“Policia mblodhi 104 milionë lekë”, Veliu: Do ndihmojmë në hetimet e prokurorisë

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi mirënjohjen dhe falënderimin ndaj forcave të policisë që u angazhuan në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga tërmeti. Veliu tha se punonjësit e policisë u bën pjesë e grupeve të kërkim-shpëtimit, duke rrezikuar jetën e tyre. Gjithashtu, Policia punoi në disa drejtime për të përballuar situatën emergjente.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nisur nga: -përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit; dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë; garantimi i rendit dhe sigurisë; disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve; sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie. Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit”, tha Veliu.

Më tej, Veliu tha se Policia e Shtetit është organizatë ligjzbatuese por dhe humane e solidare. Sipas tij, të gjithë Punonjësit e Policisë kontribuan duke mbledhur 104 milion e 350 mijë lekë, të cilat u depozituan në platformën e-albania, dhe do të përdoren për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti.

“Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104  milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, tha Veliu.

Në përfundim të fjalës së tij, Ardi Veliu u shpreh se Policia e Shtetit do të punojë për të administruar provat dhe ndihmuar hetimet e Prokurorisë, për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për shembjen e banesave.    

“Së treti, dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit  për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë  apo nëpunës të administratës)”, tha Veliu.

Në fund ai i bëri dhe një apel politikës “Prandaj apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër”, përfundoi Veliu.

Policia në ‘LIMIT’ godet 4 banda, 57 persona në pranga

Të paktën 57 persona janë arrestuar, 8 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe 4 grupe kriminale që operonin në trafikun e drogave të forta brenda dhe jashtë vendit janë shkatërruar. Ky është bilanci paraprak i operacionit “LIMIT”, i organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit i koordinuar me policinë greke. Në një deklarartë të përbashkët për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, kanë treguar detajet e aksionit, që u zhvillua prej mëngjesit të së enjtes në territorin e vendit tonë.  “Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore. Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim”, tha ndër të tjera Veliu.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka dhënë vetëm inicialet e personave të arrestuar, moshën dhe vendbanimin e tyre. Konkretisht, në prangat e Plicisë së Shtetit janë vënë shtetasit: S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korcë; F. Ç. alias F. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier;  A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.

Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis,  një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete. Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,  “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në fakt, operacioni ka nisur më herët në shtetin grek, në bazë të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2016. Autoritetet ligjzbatuese shqiptare dhe ato greke, prej vitit 2016 deri në vitin 2019, kanë shkëmbyer vazhdimisht informacion mes tyre, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të personave të arrestuar dhe atyre të shpallur në kërkim. Më herët, autoritetet greke kishin vënë në pranga 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve. Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë.

Fluksi në Morinë, Veliu, apel policëve: Kujdes nga abuzimet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e para të mëgjesit të mërkurës ka bërë një inspektim në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Morinë ku ka kërkuar angazhim maksimal në shërbim të qytetarëve por edhe rritjen e kontrolleve të automjeteve në rast se dyshohet për paligjshmëri. Veliu ka bërë të ditur se në periudhat e fluksit shtohen rastet e paligjshmërisë ndaj dhe duhet të ushtrohet kontroll në vijën e dytë kur ka raste të dyshimta.

Policia kufitare në periudhën e sezonit turistik ka marrë masa shtesë me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit.

Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.

Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.

Veliu gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë kufitare u kërkoi atyre që gjatë sezonit shërbimet e policisë qoftë për pikën e Morinës, qoftë për kufirin e gjelber të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjithashtu Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjate inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjesit e Policisë kufitare të Kosovës.

Gjatë mëngjesit të mërkurës ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas.

Katër oficerë nga Shqipëria do të hetojnë në Malin e Zi

Policia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi do të kenë baskëpunim të intensifikuar gjatë sezonit turistik. Të mërkurën është firmosur  Protokolli i bashkëpunimit gjatë sezonit turistik, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe homologu i tij malazez, VEselin Veljovic.

Në zbatim të këtij protokolli, Policia e Shtetit do të dërgojë në Malin e Zi 4 oficerë policie, dy prej të cilëve nga shërbimet e Policisë Kriminale dhe Strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e krimeve dhe dy të tjerë nga shërbimet e Rendit dhe Sigurisë Publike, për periudhën kohore  deri më 31 gusht. Ata do të kryejnë shërbimet e tyre në Stacionet Policore të Ulqinit dhe Budvës.

Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, së bashku me përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi, do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dhe parandalimin e veprave kriminale si: trafikimin e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm, prostitucionin, trafikun e lëndëve narkotike, mashtrimet me policat e sigurimit për mjetet motorike, mashtrimet me kartat e kreditit dhe me shkëmbimin e parasë, falsifikimin e parave dhe dokumenteve personale, prishjen e qetësisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore, forcimin  e sigurisë në rrugë, etj.

Sezoni turistik bën bashkë policinë shqiptare dhe atë të Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj firmosën në prizren “Memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019”, nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet tona.

Ky Memorandum thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet tona.

Punonjësit e Policisë së Kosovës, së bashku me punonjësit e Policisë Rrugore të Policisë së Shtetit, nga 1 korriku deri në 31 gusht 2019, do të kryejnë shërbime të përbashkëta në territorin shqiptar. Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave funksionale, nuk do të ketë kompetenca policore ekzekutive dhe nuk do të mund të ndërmerren aktivitete, për të cilat është kompetent oficeri i palës pritëse.

Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës do të kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së Kosovës.

Skip to toolbar