Policia e Vlorës ka sekuestruar një sasi bime narkotike
dhe ka vënë në pranga 4 shtetas si kultivues të saj. Gjatë aksionit të koduar “Beshishti”,
u sekuestruan 45 fidanë kanabis të mbjella në tokë dhe 100 kubikë të kultivuar
me fara kanabis. Lënda narkotike u sekuestrua në pyllin e fshatit Beshisht, ndërsa
u vunë në pranga 4 persona të kapur në flagrancë , konkretisht shtetasit S. Z.,
24 vjeç, banues në Vlorë, D. H., 25 vjeç, banues në Llakatund, A. B., 34 vjeç,
banues në Peshkëpi, P. K., 47 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tyre u bë pasi
këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të
kultivimit të bimëve narkotike.
Po nga kontrolli i territorit në zonën e
Selenicës, në një zonë të pyllëzuar në Gjormë u gjetën edhe 40 fidanë kanabis. Në
lidhje me këtë ngjarje, u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre”
kryeplaku i fshatit Gjormë P. S., 49
vjeç, dhe inspektori i Drejtorisë së
Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë, A. V., 56 vjeç.
Policia e Korçës ka vënë në pranga babë e bir,
të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike dhe tregtim të tij. Ndalimi
i tyre u bë gjatë kontrolleve rutinë të policisë, ku në makinën tip “Volkswagen”
me të cilën po udhëtonin D.L, 19 vjeç
dhe Xh.L, 51 vjeç, (atë e bir), banues në fshatin Gjonomadh, iu gjet një sasi lënde
narkotike.
Pas arrestimit, policia vijoi kontrollin edhe
në banesën e tyre në fshatin Gjonomadh, ku u gjetën të kultivuara bimë narkotike
kanabis sativa.
Për këtë ngjarje policia nisi edhe një
procedim penal për kryeplakun e fshatit Gjonomadh, N.S, 40 vjeç, për “Shpërdorimi
i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Dy të rinj
i kanë zënë pritë një efektivi të policisë për ta dhunuar atë, pasi një ditë më
parë kishte shoqëruar njërin prej tyre në komisariat. Ngjarja ka ndodhur në
Gramsh, ku dy të rinjtë me iniciale E.Sh., 25 vjeç, dhe K.B., 24 vjeç, u
arrestuar nga policia.
25-vjeçari
ishte shoqëruar një natë më parë në ambientet e Komisariatit të Policisë pasi
ishte konfliktuar me disa të tjetër gjatë një feste të organizuar nga Bashkia
Gramsh dhe në përfundim të veprimeve është lënë i lirë. Ky shtetas në
bashkëpunim me 24-vjeçarin gjatë ditës së hënë i kanë zënë pritë punonjësit të
policisë që e kishte shoqëruar në Komisariat dhe kanë tentuar ta godasin për
shkak të detyrës .
Në ndihmë të punonjësit
të policisë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme duke bërë shoqërimin dhe më pas
arrestimin e tyre për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës” e
kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Një 19-vjeçar me iniciale nga Turqia është
vënë në prangat e policisë në Rinas pasi dyshohet se ka hyrë në mënyrë të
paligjshme në territorin e Shqipërisë.
Policia
ka arrestuar një shtetas turk në Rinas, pasi po tentonte të largohej nga Shqipëria
me pasaportë të falsifikuar franceze. Në pranga u vu 19-vjeçari nga Turqia, i
cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë.
Nga kontrolli i ushtruar 19-vjeçarit iu gjet
një pasaportë franceze e falsifikuar duke bërë edhe arrestimin e tij. Shtetasi
turk do të përballet me akuza për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit
shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i
letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”.
Interpol Tiranë ka
kryer dy arrestime të personave të shumëkërkuar nga drejtësia me qëllim ekstradimin
e tyre në vendet ku pritet të vuajnë dënimin. Rasti i parë lidhet me një shtetas
bleg, i cili është arrestuar me qëllim ekstradimin në Belgjikë ku akuzohet për
trafikim lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. 26-vjeçari
me iniciale K. Q. ishte pjesëtar i një organizate kriminale në fushën e
trafikimit të drogave të forta kokainë.
Gjithashtu në territorin
e Shqipërisë u kap edhe një shtetas kosovar, i cili akuzohet për vjedhje në
Zvicër. 24-vjeçar nga Kosova me inicialet H. B dyshohet se ka kryer 21 vjedhje banesash
duke marrë shuma të mëdha parash dhe objektesh me vlerë. Ai do të gjykohet në
Zvicër për veprat penale “Vjedhja”, “Dëmtim prone” dhe “Dhunim banese.
Një shqiptar i kërkuar
nga drejtësia italiane prej 4 vitesh është kapur gjatë pushimeve që po kalonte
me të dashurën e tij.
Policia italiane ka
arrestuar shtetasin shqiptar B.A. në një hotel ku po pushonte së bashku me të
dashurën. Shqiptari akuzohet për vjedhje, tregtim droge dhe plaçkitje, ndërsa kërkohej
nga drejtësia italiane që prej 2015. Veprimtarinë e tij kriminale e ushtronte
në Milano dhe policia italiane kishte humbur gjurmët e tij.
Shqiptari mendonte se
4 vite do të mjaftonin që ai të harrohej, por ai u gjurmua nga kartat e
përdoruara në hotelet në të cilat pushonte.
Një person është arrestuar pasi u kap duke
vjedhur në një qendër tregtare në Fier. Mirëpo arrestimi i tij i ka zbardhur
edhe disa vjedhje të tjera të kryera më herët.
Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale F.G.,
31 vjeç, i cili u arrestuar në flagrancë nga policia e Fierit duke vjedhur rroba
në një qendër tregtare. Pas hetimeve të policisë në fakt rezultoi se ky person kërkohej
edhe për kryerjen e të paktën 3 vjedhjeve të tjera kohët e fundit.
31-vjeçari riu është autor i dyshuar edhe i
disa vjedhjeve të tjera, konkretisht:
-Në datë 04.07.2019 dyshohet se ka vjedhur
disa metra kabëll elektrik në lagjen “Kryengritja”.
-Në datë 07.07.2019 dyshohet se ka vjedhur
disa metra kabëll elektrik në lagjen “8 Shkurti”.
-Në datë 09.07.2019 dyshohet se ka vjedhur
disa metra kabëll elektrik në qytetin e Fierit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës
Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.
Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia pasi
lëvizte me pistoletë në plazhin e Durrësit. Në pranga ka rënë shtetasi me
iniciale S.Xh., 19 vjeç, i cili ishte banues në Shkodër.
Arrestimi i tij u bë në flagrancë pasi gjatë
kontrollit fizik, ai u kap me një pistoletë me silenciator dhe një krehër me 5 fishekë.
I riu lëvizte gjatë bregdetit por edhe në
qytet me armë me vete, ndërsa u pikas nga forcat e policisë që bënë edhe arrestimin
e tij.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Policia e Tiranë ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur një tjetër në kërkim, pasi akuzohet se i vendosnin gjoba dhe kanosnin për të marrë pasuri shtetasve të ndryshëm. Këta persona vepronin si një grup i strukturuar kriminal që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanosnin me gjoba dhe dhunë shtetas të ndryshëm për marrje të parave dhe pasurive të tyre. Ato akuzohen si autor të disa ngjarjeve, të ndodhur në periudha të ndryshme kohore, të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie në qytetin e Tiranës.
Arrestimi i tyre u bë gjatë operacionit të
koduar “Përsëritësit“ për goditjen e
veprimtarisë kriminale në fushën e gjobvënies. Në pranga ranë shtetasit:
– E.G.,.30 vjeç, banues në Tirane, me
precedent penal në fushën e gjobvënies;
– I.B., 18 vjeç, banues në Tiranë.
-Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një 35
vjeçari, me banim në Tiranë.
Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë
12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro.
Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna
intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve
të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona.
Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim”.
Një person është arrestuar nga policia, pasi
ishte thyer në makthin e moshës së tretë, të cilëve u vidhte nga qafa varëset e
floriri.
Policia e Korçës ka arrestuar shtetasin me
iniciale E.R., 35 vjeç, i cili akuzohet për të paktën 5 raste të vjedhjes së varëseve
të floririt të disa shtetasve të ndryshëm. Këto vjedhje ishin kryer në kohë dhe
vendndodhje të ndryshme, konkretisht në lagjen nr. 3 dhe nr. 12 dhe në datat 17
dhe 26 korrik të 2019.
35-vjeçari, i cili tashmë është arrestuar pritet
të dalë para drejtësisë për akuzat e vjedhjes.