Tirana ka nisur punën për sezonin e ri, duke firmosur me dy lojtarë, nga më të mirët në kampionatin tonë. Bëhet fjalë për argjentinasin Agustin Torasa dhe brazilianin Elton Cale, të dy futbollistë që sezonin e shkuar luajtën me Flamurtarin.
Me argjentinasin, skuadra bardheblu ka nënshkruar një kontratë një vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Ai do të bashkohet me ekipin bardheblu në fillim të muajit tjetër, kohë kur skuadra do të nis përgatitjet për sezonin e ri.
Ndërkohë, mesfushori Elton Cale ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me ekipin bardheblu, duke u bërë një nga afrimet më të rëndësishme për skuadrën, që edhe sezonin e ri do të drejtohet nga Ardian Mema.
Elton Cale është ish-futbollist i Flamurtarit sezonin e shkuar, ekip me të cilin u aktivizua shumë pak për shkak të problemeve gjyqësore që pati mes Flamurtarit dhe Kukësit, ndërsa tani pritet që braziliani të japë kontributin e tij për përmbushjen e objektivave të Tiranës.
Më herët, Tirana njoftoi zyrtarisht edhe nënshkrimin e kontratës së re me trajnerin Ardian Mema, i cili do të vijojë të drejtojë për një vit skuadrën bardheblu.
Tashmë pritet që në skaudër të ketë afrime të tjera, teksa ende nuk janë bërë të ditur lojtarët që do të largohen nga klubi, të cilët nuk janë në planet e trajnerit për sezonin e ardhshëm.