatike që pas viteve ’90 e aktualisht e kanë bërë Shqipërinë të konsiderohet si faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon, anëtare në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, anëtare në NATO dhe kandidate në BE, si kanë kontribuar në mënyrë sinjifikative për liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Nenet 36, 39 dhe 41 të Ligjit e shprehin qartë mënyrën e pranimit në Shërbimin e Jashtëm dhe të zhvillimit të karrierës diplomatike.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i shqetësuar, i bën thirrje MEPJ të respektojë ligjin në fuqi, si dhe të fillojë procedurat për ta riparë këtë ligj, me qëllim shkëputjen një herë e përgjithmonë nga emërimet që jo vetëm nuk e përmirësojnë por e dëmtojnë trupën tonë diplomatike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik, me qëllim që Shërbimi i Jashtëm të ketë përfaqësimin dhe fleksibilitetin e duhur brenda dhe jashtë Shqipërisë, në funksion të interesit më të mirë kombëtar dhe prioriteteve të politikës sonë të jashtme.

Skip to toolbar