Arrestohet gazetarja e famshme, kërcënoi ambasadorin Sequi

Autorja dhe skenaristja e RAI TV, Valentina Pizzale, 41 vjeç, është vënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, të enjten. Ajo akuzohet për përndjekje dhe kërcënime ndaj 63-vjeçarit, Ettore Sequi, ish-ambasador i BE-së në Shqipëri, aktualisht pjesë e kabinetit të Di Maio-s në Itali. Prokurori i Romës kërkoi masën paraprake, të urdhëruar nga gjykatësit, pasi Sequi nënshkroi një shkresë ku akuzonte Pizzalen për kërcënimet ndaj tij.

Në vitin 2017, Sequi dhe gazetarja e RAI, patën një lidhje, e cila nuk zgjati shumë. Pasi ndanë, Sequi iu drejtua gjykatës për të mbajtur larg gruan me të cilin kishte pasur lidhje. Herën e parë ai e kishte denoncuar, sepse ajo vazhdonte ta kontaktonte në çdo kohë, duke u përpjekur ta frikësonte apo kërcënuar se do të bënte publike lidhjen e tyre.

Gazetarja, sipas mediave italiane, nuk dëshironte që lidhja e tyre të merrte fund. Por, duke u përballur me rezistencën e Sequi për ta mbajtur  larg vetes, mesazhet e saj kishin ndryshuar përmbajtje.

Ato ishin bërë më të shpeshta dhe të pandërprera. Kur situata arriti kulmin, Prokuroria nisi të hetojë çështjen. Gjatë muajit shtator, mesazhet kërcënuese ishin përshkallëzuar, çka shtyu Prokuroren Maria Monteleone dhe Daniela Cento të kërkojnë arrest shtëpie. Pizzale, tani është në shtëpinë e saj dhe nuk mund të komunikojë me botën e jashtme, madje as nëpërmjet rrjeteve sociale.

Berisha sulm frontal ambasadorit të OSBE

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Bochardt, si njeri “të njëanshëm me Edi Ramën”. “Ndërkombëtarët nuk kanë refuzuar. Bochardt është jashtëzakonisht i njëanësuar me Ramën, por unë nuk besoj se mund të refuzojë angazhimin e ODIHR në reformë. ODIHR nuk pranon të vijë në reformë nëse njëra palë kundërshton”, tha Berisha. 

Më tej, ish-kryeministri, akuzoi dhe kreun aktual të qeverisë, Edi Rama, duke u shprehur se ai kundërshton ardhjen e ODIHR, për të bllokuar negociatat. “Edi Rama e kundërshton ardhjen e ODIHR se dëshiron me çdo kusht të bllokojë negociatat. Nuk pyet për asgjë tjetër përveç karriges së pushtetit ekzekutiv dhe parave të tij. Nëse do të ishte serioz ky, Gjykatat Kushtetuese do të ishte ngritur me kohë, Gjykata e Lartë, SPAK, BKH”, është shprehur Berisha.

Berisha mendon se Reforma Zgjedhore, duhet të jetë lëshimi i parë i Edi Ramës. “Është kusht nga më kryesorët reforma elektorale. Nuk ka kryeministër që do hapjen e negociatave që nuk i thotë opozitës shkruaje vetë dhe hajde ta votoj, mjafton të ruash standardet. Ky i thotë opozitës karroca e trenit, lësho rrugën. Lëshimi i parë në këtë krizë që duhet të bënte kryeministri ishte kjo që ai nuk e bën. Po çfarë humbet ti me reformën elektorale?”, deklaroi Berisha, në një intervistë në Ora News.

Ambasadori në largim i Austrisë tregon detajin, Sattler: Kriza do zgjidhet

Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johan Sattler, ka mbyllur shërbimin në vendin tonë, për të marrë një tjetër detyrë diplomatike, duke shkuar po ambasador, në Bosnje Hercegovinë. Me rastin e largimit të tij nga Shqipëria, është zhvilluar një mbrëmje, ku i ftuar ka qenë dhe kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së tij mbajtur përpara të pranishmëve, ambasadori Sattler, është shprehur se ‘kam bindjen se kriza do të zgjidhet shpejt’, duke lënë të kuptohet, se diçka është duke ndodhur për t`i dhënë fund krizës të tej zgjatur politike në vend.

“Në Shqipëri më thanë se nuk mërzitesh kurrë, dhe në fakt këtë e kam vlerësuar dhe e kam përjetuar gjatë gjithë kohës.  Jam i bindur se do të ketë një zgjidhje të krizës. Jam mjaft i lumtur që këtu ndodhet edhe kryeministri, kemi mjaft miq këtu që kemi punuar ngushtë gjatë këtyre viteve. Këtu nuk ka ndasi etnike apo fetare dhe patjetër ka mundësi për t’u bërë të gjithë së bashku.  Duhet kujdes edhe me fjalët, pasi ato kanë edhe pasoja. Nuk do të ketë demonstrime, mëreni me qetësi dhe shpresoj të qëndroni këtu me mua”, tha Sattler.

Ndonëse nuk dha sqarime për këtë deklaratë, Johan Sattler si pjesë e ambasadave mike të vendit tonë, ka treguar një detaj, se pavarësisht qëndrimeve publike të palëve, nën dhe ka një përpjekje për të kthyer vendin në normalitet. Megjithatë, do të duhet të pritet fillimi i muajit shtator, për të parë rrjedhën e ngjarjeve dhe rolin e Quintit të ambasadorëve, për të kuptuar më qartë se çfarë do të ndodhë me situatën në vend.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama i ka shprehur mirënjohjen ambasadorit austrika, duke u shprehur se është moment shumë prekës, “për t`iu thënë lamtumirë”.  “ Sa i përket Shqipërisë, gjithmonë e duan më shumë atë. Shprehim mirënjohjen për ju ambasador për atë që keni bërë. Një zonjë po kujdeset për ju. Ky është një moment mjaft prekës për t’iu thënë lamtumirë. Na ka bërë të ndihemi mirë dhe na ke pranuar ashtu sikur unë jam. Me të vërtetë, iu duan shumë për gjithçka keni bërë”, tha Rama.

Ish-ambasadori: Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore për shkak të Obamas

Ish-ambasadori britanik në Uashington thotë se beson se presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, sepse sipas tij, kjo marrëveshje ishte e lidhur me emrin e paraardhësit të tij, Barack Obama, thuhet në një dokument që ka rrjedhur në media.

“Administrata është e vendosur mbi një akt të vandalizmit diplomatik, me sa duket për arsye ideologjike dhe arsye të personalitetet – sepse ishte marrëveshje e Obamës”, shkruante Kim Darroch në një kabllogram diplomatik në maj të vitit 2018, thuhet në dokumentet e publikuara të dielën.

Kabllogrami është pjesë e grupit të dytë të dokumenteve që janë publikuar nga gazeta britanike Mail.

Në pjesën e parë të dokumenteve që janë publikuar, e që datojnë prej vitit 2017 deri në ditët e sotme, Darroch ka thënë se administrata amerikane ishte “diplomatikisht e ngathët dhe e paaftë” dhe nuk ka gjasa që të bëhej “më normale; më pak jofunksionale ; më pak e paparashikueshme, me më pak ndarje”.

Presidenti Trump është kundërpërgjigjur duke e quajtur Darroch “budalla”dhe “të krisur” dhe tha se më nuk do të ketë kontakt me asnjë të dërguar të Britanisë.

Darroch dha dorëheqjedhe përmes një letre, më 10 korrik u shpreh se edhe pse mandati i mbaronte në fund të vitit, ai besonte se “në rrethanat e tanishme, gjëja më e përgjegjshme është që të lejojë të emërohet një ambasador i ri”.

Darroch ka kritikuar administratën amerikane, për atë që ai e ka quajtur mungesë të strategjisë afatgjate.

“Ata nuk mund të artikulojnë asnjë strategji afatgjate; dhe kontaktet me Departamentin amerikan të Shtetit këtë mëngjes, sugjerojnë se nuk ka asnjë plan për të komunikuar me partnerët dhe aleatët, qoftë në Evropë apo në rajon”, kishte shkruar më 2018, Kim Darroch.

Marrëveshja bërthamore – e cila i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor – ishte arritur gjatë mandatit të dytë të Obamës.Tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje ka çuar në rritjen e tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit./REL/

Rikonstruktohet çerdhja Nr.17, Veliaj: Çerdhet publike më të mira se privatet

Tiranës i është shtuar një tjetër çerdhe e rikonstruktuar. Bëhet fjalë për çerdhen Nr. 17, ku përfitojnë 120 fëmijë. Investimi për rehabilitimin e kësaj çerdheje është mundësuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit dhe Dhomën e Tregtisë Shqipëri-Izrael.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, Koordinatorin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael, Elton Nake, Kreun e Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi inspektuan përfundimin e punimeve të kopshtit të ri.

“Jam shumë i nderuar sot që e kemi kthyer në një traditë me ambasadorin, që çdo maj e kthejmë në një mundësi për të shërbyer në komunitet, herën e kaluar duke mbjellë pemë, këtë vit duke mbjellë të ardhmen e këtij qyteti që janë fëmijët, djemtë dhe vajzat që shkojnë në çerdhe”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se çerdhet dhe kopshtet e rikonstruktuara ofrojnë standarde shumë herë më të mira se ato në privat. “Nëse ka një gjë që jam krenar këto katër vitet e fundit është se falë punës së bashkisë, por edhe gjithë dashamirësisë së dhomave të tregtisë, ambasadave të ndryshme dhe sipërmarrjeve, çerdhet dhe kopshtet e Tiranës jo vetëm janë më të mira se privati, por edhe më të mira në rajon, ndoshta edhe në shumë vende të tjera të botës. Për këtë standard që kemi vendosur gjithmonë do të pranojmë ndihmën e kujtdo që te ngremë stekën akoma më lart”, deklaroi ai.

Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin siguroi se sikurse është bërë tashmë traditë, mbështetja e shtetit që ai përfaqëson do të vijojë edhe me të tjera projekte. “Këtë vit, kemi menduar për një startup më të mirë për fëmijët, në këtë komunitet, në këtë lagje, është një projekt që nuk do të mund ta kishim realizuar pa mbështetjen e Bashkisë, të Dhomës së Tregtisë. Këtë projekt e realizuam së bashku, dhe jemi vërtet krenarë, dhe duam ta kthejmë këtë në një traditë, dhe vitin tjetër të realizojmë një tjetër projekt në qytetin e Tiranës”, tha Rodkin.

Në kopshtin 17, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme, të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu, janë kryer edhe punimet e jashtme, sistemimi i hapësirës së gjelbër, krijimi i këndeve të lojërave dhe rikonstruksioni i plotë i të gjithë fasadës.

Borchard mesazh studentëve: Mos u keqpërdorni, duhet opozitë serioze

E ndërsa një grup studentësh kanë lajmëruar se do të zhvillojnë protestë sot, ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka reaguar duke dhënë një mesazh. Ai kujton protestat e studentëve të viteve ’70 në Gjermani dhe thotë se edhe atëherë ka pasur përpjekje nga politika që t’i keqpërdornin këto protesta, sikurse ndodh edhe në Shqipëri. Ai u bën thirrje studentëve që të mos ndikohen nga një grup i vogël njerëzish që sulmojnë policinë me bomba molotov, e ndërsa nuk lë pa përmendur opozitën. Borchard thotë se qeveria ka nevojë për një opozitë serioze që të kontrollojë reformat e saj dhe të nxisë qeverinë në ecurinë e tyre.

Opinioni i plotë i ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, BERND BORCHARDT

Të rinjtë – rojtarët dinamikë të demokracisë

Këtë javë, Shqipëria mikpret, për të tretin vit radhazi,“Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së, një takim vjetor i të rinjve nga i tërë rajoni, mbështetur nga qeveria e Sllovakisë, si Kryesuese e radhës e OSBE-së. Së bashku, të rinjtë do të eksplorojnë kulturat dhe idetë e njëri-tjetrit dhe do të diskutojnë për përparësitë e brezit të tyre. Si gjithmonë, ne do t’i presim me fjalë të ngrohta dhe nxitëse. Por, në fakt, unë mund t’u them atyre fare pak. Ata i njohin shqetësimet dhe sfidat e sotme më mirë se unë dhe brezi im. Ata kanëkrijimtarinë dhe qëndresën që ne nuk e kemi.

Si studentë në Gjermani, në mesin e viteve ’70, ne protestuam për të drejtat tona: ashtu si studentët shqiptarë, donim të kishim, me të drejtë, ndikimin tonë në çështjet e universitetit, më shumë fonde shtetërore për fakultetet e tejmbushuradhe për studentët që vinin nga familjet e varfra. Më kujtohet shumë mirë se si grupe të drejtuara nga partitë politike u përpoqën të rrëmbejnë protestat për interesat e tyre më të gjera. (Shpresoj se ka ende lexues që i kujtojnë si unë vitet ‘70!) Ishte një dekadë protestash dhe radikalizmi: përparimesh të rëndësishme në njohjen e të drejtave të grave, përparimi në përfaqësimin studentor në universitete, liberalizimi progresiv të shoqërive shumëkonservatore e nganjëherë autoritare. Të rinjtë ishin zemra e të gjitha këtyre lëvizjeve.

Të rinjtë janë, natyrshëm, motori i idealizmit dhe përparimit shoqëror. Të rinjtë janë më energjikë dhe më pak cinikë; ata ka ëndrra më të mëdha dhe më pak durim. Përgjatë gjithë historisë, të rinjtë kanë spikatur në të gjitha lëvizjet popullore, që kanë sfiduar sistemet e kalbura politike dhe kanë siguruar përparime në të drejtat e njeriut.

Në Shqipëri, kemi parë dinamizmin dhe ndikimin e angazhimit dhe idealeve tëtë rinjve. Të rinjtë shqiptarë udhëhoqën fushatën kundër importit të mbetjeve; të rinjtë përdorën energjinë dhe krijimtarinë e tyre për të protestuar kundër projekteve hidrike në rajonet e bukura e të mbrojtura të vendit; në fund të vitit të kaluar, të rinjtë fituan respekt të gjerë për fushatën e tyre të gjatë dhe vërtet kombëtare për standarde dhe kushte në arsim.

Ky ishte idealizëm ndërthurur me vendosmëri, radikalizëm ndërthurur me respekt. Ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje Molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private.

Të rinjtë e angazhuar janë një element i fuqishëm i një shoqërie civile, që duhet të ketë një rol unik dhe jetik në mbikëqyrjen dhe përmirësimin e shëndetit të demokracisë në Shqipëri. Demokracia është më e mirë nëse qeveria kontrollohet dhe sfidohet vazhdimisht nga një ekip i plotë lojtarësh legjitimë: organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile; media vërtet të lirë dhe dinamike; institucione të pavarura; komisione parlamentare. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja ka projekte për të nxitur dhe mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve, grave dhe grupeve të margjinalizuara në debatin politik dhe në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim punën e institucioneve të pavarura – Avokatëve të Popullit dhe Komisionerëve të ndryshëm – dhe pse nxisim që raporteve të tyre t’u kushtohet më shumë vëmendje në Kuvend. Kjo është arsyeja pse ne vijojmë të punojmë me deputetët e të gjitha partive për të forcuar funksionin mbikëqyrës të komisioneve parlamentare. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja merret me rastet e gazetarëve të veçantë të kërcënuar, dhe pse kemi një projekt afatgjatë, me mbështetjen e BE-së, për të forcuar pavarësinë dhe cilësinë e RTSH-së.

Ne vazhdojmë t’u themi atyre që janë brenda dhe jashtë parlamentit – dhe këtë e përforcojmë me punën tonë këtu – se qeveria ka nevojë për opozitë demokratike më serioze dhe më efektive. Qeveria ka nevojë të sfidohet dhe kritikohet; ajo ka nevojë të shtyhet drejt reformave që synojnë shqiptarët.

Është klishe të thuash se të rinjtë janë e ardhmja, se e ardhmja u takon atyre. Kjo është e vërtetë, por vetëm nëse të rinjtë janë të gatshëm ta kapin atë të ardhme për vete, t’ia marrin brezittë vjetër dhe t’i japin formë sipas nevojave të tyre. E ardhmja e Shqipërisë varet nga pjesët më energjike të shoqërisë civile dhe të të gjitha elementevetë tjera të mbikëqyrjes demokratike, në media, nëinstitucione të pavarura e gjetkë, duke marrë përgjegjësinë e tyre me vendosmërinë më të madhe dhe duke e përmbushur atë me përkushtim të sinqertë për ndryshime rrënjësore.

“Ende ka hije të së kaluarës në Shqipëri, refuzohet dialogu me kundërshtarin”

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka dhënë mesazhe të qarta për politikën shqiptare, ndërsa ka reaguar për herë të parë pas sulmit në rezidencën e tij me shënimin në mur “turp të kesh”.

Ambasadori Borchardt ka qenë sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”, ku ka bërë krahasime të regjimit komunist me zgjatime dhe sjellje të ngjashme të politikës së sotme.

Borchardt tha se zgjatime të së kaluarës totalitare ka ende dhe në Shqipëri dhe se sulmohet kush vendos fakte kundër mitit.

“Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit.

Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, u shpreh ai.

Kohët e fundit ambasadori i OSBE-së është sulmuar nga përfaqësues të opozitës.

“Ambasadorin Borschardt e kanë kërcënuar fizikisht tek dera e rezidencës”

Jo vetëm kanë shkruar parrulla kundër tij, por ambasadorin e OSBE-së e kanë kërcënuar fizikisht te dera e rezidencës së tij diplomatike në Tiranës.

“Shefin e OSBE-së Bernd Borschardt e kanë kërcënuar dhe verbalist”, kështu u shpreh mbrëmë në emisionin Real Story, gazetari Sokol Balla.

Pra veç parrullave qe kane shkruar kunder tij ne hyrje te baneses, persona te panjohur jane ngjitur ne katin ku banon diplomati i larte i OSBE dhe e kane fyer dhe e kane kercenuar ambasadorin.

BE kërkon dialog: Opozita të futet në zgjedhje

Bashkimi Europian është i qartë në kërkesën e tij drejtuar politikës shqiptare: “Është koha për dialog”.  Kështu u shpreh sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, teksa theksoi se palët duhet të ulen në bisedime dhe se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

“Ne shpresojmë që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ne kërkojmë që opozita të jetë prezente. Tani është koha për dialog. Opozita duhet të flasë mes vetes dhe me qeverinë në mënyrë që të kemi pjesëmarrje”, tha Soreca për mediat pasi doli nga një takim me komisionarin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Jam shumë i nderuar që kisha  të vizitojë zyrën këtu dhe të bisedoja me të gjithë personelin këtu. Kjo zyrë është shumë e rëndësishme si për vendin tuaj ashtu dhe për qytetarët. Ishte kënaqësi për mua që komisioneri më tha se ankesat që nga viti 2014 janë 10-fishuar. Kjo do të thotë se qytetarët e Shqipërisë tashmë janë të ndërgjegjësuar se në rast se e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale shkelet ata kanë të drejtën të ankohen pranë institucioneve. Besoj që ju e dini se legjislacioni i BE për mbrojtjen e të dhënave personale është një ndër më të mirat. Shohim se Shqipëria po harmonizon legjislacionin e saj me atë të BE”, tha Soreca.

Skip to toolbar