As Vangal e as Ancelotti, Robben zgjedh Guardiolën: Është i shkëlqyer

Arjen Robben ka zgjedhur Pep Guardiolën si trajnerin më të mirë me të cilin është stërvitur. Në një intervistë dhënë për gazetën gjermane Bild, Robben ka treguar se kush është sipas tij, trajneri më i mirë. “Kur ai mbërriti te Bayern, unë isha 30 vjeç. Në atë moshë thjesht duhet të përpiqesh të jesh konstant dhe të mos përkeqësohesh. Por me drejtimin e tij isha dhe më i mirë”, ka thën Robben për Guardiolën.

Pas 10 sezonesh në radhët e Bayern Munich, Arjen Robben u largua në moshën 35 vjeçare nga klubi bavarez, duke i dhënë fund karrierës së tij me këtë klub, por edhe asaj sortive. Gjatë një dekade në Bavari, Robben fitoi tetë tituj në Bundesligë, duke u trajnuar nga pesë trajner: Van Gal, Heynckes, Guardiola, Ancelotti dhe së fundmi Niko Kovaç.

Nga të gjithë ata, përveç pjesës tjetër të trajnerëve që ka pasur, Robben zgjedh Guardiolën si më të mirin. “Është një vendim i vështirë. Unë kam përjetuar shumë gjëra të bukura me shumë trajnerë. Por nëse më pyet se kush është më i miri, unë them Pep Guardiola. Sa i përket futbollit, është i shkëlqyer”.

“Gjatë kohës që Pep drejtoi Bayern, unë arrita të luaj në pozicione të tjera, gjë që kurrë s`mund ta mendoja më parë. Ai ishte më i miri”, ka thënë Robben. Tashmë në pension si futbollist profesionist, Arjen Robben ka vendosur të jetë trajneri personal i të birit.

Ribery e Robben e mbyllin mes lotësh gëzimi, Bayern Munich fiton Bundesliga-n (video)

Bavaria do të vijojë të jetë mbretëria e futbollit gjerman deri në përfundim të sezonit të ardhshëm. Mes një atmosfere të jashtëzakonshme të tifozerisë në “Allianz Arena”, Bayern Munich ka triumfuar ndaj Frankfurtit dhe ka festuar titullin e 7-të radhazi në Bundesligë dhe të 29-in në historinë e klubit.

Ka qenë një ndeshje emocionuese, jo vetëm sepse Bayernit i duhej fitorja për të konfirmuar fitoren e titullit në Bundesliga, por sepse kjo ishte ndeshja e fundit e Franck Ribéry dhe Arjen Robben, dy nga lojtarët më të rëndësishëm për Bayernin gjatë kësaj dekade, të cilët tashmë do të largohen nga klubi bavarez.

Skuadra e Niko Kovaç arriti të shënonte që në minutën e katërt me Coman. Në pjesën e dytë Haller ka barazuar në minutën e 50′, por tre minuta më vonë Alaba ka kaluar përsëri në avantazh Bayern-in. Sanches në minutën e 58′ ka trefishuar për Bayernin.

Megjithatë, stadiumi bavarez ka shpërthyer në ovacione dhe ekzaltim në minutën e 72′ dhe të 78′, kur Ribery dhe Robben kanë realizuar golin e katërt dhe të pestë para tifozëve të Bayernit. Kështu, dy lojtarët i kanë dhënë fund në mënyrën më të mirë të mundshme historisë së tyre me Bayern Munich.

Bayern e zyrtarizon, Ribery largohet në fund të sezonit!

Franck Ribery nuk do të rinovojë kontratën me Bayern, e cila skadon më 30 qershor. Sulmuesi 35-vjeçar do të largohet në fund të sezonit së bashku me shokun e tij të skuadrës Arjen Robben, duke i dhënë fund aventurës gati 12 vjeçare me Bayern Munich.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi bavarez, teksa citon edhe futbollistin francez, që ka folur për kanalin zyrtar të klubit. “Kur erdha në Bavari, një ëndërr u bë realitet. Lamtumira nuk do të jetë e lehtë, por kurrë nuk do ta harrojmë atë që kemi arritur së bashku, pasi kemi fituar mbi 20 trofe gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Ribery.

Karl-Heinz Rummenigge, Presidenti i Bayern, thotë: “Franck dhe Arjen janë lojtarë të mëdhenj. Bayern u është shumë falenderies atyre, dhe do të përgatisë një lamtumirë të madhe dhe emocionuese. Ata kanë ndihmuar në krijimin e dekadës më të suksesshme të Bayern-it në futboll”, ka thënë numri një i klubit.

Arjen Robben njoftoi largimin e tij nga Bayern në fund të vitit 2018, teksa u shpreh se me mbylljen e sezonit ai do të largohej nga Munich. Sakaq, klubi ka menduar që gjatë sezonit të ardhshëm të organizojë dhe një ndeshje lamtumire për dy yjet e saj.

Skip to toolbar