KLP i jep “ok” Krajës për dy prokurorë shtesë të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi kërkesën e kreut të SPAK, Arben Kraja, që prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara të bëhen përkohësisht pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Kërkesa e Krajës u miratua me 9 vota pro nga anëtarët e KLP, duke plotësuar SPAK me 10 prokurorë, aq sa është numëri minimal i funksionimit të kësaj strukture. Kujtojmë se dy  prokurorët kanë hetuar më parë dosje të “nxehta” të politikës shqiptare, kur ata ishin pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dritan Prençi ishte prokurori që hetoi dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa Mara hetoi dosjen e përgjimeve të votave në Durrës. Të dy prokurorët nuk janë të panjohur edhe për SPAK. Vladimir Mara dhe Dritan Prençi ishin kandidatë për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar. Por, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara nuk arritën të ishin pjesë e listës fillestare me 15 prokurorë që KLP përzgjodhi për tu bërë pjesë e SPAK.

Në fakt, të dy prokurorë, Mara dhe Prençi e kishin kaluar me sukses Vettingun por ata nuk morën pikët e mjaftueshme për të qenë pjesë e listës me 15 kandidatë për SPAK. Por, Arben Kraja, kreu i SPAK, vlerëson se dy prokurorët janë të vetmit që plotësojnë kushtet ligjore për tu emëruar përkohësisht anëtar të SPAK deri në hapjen e procedurës për emërimin e anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme.

Kreu i SPAK, Kraja: Kush shkel ligjin duhet të trembet

Kreu i sapozgjedhur i SPAK, Arben Kraja tha se të gjithë ata që shkelin ligjin duhet të tremben dhe se shqiptarët duhet të kenë besim tek SPAK për punën  e drejtë që do të kryejnë. Gjatë një deklarate për mediat, Kraja tha se do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët ku ka thënë se do të përpiqen të ndryshojnë edhe opinionet negative.

“Besoj se do të e çojmë bashkë me të gjithë të tjerët atë që kemi nisur. Pa diskutim si të gjithë të tjerët. Dosjet ata që janë do të zgjidhen të gjitha me radhë. Ka qenë një nga prioritete tona që kemi vendosur për të rakorduar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për të rivlerësuar opinionin negativ për punën tonë. Sot shqiptarët duhet të besojnë se të gjithë ne si grup do të punojmë. I ashpër brenda ligjit kush shkel ligjin duhet të trembet” tha Kraja.

Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar me 6 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.      

Arben Kraja zgjidhet në krye të SPAK. Fiton garën me Dumanin favorit

Prokurori Arben Kraja është zyrtarisht drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar. Ai u votua nga gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët argumentuan se vota e tyre shkonte për Arben Krajën për shkak të eksperiencës së gjatë në drejtim. Ata që votuan ‘pro’ Krajës janë anëtarët e KLP; Beci, Staka, Beluri, Sheshi, Seiti dhe Balla 

Ndërkohë, kandidati kryesor dhe rivali kryesor i Arben Krajës, Altin Dumani u skualifikua nga gara, pasi mori vetëm 4 nga 6 votat minimale që duheshin për të fituar. Anëtarët e KLP që e votuan ‘pro’ janë: Esmeralda Cani, Besnik Cani, Tartar Bazaj dhe Arben Dollapaj. 

Kujtojmë se Altin Dumani ishte renditur i pari në listën e SPAK me shumë pikë se çdo kandidat tjetër. Ndërkohë, kandidati tjetër, Edvin Kondili, u votua vetëm nga kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Para se të niste mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kandidati, tashmë kryetar i SPAK, Arben Kraja kërkoi nga KLP përjashtimin nga votimi të anëtarit Tartar Bazaj. Sipas kërkesës së Arben Krajës, Bazaj kishte konflikt interesi me të.

Votimi për përzgjedhjen e kryetarit të SPAK u bë me dyer të mbyllura në KLP, ndonëse një pjesë e anëtarëve kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura. Paraditen e të enjtes 8 prokurorët që u emëruan nga KLP në SPAK, bën betimin te presidenti.

Skip to toolbar