Metani në krye të ILD, PD: Shërbëtor i Ramës në drejtësi

Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është dënuar nga Partia Demokratike, duke e cilësuar si një dështim të reformës në drejtësi dhe politizimit të saj. Përmes një deklarate, PD shprehet se Metani, vëllai i deputetes Eglantina Gjermeni, është shërbëtori dhe militant partiak i Edi Ramës dhe emërimi i tij është në kundërshtim me ligjin. ILD do të hetojë prokurore e gjyqtarë dhe sipas PD-së emërimi i Metanit, është kapje e sistemit nga Rama për të mos lejuar hetimet e vjedhjeve të votave nga qeveria.

Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri. Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë.

Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë  shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike” shprehet PD.

Artur Metanit iu besua posti i drejtimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë seancës së parë të sesionit të ri parlamentar për 2020, me 98 vota pro, të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

Artur Metani zgjidhet në krye të ILD, Gjermeni nuk voton për vëllain

Artur Metani është zgjedhur kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me 98 vota pro, 8 kundër, ndërsa 9 të tjerë nuk kanë votuar. Ai ishte renditur i pari në listën e KED me 5 kandidatura, ndërsa mori miratimin e Kuvendit gjatë seancës së parë në sesion e ri parlamentar të 2020.

Artur Metani ka mbajtur postin e Avokatit të Shtetit dhe mazhoranca në bashkëpunim me deputetët e opozitës së re i ka besuar postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Metani është vëllai i deputetes së Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni dhe kjo para nisjes së votimit ka deklaruar se është në konflikt Interesi dhe për rrjedhojë ka kërkuar që të përjashtohet nga votimi.

Metani ishte renditur i pari në garën për drejtimin e institucionit me 89.6 pikë në listën e KED dhe pritet të hetojë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.  

ILD vjen si rezultat i Reformës në Drejtësi dhe do të ushtrojë kontrollin mbi gjykatës dhe prokurorë. ILD do ketë të drejtë të nisë hetim dhe procedim disiplinorë për të gjithë hallkat e drejtësisë përfshi anëtarët e Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Skip to toolbar