Shpërthimi i transformatorit, arrestohet inxhinieri i firmës

Policia e Tiranës ka vënë në pranga inxhinierin e firmës private, ku ndodhi shpërthimi i transformatorit në autostradën Tiranë-Durrës. Personi i arrestuar ishte përgjegjës për sigurimin e mbrojtjes në punë, dhe për shkak të mungesës së saj humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë.

Policia ka bërë arrestimin  shtetasit R.D., 36 vjeç, nën akuzën e “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, i cili ka pasur rolin e inxhinierit në firmën private.

Ngjarja ndodhi të enjten në autostradën Tiranë-Durrës, ku viktimë mbeti punëtori Gjergji Sula dhe u plagosën  Fari Çollaku dhe Andi Bojni , të cilët ndodhen në gjendje të rëndë në QSUT.

Aksioni anti-drogë, për 24 orë asgjësohen 2120 rrënjë kanabis, 5 të arrestuar

Policia e shtetit brenda 24 orëve ka ndërmarrë 3 aksione anti-drogë në zona të ndryshme të vendit duke çuar në asgjësimin total prej 2120 rrënjë kanabis sativa dhe arrestimin e 5 personave si kultivues te tyre.

Në Përmet zbulohet parcela me rreth 100 rrënjë kanabis në fshatin Alipostivan. Pas agjërimit u bë e mundur arrestimi i katër kultivuesve Niko Shena, Marsel Shena, Xhoni Mucaj dhe Andi Mucaj.

Një tjetër aksion u shtri në fshatin Fllomo në Dropull. Policia gjeti dhe sekuestroi 2 mijë rrënjë kanabis në thellësi të pyllit të fshatit. Policia është vënë në kërkim të poseduesve të saj.

Aksioni i tretë ndodhi në Tepelenë ku u zbuluan 20 rrënjë kanabis në fshatin Dragot dhe ka bërë të mundur arrestimin e kultivuesit të tyre shtetasit Visar Bisha, 29-vjeç.

Kosovë, trafikonin armë luftarake, 18 të arrestuar

Policia e Kosovës ka arrestuar 18 persona dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të armëve dhe lëndëve shpërthyese.  Pas një hetimi disa mujor të prokurorisë Ferizaj në bashkëpunim me drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, është ndërmarrë aksioni policor që ka çuar në 18 arrestime dhe sekuestrimit të një sasi të madhe armësh luftarake.

Policia e Kosovës sekuestroi 37 revole, 8 armë gjuetie, 3 armë AK-47, 2 armë gjysmë-automatike, 7 armë të gjata, 1 pushkë ajrore, 18 karikator dhe pjesë të ndryshme të armëve, një sasi e madhe e fishekëve, rreth 9,000 copë të kalibrave të ndryshëm, rreth 10 000 euro, dhe dy 2 makina.

 Sipas prokurorisë të arrestuarit do të gjykohen për veprat penale, “import, eksport, furnizim, transport, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”. Nuk dihen ende detaje të tjera për ngjarjen.

Tiranë, organizonte lojëra fati në lokal, një i arrestuar

Një 34-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim të 34-vjeçarit në Rrugën e Dibrës u gjetën 4 automatë elektronikë që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia e Tiranës sekuestroi në cilësinë e provës materiale 4 automate elektronikë të lojërave të fatit, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R.H., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Tiranë, akuzohet për trafik droge, arrestohet 39-vjeçari në kërkim

Arrestohet një person, i cili ishte shpallur në krim për trafikim të lëndëve narkotike. 39-vjeçari me iniciale E.G., isha shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka mbjellë bimë narkotike në zonën në vendin e quajtur  “Përroi i Bllomes”, në pyllin e fshatit Mënik.

Arrestimi i tij përmbyll me sukses operacionin e koduar ‘Lugina 2’, e zhvilluar më 12 korrik dhe çoi në arrestimin edhe të dy shtetasve të tjerë dhe sekuestrimin e 60 bimëve kanabis sativa.

Materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Vlorë, mbolli bimë narkotike rreth shtëpisë, arrestohet 59-vjeçari

Një 59-vjeçar është arrestuar pasi u kap duke kultivuar disa bimë narkotike rreth banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mallkeq të Vlorës, ndërsa zbulimi i tij u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas po kultivonte lëndë narkotike në pronën e tij.

Pas kontrollit që policia ushtroi në banesën dhe pronën rreth saj u konstatuan disa rrënjë të mbjella me kanabis sativa.

Në pranga ka përfunduar shtetasi P.M., 59 vjeç, i cili do të gjykohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotikëve”.

Një i arrestuar në Tiranë, lëvizte me armë në çantë

Një 36-vjeçar arrestohet pasi kapet duke lëvizur në kryeqytet me armë zjarri pistoletë dhe krehër me fishek luftarak.  Policia e Tiranës arrestoi të riun, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri me vete në rrugën “Kastriotët”. Arma u gjet në çantat e dorës që mbante me vete.

Policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 36-vjeçarin nga Kruja, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë mikun e tij që e shoqëronte, shtetasin E. M.,34 vjeç banues në Laç për veprën penale “Moskallëzim krimi”

36-vjeçari do të gjykohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, nisa arma iu kalua prokurorisë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.

Plagosi me thikë 23-vjeçarin, arrestohet adoleshenti në Tiranë

Arrestohet adoleshenti i cili plagosi me mjete prerëse mbrëmjen e të shtunës një 23-vjeçar në kryeqytet. Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit L. H.,18 vjeç.

Ky shtetas, gjatë një konflikti të çastit, ndodhur në rrugën “Besim Alla”, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin L. T., 23 vjeç,  duke i shkaktuar plagë të rënda. 23-vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë.

Vlorë, tentoi të largohet drejt Italisë me pasaportë false, arrestohet 31-vjeçari

Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Vlorë, pasi ka tentuar të kalojë me pasaportë false.

Shtetasi me iniciale Gj.M., 31 vjeç, ka tentuar të dalë nga Shqipëria në drejtim të Italisë me një pasaportë greke, që dyshohet se është e falsifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

Elbasan, kapet me 50 doza kokaine, arrestohet një 39-vjeçar

Një person është arrestuar në Elbasan, pasi është kapur me disa doza kokainë në makinë. Policia ka vënë në pranga shtetasin E.R., 39 vjeç, i cili u kap me 50 doza kokainë në makinë.  Operacioni u zhvillua në afërsi të fshatit Hajdaran, ku policia kishte nisur kontrollet fizike dhe të makinave në zonë. 39-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Bradasheshi”.

Policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale 50 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë; 7 aparate celular, automjeti me të cilin lëvizte; 20 000 lekë të reja, të cilat dyshohen se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Skip to toolbar