“Basha u tërhoq nga ultimatumet, s’ka zgjedhje pa kod të ri”

Deputeti socialist Arben Pëllumbi tha se nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa u miratuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në kodin e ri elektoral. Ndërsa ndryshimin e kursit politik të Bashës, Pëllumbi e sheh si një largim të tij nga ultimatumet dhe veprimet ekstremiste, të cilat i rezultuan të dështuara. Ai tha se Basha përmes zgjedhjeve të parakohshme largohet nga ultimatumet, pasi e di shumë mirë që nuk mund të ketë zgjedhje pa një kod të ri elektoral që të paraqesë rekomandimet e OSBE-së. Deputeti socialist tha se pavarësisht kodit të ri, në klasën politike duhet instaluar kultura që humbësi të pranojë rezultatin dhe të lejojë fituesin të qeverisë.

Kemi dorën e shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje qoftë edhe të 2021 nëse nuk materializojmë ndryshimet e kodit zgjedhor që janë kërkuar të paktën nga OSBE. Rruga e këtyre ndryshimeve për kodin zgjedhor kalon përmes komisionit në parlament. Basha mori akt ekstrem që rezultoi i dështuar. Duhet të kërkojnë falje për atë që bënë pastaj të heqin ultimatumet dhe lëvizjen e Bashës e shoh si një tërheqje nga ultimatumet. Që të kalojmë në çfarëdo lloj zgjedhjesh kemi nevojë për kod të ri zgjedhor dhe pa instaluar kulturën që humbësi t’i japë dorën fituesit dhe ta lejojë fituesin të bëjë qeverisjen e tij ne nuk mbërrijmë në ndonjë gjë. Nuk është as kodi dhe as sistemi ai që i bën një palë zgjedhje më të mira ose më të këqija. Është mënyra se si ne i zbatojmë dhe se si ne sillemi ditën e nesërme, a vëmë Shqipërinë apo partinë mbi të gjitha”, tha Pëllumbi.

Këto deklarata deputeti socialist i bëri pas mbledhjes së strukturave të PS në Shkodër, ku ka pasur dhe debate të forta që lidhen me mënyrën e ristrukturimit dhe riorganizimit të PS, që ndodhet në prag zgjedhjesh brenda partisë. Lidhur me situatën në bashkinë Shkodër, deputeti Pëllumbi tha se nuk mund të ketë zgjedhje të pjesshme pa pasur një date të dekretuar nga Presidenti.

Riorganizimet edhe për debatet bëhen dhe takimi kishte në qendër riorganizimin. Partia Socialiste në gjithë Shqipërinë është në proces zgjedhjesh dhe për këtë shërbente kjo mbledhje në Shkodër. Është krejtësisht normale që të ketë debate sepse forcat politike janë organizime vullnetare dhe ka arsye të caktuara që e bëjnë këtë. Nuk përjashtohet mundësia që individë të caktuar të kenë probleme personale. Situata në bashkinë Shkodër duhet të marrë zgjidhje përmes Presidentit të Republikës duke shpallur një datë për zgjedhje të pjesshme në bashkinë Shkodër, rrugë tjetër nuk ka”, tha Pëllumbi.

Skip to toolbar