Janë luajtur disa nga takimet më të rëndësishme të javës së nëntë të kampionatit gjerman të futbollit këtë të shtunë. Bayern Munich fitoi ndaj Union Berlin me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në krye të renditjes me 18 pikë, një më shumë se Freiburg, ku luan mesfushori i kombëtares Amir Abrashi. Pavard dhe Lewandowski ishin autorët e golave për Bayern, ndërsa Polter shënoi golin e vetëm për Union Berlin.
Nuk ndalet as Freiburg, që duket se këtë sezon do të ketë ambicie të mëdha në Bundesliga. Skuadra ku aktivizohet Abrashi, fitoi në shtëpi 2-1 ndaj Leipzig, me gola të Hofler dhe Petersen, ndërsa Klostermann realizoi në fund të takimit për miqtë. Ndërkohë, Abrashi nuk ishte i grumbulluar për këtë ndeshje.
Hoffenheim fitoi në transfertë ndaj Hertha Berlin me rezultatin 3-2, ndërsa Paderborn,ekipi i mesfushorit tjetër të kombëtares, Klaus Gjasula, mundi Dusseldorf me rezultatin 2-0 duke marrë fitoren e parë në kampionat pas nëntë javësh. Mesfushori kuqezi luajti titullar. Megjithatë, tre pikët e lënë ekipin e Gjasulës në vendin e fundit të Bundesliga me 4 pikë në total.
Dortmund barazoi pa gola me Schalken, ndërsa Werder Bremen barazoi 2-2 me Bayern Leverkuse, me një nga golat e shënuar nga Milot Rashica. Borussia Dortmund mban vendin e tretë në renditje me 16 pikë, ndërsa Schalke ndodhet në vendin e 7 me 15 pikë. Bremeni i Milot Rashicës është në vendin e 12 me 10 pikë, shumë larg zonës së kupave të Europës.