KLP i jep “ok” Krajës për dy prokurorë shtesë të SPAK

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi kërkesën e kreut të SPAK, Arben Kraja, që prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara të bëhen përkohësisht pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Kërkesa e Krajës u miratua me 9 vota pro nga anëtarët e KLP, duke plotësuar SPAK me 10 prokurorë, aq sa është numëri minimal i funksionimit të kësaj strukture. Kujtojmë se dy  prokurorët kanë hetuar më parë dosje të “nxehta” të politikës shqiptare, kur ata ishin pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dritan Prençi ishte prokurori që hetoi dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa Mara hetoi dosjen e përgjimeve të votave në Durrës. Të dy prokurorët nuk janë të panjohur edhe për SPAK. Vladimir Mara dhe Dritan Prençi ishin kandidatë për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar. Por, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara nuk arritën të ishin pjesë e listës fillestare me 15 prokurorë që KLP përzgjodhi për tu bërë pjesë e SPAK.


Në fakt, të dy prokurorë, Mara dhe Prençi e kishin kaluar me sukses Vettingun por ata nuk morën pikët e mjaftueshme për të qenë pjesë e listës me 15 kandidatë për SPAK. Por, Arben Kraja, kreu i SPAK, vlerëson se dy prokurorët janë të vetmit që plotësojnë kushtet ligjore për tu emëruar përkohësisht anëtar të SPAK deri në hapjen e procedurës për emërimin e anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme.




Skip to toolbar