Shpërndanin heroinë në Tiranë, 2 në pranga

Dy të rinj u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike në kryeqytet gjatë operacionit të koduar “Kombinati”. Dy të arrestuarit Klajdi Balla, 23 vjeç dhe Donaldo Llupo, 18 vjeç, u kapën me një sasi heroine të vendosur në qese transparente, gati për ta shitur, pesha e të cilit arrinte në 3.9 kg.


Ndalimi i 23-vjeçarit u bë në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ku gjatë kontrollit në një çantë krahu i është gjetur një qese transparente me heroinë. Ndërsa në kontrollin e ushtruar në banesën e tij në rrugën “Gjin Gjergji” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip ‘TT’ me dy krehra metalik dhe 21 fishekë, një shkop metalik me hapje, si ato të punonjësve të Policisë, një sasi lënde narkotike në formë të ngurtësuar, e dyshuar heroinë.

Operacioni ka vijuar me kapjen e shtetasit Donaldo Llupo, të cilit gjatë kontrollit i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një përforcues grushti metalik, një elektrik paralizues dhe një sasi heroine.


U vetëplagos me armë, fierakun e gjen ‘belaja’ me policinë

Një 38-vjeçar përfundoi në pranga pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Arrestimi nga policia u bë pas vetëplagosjes së tij në mënyrë aksidentale në dorë. I riu po qëndronte në një lokal në lagjen “29 Nëntori” në Fier, kur arma iu shkrep në dorë.


Kjo solli reagimin e menjëhershëm të policisë, ku i gjetën 38-vjeçarit me iniciale E.N., një pistoletë tip TT dhe 7 fishekë.

Arma iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 38-vjeçari pas marrjes së ndihmës mjekësore u arrestua dhe do të përballet me veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje”.


“Denoncove të vramë”, dhunuan shokun e tyre, arrestohen dy vëllezër

Dy vëllezër nga Pogradeci përfunduan në pranga, pasi dy muaj më parë dhunuan fizikisht dhe më pas kërcënuan me jetë shokun e tyre, për të mos i denoncuar në polici. Vëllezërit me iniciale E.M, 29 vjeç dhe D.M., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, patën një konflikt fizik me mikun e tyre 21-vjeçar.


Pas dhunës fizike ndaj 21-vjeçarit ndodhur në zonën e Tushemishtit në muajin shtator, të rinjtë i shkatërruan makinën të riut dhe më pas e kërcënuan me vdekje nëse do të denonconte rastin në polici.

21-vjeçari ka bërë denoncimin pas dy muajsh, ndërsa policia arrestoi dy vëllezërit që pritet të përballen me akuzat e shkatërrimit të pronës private, dhunë fizike e psikologjike dhe kërcënim me jetë.


Me kokainë dhe pa patentë, pranga për lushnjarin

Një 24-vjeçar u arrestua pasi u kap duke lëvizur me makinë pa leje drejtimi dhe gjatë kontrollit iu gjetën dhe disa doza lënde narkotike. I riu u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë, por rezultoi se ai drejtonte mjetin “Toyota” pa patentë.


Gjatë kontrollit të imtësishëm të makinës iu gjetën edhe 2 doza të vogla kokaine. Kjo bëri që 24-vjeçari me iniciale V.D, të vihej në pranga nga efektivët e policisë.


Trafikantët humbasin 20 mijë euro kokainë. Fajtorë…derrat e egër

Një grup trafikantësh të lëndëve narkotike u zbulua falë derrave të egër në pyll. 3 shqiptarë dhe një italian përfunduan në pranga pas përgjimeve se u kishte humbur kokaina në pyll. Gjatë diskutimeve të përgjuara mes tyre, ndër të tjera thuhej se ato humbën rreth 20 mijë euro kokainë, pasi ishte ngrënë nga derrat e egër dhe shpërndarë nëpër pyll. Kokaina ishte e cilësisë së parë, ku një gram i saj kushtonte 99 euro.


Trafikantët kishin groposur kokainë në një pyll në Toskana, në mënyrë që të ishte e sigurt dhe të mos binin në sy të policisë, por duket se nuk kishin marrë parasysh faktin e derrave të egër në zonë, të cilët e hëngrën dhe shpërndanë atë në të gjithë zonën. Derrat gërmuan kokainën dhe çanë qeset e tyre duke konsumuar një pjesë të mirë të saj.

Policia nisi përgjimet e tyre pas kodeve të përdorura si “aperitiv”, “verë” dhe “kafe” për veprimtarinë kriminale, por mes të tjerave ato ankoheshin se “një sasi e madhe e drogës ishte zhdukur, ku një pjesë e saj ishte ngrënë nga kafshët dhe pjesa tjetër ishte shpërndarë nëpër pemët e pyllit.


Një milion euro drogë në garazh, arrestohet shqiptari

Një 32-vjeçar shqiptar u arrestua, pasi në garazhin që ndodhej në pronësi të tij u gjetën dhe sekuestruan një sasi droge prej 72 kilogramë marijuanë. Droga po të dilte në treg kapte vlerën e 900 mijë eurove, ndërsa po të shitej me pakicë shkonte në rreth 1 milionë euro.


Aksioni i policisë u zhvillua në Torino, ndërsa vetë shqiptari tha para prokurorëve se “lënda narkotike nuk ishte e tij, por po e mbante atë për të tjerët deri për Krishtlindje.”


Pa patentë dhe i alkoolizuar, pranga 18-vjeçarit. I mori jetën dy 17-vjeçareve

18-vjeçari Françesk Shaba u arrestua si shkaktar i aksidentit tragjik në Bërzhitë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Ai ishte drejtuesi i mjetit, por nuk zotëronte leje drejtimi (patentë) dhe kishte konsumuar alkool, duke u bërë shkaktar i aksidentit në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.


Nga kontrollet e policisë 18-vjeçari u verifikua me aparatin alkool testues, ku rezultoi se sasia e alkooli në frymëmarrje ishte 0.17 mg/l, ndërsa nuk zotëronte as patentë për drejtimin e makinës. Këto arsye, shoqëruar edhe me lagështinë në rrugë dhe shpejtësinë e lartë çuan në aksidentin tragjik.

Nga aksidenti humbën jetën dy 17-vjeçaret Denada Tarja dhe Suada Serani, ndërsa mbetën të plagosur drejtuesi Françesk Shaba dhe dy 14-vjeçarë me iniciale O.M dhe L.M. Të rinjtë ktheheshin nga festa e ditëlindjes të njërit prej 14-vjeçarëve, që ndodheshin në makinë. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, që rezultoi fatale për dy 17-vjeçaret.


Turqi, arrestohen 17 militantë të ISIS

17 persona u arrestuan pasi dyshohet se janë të lidhur me ISIS. Sipas dyshimeve thuhet se militantët e ISIS planifikonin të kryenin sulme në shtetin turk.


Për arrestimin e 17 personave, reagoi edhe presidenti turk Erdogan i cili u shpreh se anëtarë të rrethit të Al-Baghdadit tentuan të hyjnë në Turqi, por u arrestuan në kohë.

Pas vrasjes së liderit të ISIS Al-Baghdadi , policia turke ka rritur operacionet por goditjen e këtyre militantëve, ku më herët arrestoi edhe motrën dhe gruan e Al-Baghdadit.


Shpërndante drogë me motor, arrestohet 21-vjeçari

Një shqiptar 21-vjeçar u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike në shtetin grek. Policia ra në gjurmët e shqiptarit, pasi ai bënte shesh rrugë Shqipëri-Korfuz, nga ku transportonte dhe lëndën narkotik të llojit hashash. I riu pasi e çonte në Korfuz, bënte shpërndarjen e saj me motor te klientët që e kërkonin.


Pas monitorimit , i riu u arrestua, ndërsa policia sekuestroi drogën dhe mjetin e tij të shpërndarjes.


Aksion antidrogë, 3 në pranga, 4 nën hetim

3 persona u vunë në pranga gjatë aksioneve të ndryshme antidrogë në vend, ndërsa 4 të tjerë janë shoqëruar në polici dhe po procedohen penalisht për moskallëzim krimi.


Dy 18-vjeçar janë ndaluar në Rrëshen, pasi u kapën me një sasi lënde narkotike. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre, policia zbuloi në sedijen e pasme të fshehur 500 gram kanabis sativa. Në pranga janë vënë shtetasit me iniciale F. N., 18 vjeç dhe B. S., 18 vjeç.

Ndërsa në fshatin Kuqan të Elbasanit u arrestua një 26-vjeçar me iniciale F.D., pasi u kap me 8 doza kanabis sativa, gati për t’i shitur. Në lidhje me rastin janë proceduar penalisht dhe 4 persona për moskallëzim krimi.