Policia në ‘LIMIT’ godet 4 banda, 57 persona në pranga

AKTUALITET


Të paktën 57 persona janë arrestuar, 8 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe 4 grupe kriminale që operonin në trafikun e drogave të forta brenda dhe jashtë vendit janë shkatërruar. Ky është bilanci paraprak i operacionit “LIMIT”, i organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit i koordinuar me policinë greke. Në një deklarartë të përbashkët për shtyp, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, kanë treguar detajet e aksionit, që u zhvillua prej mëngjesit të së enjtes në territorin e vendit tonë.  “Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore. Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim”, tha ndër të tjera Veliu.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka dhënë vetëm inicialet e personave të arrestuar, moshën dhe vendbanimin e tyre. Konkretisht, në prangat e Plicisë së Shtetit janë vënë shtetasit: S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korcë; F. Ç. alias F. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier;  A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.


Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis,  një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete. Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,  “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në fakt, operacioni ka nisur më herët në shtetin grek, në bazë të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2016. Autoritetet ligjzbatuese shqiptare dhe ato greke, prej vitit 2016 deri në vitin 2019, kanë shkëmbyer vazhdimisht informacion mes tyre, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të personave të arrestuar dhe atyre të shpallur në kërkim. Më herët, autoritetet greke kishin vënë në pranga 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve. Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë.




Skip to toolbar